NASA ka publikuar imazhet e para spektakolare me ngjyra (me rezolucion të lartë) të marra nga ‘Curiosity’ në Mars, duke dhënë me detaje shtresat e shkëmbinjve ku shkencëtarët synojnë të përqendrojnë kërkimet e tyre për të zbuluar përbërësit kimikë që mund të jenë shenja të jetës në planetin e kuq.

Fotografitë mahnitëse zbulojnë nivele të ndryshme në afërsi të bazës së malit 3 milje të gjatë, që ngrihet mbi një pllajë të gjerë, të quajtur ‘Krateri Gale’, aty ku ‘Curiosity’ zbarkoi më 6 gusht, në fillim të misionit të vet dyvjeçar në kërkim të shenjave të mundshme të jetës në Mars.



Fotot e përftuara përmes një minikamere shumë të sofistikuar, të instaluar tek ‘Curiosity’, tregojnë pjesën e ulët të vendit të quajtur Mali Sharp (emër që i është vënë nga NASA për shkak të pjerrësisë në formë kulle që e karakterizon), i cili do të përbëjë edhe pikën e referimit të ekspeditës së ‘Curiosity’ për të zbuluar përbërjen kimike të shkëmbinjve që gjenden në të.



Sipas shkencëtarëve të NASA, vendi i përzgjedhur përbën një sajt gjeologjik shumë të pasur dhe të shumëllojshëm, gjë që dallohet lehtësisht edhe nga ngjyra e ndryshme e rërës dhe shkëmbinjve në pozicione të ndryshme, diversitet që gjithsesi mbetet për t’u studiuar dhe verifikuar nga ‘Curiosity’ në vijim të misionit.

Projekti 2,5 miliardë dollarësh i ‘Curiosity’ përbën misionin e parë serioz, pas vitit 1970 të NASA-s, i cili përmes një minilaboratori (roboti ‘Curiosity’), synon të sjellë të dhëna shumë të rëndësishme mbi përbërjen kimike të sipërfaqes së planetit të kuq dhe mundësisë së ekzistencës së jetës në të.


28 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)