Një studim i ri shkencor sugjeron se “psilocibina” – substanca psikoaktive që gjendet te të ashtuquajturat “kërpudha magjike” – mund të ndihmojë duhanpirësit të heqin dorë nga nikotina, një nga substancat, që krijon varësinë më të fortë te njerëzit, sipas BBC.
Sipas studiuesve, kombinimi i terapisë psikologjike me një dozë “psilocibine” rezultoi shumë më efektiv sesa trajtimet tradicionale me nikotinë për ndalimin e duhanit.
Nikotina konsiderohet një substancë, që krijon varësi po aq sa kokaina apo heroina, ndërsa rreth 70% e duhanpirësve deklarojnë se duan ta lënë cigaren.
Megjithatë, më pak se një në 10 persona arrijnë ta bëjnë këtë me sukses çdo vit.
Një studim i publikuar në vitin 2026, i kryer nga studiues të Universitetit Johns Hopkins, Baltimorë, SHBA, zbuloi se personat që morën “psilocibinë” kishin gjashtë herë më shumë gjasa të hiqnin dorë nga duhani krahasuar me ata që përdorën “arna nikotine” (pjesë të vogla plastike ngjitëse (patch-e) që vendosen në lëkurë për të ndihmuar njerëzit të lënë duhanin).
Gjashtë muaj pas trajtimit, 52% e pjesëmarrësve që kishin marrë “psilocibinë” nuk konsumonin më cigare, ndërsa në grupin që përdori “arna nikotine” kjo shifër ishte vetëm 25%.
Sipas autorit kryesor të studimit, Matthew Johnson, efekti lidhet me ndryshimin e mënyrës se si njerëzit e perceptojnë jetën dhe zakonet e tyre.
“Për shumë pjesëmarrës, përvoja ishte aq e fortë sa i bëri të kuptonin se duhani nuk kishte më vend në jetën e tyre”, shpjegoi Johnson.
Studimet tregojnë se shumë persona që përdorën “psilocibinë” raportuan një ndryshim të thellë në prioritetet personale dhe mënyrën si e shihnin veten, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në heqjen dorë nga cigarja.
Ekspertët besojnë se “psilocibina” mund të ndihmojë trurin të krijojë modele të reja sjelljeje.
Neuroshkencëtarja Gül Dölen tha se substancat psikedelike mund të “rihapin” periudha të fleksibilitetit të lartë të trurit, duke e bërë më të lehtë ndryshimin e zakoneve të vjetra.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kërkimet janë ende në faza të hershme.
Studimi aktual përfshiu një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish dhe shumica prej tyre kishin përdorur më parë substanca psikedelike.
Për këtë arsye, ekspertët kërkojnë studime më të mëdha dhe më të larmishme për të kuptuar nëse rezultatet mund të përsëriten në shkallë më të gjerë dhe cilat mund të jenë efektet afatgjata apo rreziqet e mundshme.
Edhe pse substancat psikedelike mbeten të paligjshme në shumicën e vendeve, interesi shkencor për përdorimin e tyre në trajtimin e depresionit, ankthit dhe varësive po rritet ndjeshëm vitet e fundit.
“Na duhen më shumë mjete për të ndihmuar njerëzit të lënë duhanin”, tha Megan Piper, duke e cilësuar studimin si “premtues dhe mbresëlënës”.
