Subjektet dhe individët që ushtrojnë aktivitetin e dhënies me qira afatshkurtër të njësive akomoduese përmes platformës “Booking” do të jenë objekt kontrolli nga administrata tatimore.
Në zbatim të planit operacional të turizmit, administrata tatimore ka filluar kontrollet për subjektet që kanë realizuar të ardhura përmes platformës Booking.com.
Tatimet bëjnë me dije se mbas përfundimit të fazës së informimit janë përzgjedhur 100 tatimpagues, individë dhe subjekte, të cilët për periudhën tetor 2022 – dhjetor 2025 rezultojnë me rreth 24.9 milionë euro të ardhura të realizuara përmes Booking.com.
Kontrollet që do të ushtrohen nga Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoritë Rajonale do të evidentojnë nëse këto të ardhura janë deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi.
Administrata Tatimore u bën thirrje individëve dhe subjekteve që realizojnë të ardhura përmes platformave online të deklarojnë saktë të ardhurat për të shmangur pasojat administrative dhe penale.
Referuar të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, hotelet dhe qytetarët shqiptarë që përdorin platformës “Booking” për rezervime të dhomave apo qirave afatshkurtër, kanë realizuar një shifër totale të ardhurash prej 80.1 milionë euro gjatë periudhës janar-shtator 2025.
Administrata Tatimore bën me dije disponon të dhëna mbi rezervimet dhe shitjet e realizuara përmes platformës “Booking”, ku rezulton se janë 17.225 biznese dhe individë të regjistruar që kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes kësaj platforme.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vetëm komisione që i janë paguar platformës nga qytetarët dhe bizneset janë rreth 12.8 milionë euro.
Gjatë vitit që kaloi administrata tatimore shqiptare ka nisur një bashkëpunim me administratën tatimore irlandeze për investigimin e individëve që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe AirBnB dhe nuk i deklarojë ato.
