SHBA miratoi rasonque, ilaçin e ri për pacientët me kancer të avancuar të pankreasit. Në provat klinike, ilaçi i kombinuar me kimioterapinë ka dyfishuar kohën mesatare të mbijetesës, nga rreth 6 në 13 muaj.
Ilaçi, i prodhuar nga kompania Revolution Medicines, është miratuar për pacientët me kancer të avancuar të pankreasit që kanë marrë më parë trajtim, përfshirë kimioterapinë.
Rasonque merret në formën e një tablete të përditshme dhe synon një mutacion të gjenit KRAS, i cili gjendet në pjesën dërrmuese të rasteve të kancerit të pankreasit.
Ky gjen funksionon si një lloj “çelësi” që kontrollon rritjen e qelizave. Mutacioni e mban atë vazhdimisht të aktivizuar, duke nxitur rritjen e pakontrolluar të qelizave kancerogjene.
Ekspertët e kanë cilësuar miratimin si një moment historik për trajtimin e kancerit të pankreasit, një prej formave më vdekjeprurëse të sëmundjes.
Megjithatë, ilaçi nuk është pa efekte anësore. Ndër to janë skuqje të rënda të lëkurës, plagë në gojë dhe fyt, të vjella dhe diarre.
Kompania prodhuese thotë se më shumë se 2 mijë pacientë e kanë marrë tashmë ilaçin përmes një programi të zgjeruar aksesi.
Kostoja e tij, përpara sigurimeve dhe zbritjeve të tjera, është rreth 39 mijë e 800 dollarë për një furnizim njëmujor.
