Paramilitari serb që denoncoi krimet e veta dhe të shokëve gjatë luftës së Kosovës dhe që tashmë është praktikisht pa shtetësi e që dëshiron të kthehet në Pejë


Marija Ristiq BIRN Beograd


Zoran Rashkoviq

Zoran Rashkoviq


Paramilitari serb që u bë dëshmitari kryesor i prokurorisë në gjyqin e ish-shokëve të tij për krime lufte në Kosovë thotë se duhet të tregonte për masakrat brutale që ka kryer njësia e tij.


Zoran Rashkoviq është quajtur hero dhe kriminel lufte, patriot dhe tradhtar, i çmendur dhe gjeni. I pyetur nga BIRN-i për të përshkruar veten, ai tha se “është njeri i së vërtetës”.


“Dua t’i jap fund kësaj heshtjeje 15-vjeçare, dua ta heq këtë brengë nga gjoksi dhe kryqin që mbaj në kokë”, tha ish-paramilitari serb, Zoran Rashkoviq, tani dëshmitari kyç i prokurorisë në rastin kundër 13 luftëtarëve serbë, të akuzuar për krime lufte në katër fshatra të Kosovës gjatë luftës së viteve 1997-1999.


Rashkoviq, ish-anëtar i njësisë paramilitare “Çakajtë”, ka qenë dëshmitar në Gjykatën Speciale në Beograd në disa raste, ku dha dëshmi për masakrat brutale në fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk, të gjithë në zonat rreth qytetit të Pejës.


Për dy vjetët e fundit, Rashkoviq ishte nën mbrojtje të vazhdueshme të policisë, sepse kur vendosi të dëshmojë me emrin e tij, ai dhe familja e tij filluan të kërcënoheshin nga ish-“Çakajtë” dhe nga vetë njësia e policisë për mbrojtje të dëshmitarëve.


Rashkoviq tha se e gjithë kjo ka vërtetuar se shoqëria “nuk do të dëgjojë të vërtetën për Kosovën”.


“Pyes veten a isha më i manipuluar në vitin 1999, kur si djalë 20-vjeçar shkova në luftë me krenari, duke menduar se kjo ishte mënyra për të mbrojtur tokën time nga “shqiptarët e ligj”, ose tani, sepse doja të tregoja të vërtetën dhe rrezikova jetët e personave më të afërt, sepse besoja se kishte ardhur koha për t’u përballur me të shkuarën dhe për pajtim”, tha Rashkoviq.


Dy herë refugjat


Rashkoviq si gjashtëmbëdhjetëvjeçar i fotografuar në Pejë

Rashkoviq si gjashtëmbëdhjetëvjeçar i fotografuar në Pejë


Duke shpjeguar se çfarë donte të thoshte me “manipulim”- në vitet 1990, Rashkoviq tha se “të gjitha këto luftëra dhe fushata nga të gjitha anët se dikush po merrte tokën tonë, më bëri të mendoja se po bëja gjënë e duhur. Isha refugjat nga Kroacia dhe tani edhe nga Kosova”.


Rashkoviq ka lindur në qytetin kroat të Rijekës, kur vendi ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Në mes të luftërave në Ballkan, kur ishte 15 vjeç, u arratis nga qyteti i tij i lindjes për në Kosovë.


“Me babanë, nënën dhe vëllain tim më të ri, si refugjat për herën e parë, shkuam në Pejë, qyteti nga ku vjen familja ime”, tha Rashkoviq.


Në vitin 1998, pasi përfundoi shkollën e mesme, bëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe shërbeu si roje për Vladimir Lazareviqin, i cili në atë kohë ishte shefi i Trupave të Prishtinës së Armatës Jugosllave. Lazareviq që atëherë është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë në vitin 1999 nga Tribunali i Hagës.


Gjatë shërbimit njëvjeçar filloi konflikti i armatosur mes guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të sigurisë serbe, dhe Rashkoviq thotë se pa disa nga skenat më të tmerrshme të civilëve serbë që u vranë në kampin Kleçka të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe liqenin e Radoniqit, që e bindën t’i bashkohej luftës dhe të luftonte për “tokën e Kosovës”.


“Kur u ktheva, Peja nuk ishte i njëjti qytet. Gjashtë fëmijë serbë ishin vrarë në kafenenë “Panda”, kudo kishte urrejtje dhe mungesë tolerance”, tha Rashkoviq.


Kur punonte në një dyqan të shitjes së kafesë, takoi Nebojsa Miniqin, të njohur si “Mrtvi” (“I vdekuri”), kriminelin e njohur dhe anëtarin e grupeve të ndryshme paramilitare dhe të një njësi e policie të quajtur Munja (Vetëtima), që dyshohet se ka kryer disa nga krimet më të tmerrshme të luftës.


“Çakajtë” e frikshëm


Çakallët gjatë fushatës në Kosovë

Çakallët gjatë fushatës në Kosovë


Miniqi e rekrutoi në një njësi të re, të quajtur “Çakajtë”, që përbëhej nga dhjetëra luftëtarë serbë dhe sipas Rashkoviqit “bënte punët më të pista dhe të rrezikshme”.


“Më bëri përshtypje në atë kohë të isha pjesë e njësisë. Isha fëmijë, ‘Mrtvi’ respektohej dhe i pëlqeja. Kjo mjaftonte për mua. Për mua, ai ishte alfa dhe omega”, tha Rashkoviq.


“Për 100 ditë kjo njësi po shkatërronte në zonën e Metohisë, duke përhapur frikë dhe tmerr mes shqiptarëve”, shtoi ai.


Në vitin 2010, prokurori për krime lufte në Serbi paditi luftëtarët Toplica Miladinoviq, Sreçko Popoviq, Slavisha Kastratoviq, Boban Bogiçeviq, Radoslav Brnoviq, Vidoje Koricanin, Velko Koricanin, Abdulah Sokiq, Milojko Nikoliq, Sinisha Misiq, Zoran Obradoviq, Dejan Bulatoviq dhe Ranko Momiq për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat e Zahaqit, Pavlanit, Lubeniqit dhe Qyshkut në Kosovë në vitin 1999.


Në gjyq, Rashkoviq identifikoi shumicën e burrave si autorë të drejtpërdrejtë të masakrave.


Të gjithë prej tyre përveç Toplica Miladinoviqit, i cili ishte komandant i Armatës Jugosllave, dyshohen të kenë qenë anëtarë të “Çakajve”.


Struktura e komandës së “Çakajve” ende kontestohet, duke qenë se shumë anëtarë të grupit kanë thënë gjatë gjyqit se ishin pjesë e një njësie të rregullt ushtarake dhe jo të paramilitarëve.


Rashkoviq tregon se lideri i njësisë Miniq, shpesh konsultohej me komandën e Armatës Jugosllave në Pejë.


“Kishim simbole ushtarake, beneficione të ushtrisë si gaz dhe armë. Dhe ‘Mrtvi’ kishte dokumente zyrtare që thoshin se ishte oficer. Nuk e di nëse ishte nën komandën e Armatës Jugosllave, por e di se e dërgova të paktën dhjetë herë në komandën e Armatës Jugosllave për konsultime”, tha Rashkoviq.


Miniq nuk u përball kurrë me akuzat penale, sepse vdiq nga SIDA në Argjentinë në vitin 2005. Ai besohet se kishte lidhje të ngushta me policinë serbe dhe zyrtarët e lartë.


Jeta pas masakrave


Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, që i dha fund luftës në Kosovë, Rashkoviq dhe familja e tij u arratisën për në Serbinë Qendrore. Ai pastaj u bë pjesë e disa bandave kriminale dhe pas luftës u dënua me 12 vjet burgim për plaçkitjen e një banke.


Në mbrojtje të tij, ai thotë se vetëm po përpiqej të “vidhte çfarë ishte vjedhur”, sepse banka që vodhi ishte pronë e Miroslav Miskoviqit, i cili është akuzuar se ka fituar në mënyrë të paligjshme 30 milionë euro nga kompani rrugësh të privatizuara.


Kur ishte në burg, Rashkoviq, organizoi disa kryengritje, më të madhen më 2006, kur qindra të burgosur qepën gojën në protestë për kushte më të mira burgu.


Ai u arratis nga burgu dy herë, dhe kur doli, u bë dëshmitar i mbrojtur në rastin e “Çakajve”.


Në fillim ishte planifikuar që Rashkoviq do të dëshmonte me emër të koduar për të fshehur identitetin e tij, por për herë të parë në historinë e gjykatave në Serbi, një dëshmitar i mbrojtur vendosi të dëshmojë publikisht që të “tregonte të vërtetën për tmerret në Kosovë”.


“Doja t’i shikoja të gjithë në sy. Kjo nuk u bë nga Serbia, por nga individë. Doja ta hiqja këtë brengë nga shpirti im. Doja që kjo të dëgjohej në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel. Nuk mendoj se është patriotike të heshtësh për këto krime, veçanërisht nëse djeg dhe vret fshatra të tërë. Është thjesht frikë”, tha Rashkoviq.


Gjatë gjykimit, ai pati kërcënime të hapura nga ish-shokët e luftës.


“Kam kuptuar se një kriminel është një kriminel. Nuk mund të justifikojmë veprimet tona duke thënë se “na bënë këtë neve, kështu që do të hakmerremi”, tha ai.


Sot, ai thotë se është efektivisht “pa shtet”, sepse nuk ka dokumente zyrtare identifikimi: ka dorëzuar një kërkesë për kartën e identitetit dy vjet më parë kur e fundit kishte skaduar, por autoritetet po refuzojnë t’ia japin.


“U ankova dhe kërkova ndihmë nga çdo institucion i mundshëm- policia, prokuroria, gjyqtari dhe avokati i popullit. Të gjithë thanë se do të më ndihmonin, por ende nuk kam kartën e identitetit”, tha Rashkoviq.


“Ndihem i manipuluar, ose më mirë, i inatosur sepse po i kërkoj vetë shtetit tim të më japë të drejtat e mia bazë njerëzore, ndërsa të gjithë “Çakajtë” tjerë po ecin nëpër Beograd të lirë”, tha ai.


Në të ardhmen, Rashkoviq tha se do donte të kthehej në Kosovë.


“Kam tokë aty. Nuk shita asgjë. Do të doja të kthehesha dhe të filloja një jetë të re. Kjo është arsyeja pse fola. Ka ardhur koha për një dialog të vërtetë, sepse nuk kam edhe 15 vjet të tjera për të pritur”.


“Dua të kthehem në shtëpi”, përfundoi ai.