Teknologjia


kinaKina po punon me një kompani programesh kompjuterike, “Canonical”, për krijimin e një sistemi operativ për kompjuterët personalë të përshtatur për përdoruesit kinezë. Sistemi i ri operativ do të quhet Kylin dhe do të dalë në qarkullim në prill.


Kina ka një plan pesëvjeçar për të shtyrë më shumë njerëz që të përdorin programet falas me burim të hapur në vend të programeve me pagesë të prodhuara nga gjiganti “Microsoft”. Sistemet operative me burim të hapur u japin përdoruesve akses në funksionimin e tyre, në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’i modifikojnë sipas interesave.


Sistemi operativ do të përdoret nga kompjuterët personalë të tavolinës apo laptopët. Përveç faktit që ky lloj sistemi do të përdorë edhe germat kineze, Kylin do të ndihmojë kinezët të ndërveprojnë më shumë me kompjuterët dhe jo vetëm si konsumatorë, por edhe si modifikues të sistemit.


Një program pune shtesë synon të krijojë sistemet operative të nevojshme për funksionimin e serverëve dhe faqeve të internetit, dyqaneve në internet etj.


Shumica dërrmuese e kompjuterëve të sotëm në botë përdorin sistemet operative dhe programet e prodhuara në SHBA. Sistemi operativ dominues është “Windows” i prodhuar nga “Microsoft”. Një alternativë e quajtur “Linux” është krijuar përmes angazhimit të dhjetëra mijë programuesve në të gjithë botën, të cilët kanë punuar falas. Ky është programi bazë që po përdoret edhe nga qeveria kineze për të krijuar një sistem operativ alternativ.