I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” në Top Albania Radio në episodin e parë të sezonit të tretë me Ilvi Begollin ka qenë Dritan Todhe, kirurg dhe ortoped. Ata kanë diskutuar dhe kanë shpjeguar me detaje gjithçka që pacientët duhet të dinë në lidhje me injeksionet që bëhen në kyçe ose në kockë. Kanë analizuar gjithashtu edhe faktorët që ndikojnë dhe çfarë shkaktojnë gjilpërat kortizonike tek kockat dhe pse duhet që gjithmonë të jemi të kujdesshëm…

Gjatë intervistës Ilvi e pyeti doktorin në lidhje me gjilpërat kortizonike që bëhen në kyçe ose në sup dhe të qetësojnë dhimbjet, ndodh që në disa raste të bëhen edhe disa të tilla tek pacientët. Sa të dëmshme janë, a duhen bërë dhe cilat janë efektet?

Unë jam një kirurg që operoj rreth 80 deri në 100 supe në vit dhe shpeshherë shikoj një abuzim, mund ta përforcoj duke thënë një abuzim i tepruar me injeksionet në sup. Mundohuni të gjeni pak se sa injeksione bëj unë në vit kenacort në sup, jo më tepër sesa pesë ose dhjetë ndërkohë që operoj kaq shumë sepse e di se çfarë mund të shkaktojnë ato injeksione. Shpeshherë kur unë shikoj një tendinë supraspinate që më duhet ta lidh sërish, të shpartalluar, të shqyer dhe të masakruar nga injeksionet dhe nuk kam si ta lidh më fund me fund, nuk kam si ta qep fund me fund. Mërzitem, shqetësohem dhe them po këta mjekë pse abuzojnë kaq shumë me këto injeksione në sup. 

Ideja është që injeksione mund të bëhen, por duhet të jenë shumë të arsyetuara, shumë të kufizuara dhe të mirë argumentuara. Mjeku duhet të mendojë gjithmonë për një mundësi sa më pak dëmprurëse për pacientin, mundësisht një fizioterapi jo direkt një injeksion.