Në shtator, 27 nga 40 spitalet e qytetit, do të monitorojnë përdorimin e qumështit artificial


Kryebashkiaku i New York, Michael Bloomberg, i impenjuar në një “kryqëzatë” të vërtetë për ta bërë sa më të shëndetshme jetën e banorëve të qytetit që drejton, ka gjetur një objektiv të ri. Pas betejës së nisur për ndalimin e duhanit në restorante, bare, parqe dhe plazhe, më pas me pijet hiperkalorike versioni maxi, Bloomberg ka vendosur të kujdeset për shëndetin e fëmijëve. Qytetari i parë i New York kërkon që nënat të rikthehen në ushqyerjen me gji, e që nga shtatori i ardhshëm pjesa më e madhe e spitaleve të qytetit do të marrë disa masa për të frenuar përdorimin e qumështit artificial. Sipas së përditshmes New York Post, kjo është iniciativa më kufizuese e marrë në vend. Vendimi përcakton që nga 3 shtatori, në 27 nga 40 spitalet e qytetit do të monitorohet numri i shisheve të qumështit artificial të blera dhe përdorura, që duhet të shoqërohen me motivimin e mjekut për çdo racion që i jepet të sapolindurit. Në një farë mënyre mjeku duhet të firmosë kërkesën, siç ndodh dhe për medikamentet e tjera për të cilat lëshohet recetë. Ideja e komplikimit të përdorimit të qumështit artificial është një mënyrë e mirë për të inkurajuar nënat e reja për përdorimin e metodës natyrale. “Ushqyerja me gji gjatë javëve të para të jetës së një fëmijë e ndihmon në zhvillimin e aparatit tretës dhe ka shumë aspekte të tjera pozitive; përveç kësaj ndihmon nënat të marrin veten më shpejt nga lindja”, thonë mjekët.


1 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)