Psikologji


Shkenca ka zbuluar se autokontrolli, pra aftësia për të frenuar impulset, është tepër e rëndësishme. Kushdo që zotëron këtë aftësi mund t’u rezistojë tundimeve, shpeshherë shkatërruese, si nga ana psikologjike ashtu edhe ajo fizike



“Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve”, thoshte Oscar Wilde. Megjithatë, shkenca ka zbuluar se autokontrolli, pra aftësia për të frenuar impulset (urinë, seksin, agresivitetin, dëshirën për të shpenzuar, dembelizmin …) është e rëndësishme: jo vetëm për të “shpëtuar shpirtin”, siç thonë shumë fe, por edhe për objektiva praktike, si për shembull për të shijuar një shëndet të mirë dhe për të fituar më shumë. Avantazhet janë të njohura: kushdo që ushtron vullnetin në një fushë (në një dietë) bëhet më i vendosur në fusha të tjera (për shembull në mësimin e pianos).


Vetëkontrolli pra mund të trajnohet. Por trajnimi dhe edukimi nuk janë gjithçka. Studimet kanë zbuluar se vetëkontrolli varet nga shkaqe të tjera të padyshimta: që nga seksi deri te … rezervat e sheqerit.


Këta janë faktorët që ndikojnë te vetëkontrolli


Lobet frontale


Zonat që rregullojnë vetëkontrollin janë lobet frontale, sidomos ai i djathti. Kur këto zona dëmtohen, personat bëhen të paaftë për të kontrolluar emocionet dhe për rrjedhojë edhe veprimet.


Fëmijëria


Vetëkontrolli ndërtohet që në fazat e para të jetës. Walter Mischel, psikolog në Universitetin e Kolumbisë (SHBA), ka studiuar aftësinë e këtij kontrolli tek 650 fëmijë të moshës katër vjeç. Ata fëmijë që i rezistuan tundimit për karamele u aftësuan më shumë për të pasur sukses në këtë drejtim pas shumë vitesh, sigurisht në aspekte të tjera.


Zemra


Peronat që kanë si natyrë frekuencë më të lartë kardiake, në përgjithësi janë më të aftë për të rezistuar ndaj tundimeve. Një tjetër provë që disa persona kanë një marsh më shumë për t’u vënë fre impulseve të veta.


Inteligjenca


Fëmijët me një inteligjencë më të madhe janë më pak impulsivë. Fëmijët me vetëkontroll më të mirë janë më të zotë edhe në përqendrimin e vëmendjes së tyre.


Seksi


Aftësia për t’u rezistuar tundimeve paraqet diferenca të mëdha mes meshkujve dhe femrave. Meshkujt duken më pak të aftë për të kontrolluar impulset e tyre në krahasim me femrat dhe kjo është evidente qysh në katër vitet e para të jetës së tyre.


Këshillat për t’u rezistuar tundimeve


1 – Zgjidhni betejat tuaja


Sforcot e mëdha të vullnetit mund të zbrazin të gjitha potencialet tona, duke na bërë më të ndjeshëm për të rënë në tundim. Ndaj është mirë që të mos pretendoni shumë nga vetja për të vendosur prioritetet.


2 – Fokusohuni në diçka konkrete


Arritja e objektivave të veçanta është më e mundshme sesa ajo e objektivave të përgjithshme.


3 – Komunikojuni të tjerëve qëllimet tuaja


Nëse do t’u thoni të tjerëve qëllimet tuaja, atëherë ju do të ndiheni më pak tundues ndaj disa situatave apo gjërave të caktuara.


4 – Hartoni një program të detajuar


Nëse do të vendosni të shkoni në palestër çdo të mërkurë, atëherë do ta keni më të lehtë sesa të mendoni për ta bërë këtë gjë një herë në javë. Sipas Peter Gollwitzer, pedagogut të shkencave në Universitetin e Nju Jorkut, një program konkret rrit me tri herë mundësinë për të realizuar më mirë objektivat private, sepse energjitë mendore shfrytëzohen më mirë.


5 – Fuqizoni energjitë tuaja


Përdorimi i forcës së vullnetit ul nivelin e glukozës në gjak, pikërisht siç ndodh kur bëjmë ushtrime fizike. Pra, më mirë konsumoni pak sheqer nëse nuk dëshironi të humbni kontrollin.


6 – Mendoni pozitivisht


Mendimi për të fituar është më efikas sesa ai për të humbur.


N.A.