Në vitin 2007, përpara recesionit të madh, njerëzve iu duhej të kërkonin për të gjetur një punë për gjashtë muaj me radhë – ky ishte përkufizimi i një papunësie afatgjatë e llogaritur në vetëm 0.8 për qind të forcës së punës. Recesioni e ka ndryshuar tërësisht këtë panoramë
Ekonomia amerikane po përjeton një krizë papunësie afatgjatë, e cila ka pasoja të mëdha njerëzore dhe ekonomike.
Në vitin 2007, përpara recesionit të madh, njerëzve iu duhej të kërkonin për të gjetur një punë për gjashtë muaj me radhë – ky ishte përkufizimi i një papunësie afatgjatë e llogaritur në vetëm 0.8 për qind të forcës së punës. Recesioni e ka ndryshuar tërësisht këtë panoramë. Në vitin 2012, papunësia afatgjatë llogaritej në 4.2 për qind të forcës së punës. Këto shifra rriten edhe më tej, nëse do të shtonim numrin e njerëzve të cilët heqin dorë nga të kërkuarit për një punë. Papunësia afatgjatë përjetohet në nivel të lartë nga grupet e të rinjve, të moshuarve, atyre më pak të arsimuarve, afrikano-amerikanëve dhe punëtorëve latinë. Ndërkaq, punonjësit më me përvojë kanë më pak gjasa që të pushohen nga puna krahasuar me punonjësit më të rinj dhe kanë pothuajse dyfishin e mundësive për t’u rimarrë në punë. Një tjetër fakt është se punonjësit më të moshuar janë ata që përbëjnë sasinë më të madhe të rritjes së të papunëve. Numri i njerëzve të papunë nga mosha 50 në moshën 65 është dyfishuar. Mundësitë për ripunësim të punonjësve të moshuar kanë rënë ndjeshëm sa më gjatë që ata janë të papunë. Një punonjës i moshës 50 deri 61 vjeç, i cili ka qenë i papunë për 17 muaj me radhë, ka vetëm 9 për qind mundësi për të gjetur një punë në tre muajt e ardhshëm. Një punonjës, i cili është 62 vjeç apo edhe më i moshuar, në të njëjtën situatë ka vetëm 6 për qind mundësi për të gjetur një vend të ri pune. Teksa papunësia pëson rritje në kohëzgjatje, këto mundësi punësimi të pakta shuhen për njerëzit. Rezultati paraqitet si një urgjencë kombëtare. Miliona punëtorë, të cilët janë mënjanuar nga forca e punës, mundësisht janë mënjanur edhe nga shoqëria. Nëse ata nuk përfshihen, kostot për këta njerëz dhe për shoqërinë do të jenë zymta. Papunësia konsiderohet gjithmonë si një ngjarje traumatike, veçanërisht kur bëhet fjalë për punëtorët e moshuar. Një studim i kryer nga Daniel Sullivan dhe Till von Wachter përllogarit një rritje prej 50 deri 100 për qind të koeficientit të vdekjeve te punëtorët meshkuj të moshuar menjëherë pasi ata janë pushuar nga puna, nëse gjatë gjithë jetës së tyre kanë qenë të punësuar. Koeficienti i lartë i vdekshmërisë tregon se një punëtor mashkull i papunë pritet të jetojë një vit, apo një vit e gjysmë më pak se një punëtor tjetër, i cili vazhdon të punojë.
Ekzistojnë arsye të ndryshme që lidhen me rritjen e vdekshmërisë. Një prej tyre është vetëvrasja. Një studim i fundit pasqyron se 10 për qind e rritjes së koeficientit të papunësisë (le të themi nga 8 për qind në 8.8 për qind) do të rriste koeficientin e vetëvrasjes te meshkujt me 1.47 për qind. Kjo duhet parë si një fakt shqetësues. Duke iu referuar një pasqyrimi të këtyre shifrave, rritja e papunësisë do të sillte një rritje prej 128 vetëvrasjeve në muaj në Shtetet e Bashkuara. Panorama e një papunësie afatgjatë paraqitet si shumë shqetësuese. Kohëzgjatja e papunësisë është forca mbizotëruese në lidhje me të papunët dhe rrezikun e vetëvrasjeve. Papunësia gjithashtu lidhet më disa prej sëmundjeve më serioze, megjithëse ende nuk i jepet rëndësia e duhur. Studimet tregojnë se ka lidhje të forta ndërmjet papunësisë dhe kancerit, duke llogaritur burrat e papunë, të cilët përballen me 25 për qind më shumë të rrezikshmërisë së vdekjes nga kjo sëmundje. Njëkohësisht rreziqe të larta janë evidentuar për sëmundjet e zemrës dhe problemet psikiatrike. Pasojat fizike dhe psikologjike që përçohen nga papunësia janë shumë domethënëse, sepse ndikojnë edhe tek anëtarët e familjes. Ekonomistët Kerwin Charls dhe Melvin Stephens kohët e fundit kanë pasqyruar një rritje prej 18 për qind të mundësisë së rritjes së divorceve pas humbjes së punës nga bashkëshorti dhe 13 për qind pas humbjes së punës nga bashkëshortja. Papunësia e prindërve gjithashtu reflekton në ndikimin që përjetohet nga fëmijët. Në të ardhmen fëmijët, prindërit e të cilëve kanë qenë të papunë kur ata kanë qenë të vegjël, kanë ndikuar në të ardhurat e tyre kur janë rritur, – rreth 9 për qind më pak e të ardhurave të tyre vjetore, krahasuar me fëmijët, baballarët e të cilëve kanë qenë gjithmonë të punësuar. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm lidhur me kostot njerëzore të cilat janë në rritje. Për shumë njerëz, identiteti i tyre përkthehet me punë. Duket qartë se asnjëra prej partive politike nuk ishte e përgatitur për t’u marrë me krizën e papunësisë afatgjatë. Pavarësisht tatëpjetave të ashpra, ende ekzistonte një shpresë e përgjithshme se ekonomia do të rimëkëmbet sërish, kjo lidhej edhe me efektet negative që ka pësuar ekonomia gjatë këtyre dekadave. Disa vende, të cilat ishin më tepër të njohura me fenomenin e papunësisë afatgjatë, theksojmë këtu Gjermaninë, ishin shumë më mirë të përgatitura për t’u marrë me zgjidhjen e efekteve të krizës. Qeveria gjermane miratoi fuqimisht masat e ripunësimit. Kjo nënkupton se, në vend që punëtorët e pushuar nga puna të përfitonin kompensimet si të papunë, qeveria gjermane i ndihmoi kompanitë të mbanin punëtorët, duke punuar me orë të reduktuara, duke u paguar në borderonë e tyre me paratë e kompensimeve si të papunë. Rezultati i kësaj politike të ndërmarrë është se koeficienti i papunësisë në Gjermani është më i ulët se niveli në fillim të rënies ekonomike, megjithëse niveli i rritjes ekonomike nuk konsiderohet të jetë më i madh se ai i ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera, programet trajnuese të qeverisë janë nga më të mirat. Disa njerëz sugjerojnë se të papunët mund të inkurajohen duke iu dhënë mundësi për të hapur bizneset e tyre, dhe sipërmarrja për disa prej të papunëve mbetet si mundësi e mirë. Megjithatë, duke qenë se shumica e bizneseve të reja dështojnë në këtë ekonomi në rënie, nuk do të ishte këshilla më e mirë për t’iu thënë punëtorëve të moshuar, të cilët janë pushuar nga puna që t’i përdorin kursimet e tyre për të nisur një biznes të ri. Duket qartë, se një ekonomi në rritje do të ndihmonte shumë prej tyre, megjithëse shumë prej atyre njerëzve, të cilët janë të papunë për një kohë të gjatë, e kanë shumë të vështirë të rigjejnë një punë tjetër për shumë arsye. Ka më tepër gjasa që të dekurajohen, apo të mos kenë më besim tek aftësitë e tyre dhe çfarë është më e keqja të shihen si rrezik për një të punësuar tjetër. Politikëbërësit duhet ta konsiderojnë këtë si emergjencë, dhe të hartojnë një politikë të re gjithëpërfshirëse për papunësinë, e cila u drejtohet nevojave të veçanta lidhur me papunësimin afatgjatë. Një paketë politikash, e cila në tërësinë e saj duhet të përfshijë si spektrin e majtë, ashtu edhe atë të djathtë, duhet të krijohet me qëllim zgjerimin e programeve publike dhe private të trajnimit me rezultate konkrete; zgjerimin e mundësive sipërmarrëse duke rritur aksesin për financimin e bizneseve të vegjël; reduktimi i pengesave qeveritare në hapjen e bizneseve të reja, dhe sugjerimi i kompensimeve për punëdhënësit privatë, të cilët marrin në punë punonjësit për një kohë të gjatë.
Përgatitur nga: Gerta SHAQE