Ekzistojnë disa shenja të pangatërrueshme që ju tregojnë nëse partneri që keni zgjedhur është i duhuri ose jo. Zbulojini ato më poshtë…


Zakonisht e dimë mirë se cili është personi i gabuar, por kur bëhet fjalë për të zbuluar të duhurin, ose shpirtin binjak, fillojmë të kemi mijëra dyshime. Megjithatë nuk duhet të dekurajoheni, sepse janë disa shenja të pangatërrueshme kur joshni dikë ose në jetën në çift, të cilat tregojnë njëherë e përgjithmonë nëse partneri që keni zgjedhur është versioni modern i princit të kaltër.


Hapi i parë ka të bëjë me ju


Në qoftë se deri tani keni bërë vetëm zgjedhje të gabuara dhe tani e mbrapa keni vendosur të ndryshoni, duke ndryshuar totalisht këndvështrimin për shpirtin binjak, atëherë jeni në rrugën e duhur. Meqenëse deri tani keni humbur kohë duke reflektuar mbi mënyrën sesi t’i tërhiqni disa tipe meshkujsh, apo duke ndryshuar sjelljen tuaj dhe pritshmëritë, mund të themi se është pikënisja ideale për të gjetur djalin e ëndrrave, natyrisht shumë ndryshe nga ish të dashurit e njohur deri tani.


Karakteristikat e shpirtit binjak


Keni shumë mundësi të arrini një lidhje të gjatë e të qëndrueshme, nëse partneri që keni zgjedhur është i komunikueshëm. Duhet të çmoni ata djem që nuk janë të heshtur, por i tregojnë problemet e tyre dhe janë të gatshëm të përballojnë çdo lloj pengese që u del përpara gjatë rrugës, si për sa u përket parave, seksit dhe familjes. Kryesorja është që të jetë i sjellshëm dhe i përpiktë në gjithçka që bën: asnjëherë nuk duhet t’ju vënë në situata të vështira dhe kryesorja asnjëherë nuk duhet ta lërë femrën e tij të presë për shumë orë. Është një person që të respekton, të jep një shembull të mirë, është njeri vizionar, që ka besim në vetvete dhe te lidhja që po krijon, deri në atë pikë sa të mos i dridhet toka nën këmbë kur i del para një problem i vështirë.


Miku i ngushtë është një shenjë që ju tregon se keni gjetur shpirtin binjak. Është e kotë ajo që thonë se çifti duhet të bazohet te pasioni, sepse kjo ndjenjë zbehet me kalimin e kohës, ndërkohë që nuk dobësohet ndjenja që keni afër një mik të ngushtë të cilit mund t’i tregoni çfarëdo lloj gjëje, ose thjesht për ta pasur pranë që ta dëgjoni dhe ai t’ju dëgjojë juve kur të keni nevojë. Duke qenë se është miku juaj i ngushtë, di t’ju ruajë edhe sekretet. Nuk keni nevojë t’ua rrëfeni të fshehtat tuaja grupit të shoqeve, kur keni dikë që ju dëgjon. Fakti që ndiheni kaq të sigurta për t’i treguar sekretet tuaja, fobitë dhe eksperiencat më intime, është një shenjë shumë e fortë në favor të lidhjes suaj.


Prioritetet në çift


A e dini se cilat janë prioritetet në çift? Sigurisht që jo! Gjëja e parë dhe më kryesore që duhet të bëni është të mos e vini punën në vend të parë, daljet me miqtë, sepse në të kundërt do të nxisni vetëm dyshime. Për sa i përket punës dhe së ardhmes një lidhje e qëndrueshme është shumë e rëndësishme për të arritur të njëjtat qëllime: që përkojnë në krijimin e familjes, rritjen e fëmijëve dhe karrierën.


Shenjat e pangatërrueshme


Në fund, shenjat e pangatërrueshme janë dy: kur dashuria e tij është e pakushtëzuar, nuk varet nga gjërat që kanë ndodhur ose nuk kanë ndodhur, nuk varet nga problemet e muajit ose javës. Ai duhet të jetë gjithnjë aty, përkrah jush; kur nuk ka frikë nga martesa, por është gati të marrë përgjegjësitë e tij dhe të angazhohet pa iu dridhur qerpiku. Në qoftë se partneri të cilin keni zgjedhur ka të paktën gjysmën prej këtyre karakteristikave që i përmendën më lart, atëherë mund të rrini të qeta. Keni zgjedhur personin e duhur.