Një kërpudhë e rrallë që rritet vetëm në Tajvan dhe lidhet me një specie të rrezikuar druri, për shumë kohë është përdorur në mjekësinë tradicionale bimore. Tani, shkencëtarët kanë zbuluar edhe efektin e saj antikancerogjen. Kërpudha Antrodia cinnamomea (e njohur edhe si Taiwanofungus camphoratus) ekziston vetëm në Tajvan dhe është e lidhur me një lloj të veçantë druri të rrezikuar. Ajo është përdorur për shekuj në përgatitje bimore, ndërsa studimet e fundit tregojnë se kjo kërpudhë ka aftësinë të luftojë kancerin përmes një klase specifike molekulash sheqeri.

Sipas hulumtimeve, Antrodia cinnamomea ka si efekt shkatërrimin e qelizave kancerogjene dhe reduktimin e inflamacionit. Shkencëtarët nga National Taiwan University dhe National Yang Ming Chiao Tung University zbuluan se kjo lidhet me një grup substancash që prodhon vetë kërpudha, polisakaridet e sulfuara (SPS). Këto janë molekula komplekse sheqeri, të përbëra nga glukoza, galaktoza dhe sulfati, të cilat më parë janë lidhur me veti antikancerogjene, por mekanizmi i saktë nuk ishte i kuptuar plotësisht.

Përmes kultivimit laboratorik, kërpudha A. cinnamomea është studiuar pa qenë nevoja të mblidhet nga natyra. Për të kuptuar më mirë efektet e saj, studiuesit zhvilluan metoda që e detyruan kërpudhën të prodhojë më shumë polisakaride të sulfuara. Kështu u identifikua një molekulë e veçantë N50 F2, e cila në eksperimente tregoi aftësinë të ulë markerët inflamatorë dhe të bllokojë apo shkatërrojë qelizat e kancerit të mushkërive.

Sigurisht, këto gjetje janë ende në fazë laboratorike dhe duhet të verifikohen tek njerëzit, por ato hapin rrugë për zhvillimin e terapive të reja antikancerogjene. Në një artikull të botuar në revistën shkencore Carbohydrate Polymers, autorët theksojnë se polisakaridet SPS të Antrodia cinnamomea kanë potencial të madh në trajtime të ardhshme. Shkencëtarët theksojnë se edhe pse është arritur të identifikohen molekula premtuese, do të duhet shumë punë për t’i shndërruar ato në ilaçe të sigurta dhe efikase për përdorim klinik.