Dyshohet të jetë punë e brendshme, merren në pyetje të gjithë punonjësit e hotelit
Ngjarja e bujshme ka ndodhur në një hotel të Kanës, ku po zhvillohet Festivali i përvitshëm i Filmit. Stolitë u vodhën prej një kasaforte në hotelin “Suite Novotel Cannes Centre”.
Ato u morën gjatë natës një punonjësi amerikan të Chopard. Kjo e fundit është një kompani zvicerane bizhuterish, që tregton ora dore, varëse dhe aksesorë të tjerë shumë prestigjiozë.
Stolitë ishin atje me qëllimin e vetëm, për t’u marrë hua nga yjet e filmave teksa ecnin në tapetin e kuq.
Policia e Kanës konfirmon se vlera e bizhuve të vjedhura arrin shifrën 1.4 milionë dollarë dhe se kasaforta ishte shkulur nga muri në dhomën e hotelit.
Autorët e vjedhjes mundën ta siguronin kasafortën me bizhutë e shtrenjta nëpërmjet derës komunikuese të dhomës fqinje.
Policia shtoi se dyshonte për një punë të brendshme të sajuar në detaj, ndaj po merr në pyetje të gjithë punonjësit e hotelit. Investigimet po udhëhiqen prej policisë qendrore në Nisë. Në një konferencë për shtyp, Raffaella Rossiello, drejtore e komunikimit ndërkombëtar të Chopard, konfirmon grabitjen e një anëtari të stafit të saj dhe shtoi se vlera e bizhuve të vjedhura është më e ulët sesa shifra që qarkullon.
Duke kundërshtuar raportet e mëparshme të policisë, ajo theksoi se stolitë nuk janë pjesë e koleksionit të bizhuve, që janë veshur prej yjeve gjatë Festivalit të Filmit në Kanë. Kompania është mjaftuar me këto deklarata duke u hapur rrugë investigimeve të policisë.
“Suite Novotel Cannes Centre” është një hotel me 124 dhoma i frekuentuar prej biznesmenëve, i vendosur në veri të rrugës kryesore “Place de Juin 18”. Ky hotel është në pjesën e qytetit më pak të frekuentuar prej turistëve, me një stacion policie direkt pasi kalon rrugën. Dhomat kushtojnë rreth 479 euro gjatë festivalit.
Një zëdhënës i hotelit “Suite Novotel Cannes Centre”, u shpreh se drejtuesit e tij nuk kishin asnjë deklaratë për të dhënë deri në përfundim të hetimeve nga policia.
Kompania e xhevahireve “Chopard” krijoi trofeun e Palmës së Artë, për filmin më të mirë të Festivalit të Kanës, gjithashtu edhe trofetë për aktorin dhe aktoren më të mirë, që u lançuan në një ceremoni të enjten mbrëma.
Kompania ka qenë sponsor kryesor i festivalit për vite me radhë.
Ndaj në hapjen e drejtuar prej Elizabeth Quin, në prezencë ishte edhe Presidenti Gilles Jacob dhe zëvendëspresidentja Caroline Scheufele, që vini prej Chopard.
Kana është tradicionalisht një festival i përshtatshëm për shfaqjen dhe reklamimin e bizhuterive të shtrenjta dhe luksoze.
Të martën e ardhshme në Kanë, “Twentieth Century Fox” dhe gjiganti italian i bizhuve Bulgari, do të organizojnë një festë të madhe për nder të 50-vjetorit të filmit Cleopatra, që luhet prej Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.
Yjet e filmave pasi mësuan ngjarjen, kanë shkruar në rrjetet sociale se, kjo ndodhi ngjan me filmin hapës të Festivalit, me regji të Sofia Coppolas, që fliste për vjedhje.
Bizhutë
Stolitë do të merreshin hua nga yjet e filmave, për t’u vendosur teksa ecnin në tapetin e kuq