Intervista
Bashkimi Europian ka qenë shumë kritik me Kryeministrin rumun, Victor Ponta, dhe drejtimin që po i bën ai vendit. Nën një intervistë për një revistë gjermane, ai flet në lidhje me marrëdhënien që ka me drejtësinë rumune, se si Europa e ka keqkuptuar dhe se si ëndrra e tij është lufta kundër atyre që shkelin të drejtat e njeriut.
Situata
Victor Ponta, 39 vjeç është dhe Kryeministri më i ri në moshë i një qeverie të vendeve anëtare të BE-së. Ai u zgjodh nga Parlamenti rumun në 7 maj si Kryeministër që drejton një koalicion leftist-nacionalist. Që nga momenti i ardhjes në pushtet ka miratuar një sërë dekretesh të cilat kanë krijuar përshtypjen, te shumëkush se ai po përpiqet që të monopolizojë pushtetin në vendin e tij. Bashkimi Europian është treguar shumë kritik dhe madje komisionerja europiane e drejtësisë, Viviane Reid, foli edhe për mundësinë e një “grushti shteti”. Ish- ministri i Jashtëm rumun, Andre Plesu, ka shkruar së fundi se vendi i tij është në prag të diktaturës.
Ponta vetë, një pedagog i së drejtës dhe ish-prokuror thotë ndërkohë në vijim të këtyre akuzave se “fjalë të tilla nga një koleg i tij kanë qenë për të shumë të vështira për t’u tretur”. Megjithatë, është e qartë se Kryeministri rumun e ka nënvleftësuar dukshëm reaksionin e europianëve ndaj mënyrës së tij të qeverisjes.
Në këtë intervistë, në të cilën ai pretendon se flet krejtësisht hapur, ndërkohë nuk ka pranuar që t’i përgjigjet pyetjes në lidhje me falsifikimin e doktoraturës.
Z. Kryeministër, në Europë të gjithë pyesin veten se cili jeni: një demokrat, një sundimtar autoritarist apo organizatori i një grushti shteti?
Qëkur në moshën 17-vjeçare dola në rrugë për të protestuar, duke mbajtur mbi shpinë një risk shumë të madh personal, unë kam qenë një demokrat pasionant. Kam drejtuar organizatën rinore të partisë sime gjatë negociatave për anëtarësimin e Rumanisë në BE në vitin 2007. Jam një europian i betuar dhe Europa e Bashkuar është e ardhmja e Rumanisë. Dhe kjo tregon edhe mënyrën me të cilën unë qeveris vendin si Kryeministër.
Komisioni Europian, ndërkohë e sheh këtë situatë, krejtësisht ndryshe. Ju së fundi ju është kërkuar që të shkoni në Bruksel dhe aty ju akuzuan publikisht për minim të demokracisë dhe shtetit ligjor. Presidenti i komisionit, Jose Manuel Barroso, tha se ju “keni tronditur besimin e Brukselit” dhe kërkoi që ju të rishikoni vendimet që keni marrë në 11 çështje të ndryshme. A u bëri ndonjë përshtypje kjo situatë?
Sigurisht që më bëri përshtypje. Më lëndoi dhe ishte një tronditje. Ka 12 vite që jam në politikë dhe i jam dedikuar gjithmonë Europës. Por nëse Europa ka dyshime të tilla për në vend anëtar, atëherë më duhet të pajtohem. Mënyra që përdori Barroso është më konstruktivja për t’i ndrequr sërish gjërat. Barroso ka të drejtë.
Si thatë? Ju e pranoni që…
Që duhet të kuptoj se nuk i kam shpjeguar gjithmonë siç duhet politikat e mia dhe se nuk kam mundur që të komunikoj mirë, aq sa duhet me Europën. Nuk e kam problem që të ndreq të gjitha perceptimet e gabuara dhe që të sqaroj të gjitha keqkuptimet që shkaktojnë shqetësim te partnerët europianë. Ja përse, pas kthimit nga Brukseli kam pranuar përgjegjësinë për të sqaruar të gjitha pikat e kritikave dhe do të ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm për të bindur partnerët europianë.
Mendoni se me të vërtetë bëhet fjalë për perceptime të gabuara dhe keqkuptime? Le të shohim disa nga çështjet. Ju, për shembull, në mënyrë të dukshme keni kufizuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Ky nuk ka qenë asnjëherë qëllimi im. Një dekret në lidhje me këtë sapo është anuluar me iniciativën time. Qeveria ime ka premtuar respekt për pavarësinë e gjyqësorit.
Bashkimi Europian ngulmon që ju të shfuqizoni dekretet emergjente që ju japin pushtetin e zhvleftësimit të ligjeve.
Edhe në lidhje me këtë çështje kam qenë shumë i qartë në lidhje me atë që ne do të veprojmë vetëm brenda kuadrit të Kushtetutës. Ne duam gjithashtu që të përmbushim kërkesën e Brukselit për krijimin e një ombusmani politikisht të pavarur për të monitoruar institucionet tona demokratike. Por ky është një vendim që duhet ta marrë Parlamenti. Unë nuk mund ta marr i vetëm një vendim të tillë.
Laureantja e çmimit “Nobel Heart Muler”, e cila ka lindur në Rumani i është bashkuar zërit të shumë artistëve të tjerë, të cilët ankohen për kufizimin e lirive artistike në vendin tuaj, pikërisht pas ardhjes në fuqi të qeverisë suaj. Ajo ankohet se Instituti i Kulturës Rumune është vënë aktualisht nën kontrollin e Senatit dhe është “politizuar” në favor të qeverisë.
Ju premtoj se nuk ka asnjë nevojë për t’u shqetësuar. Pavarësia kulturore është ende e garantuar siç është edhe liria e shtypit. Ju duhet që të shihni, ndërkohë edhe të gjitha gjërat negative që ka shkruar shtypi rumun për mua.
E megjithatë, iniciativa për të hetuar armikun tuaj politik, presidentin konservator, Trajan Basesku, vazhdon që të përgojohet. Referendumi kombëtar i organizuar me këtë rast është parashikuar për datën 29 korrik.
Ajo që nuk e kuptojnë njerëzit në Europë është se procedurat e hetimit nuk ishin një vendim i imi personal, por ishin pasojë e një rezolute parlamentare që erdhi si pasojë e mendimit të shumicës së parlamentarëve se presidenti i vendit, Basesku, e ka tejkaluar pushtetin e tij. Kushtetuta rumune e krijon mundësinë për një referendum të tillë. Por tani, sikundër kërkohet edhe nga Brukseli, do të përdoret një procedurë e mëparshme, pra referendumi do të quhet i vlefshëm vetëm kur të kenë marrë pjesë në votime gjysma e votuesve.
Po nëse nuk do të kapet kjo përqindje, por një pjesë e madhe do të votojnë për hetimin e Baseskut a mendoni se ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në pushtet?
Do të jetë ai që duhet të vendosë për të vazhduar, ose jo. Do t’i duhet që të pyesë veten se në një situatë të tillë cilin përfaqëson në atë post të lartë? Sigurisht, nuk përfaqëson shumicën e popullit. Por megjithatë, ua përsëris edhe njëherë: Unë do ta mbaj fjalën time dhe në një situatë të tillë.
Gjithçka që keni thënë deri më tani na lë të kuptohet se ju keni ndryshuar kurs 180 gradë dhe keni dëgjuar për gjithçka Brukselin?
Kjo nuk është përshtypja ime dhe ky nuk është stili im i të bërit politikë. Por jam i bindur se letra ime e detajuar drejtuar Presidentit të BE-së i ka sqaruar të gjitha problemet ekzistuese deri më tani.
Brukseli duket se ka tjetër mendim. Barroso u duk shumë skeptik edhe pasi kishte marrë letrën tuaj. Ai tha se do t’ju gjykonte nga veprimet, jo nga premtimet.
Dhe kështu duhet të bëjë, në fakt.
Ndërkohë, sipas një raporti të BE-së të sapopublikuar, Rumania ndodhet nën një vëzhgim të veçantë dhe BE është seriozisht e shqetësuar. Kjo nuk tingëllon aspak si një deklaratë besimi. Sikundër edhe Bullgaria, edhe Rumania vazhdon që të mbetet nën vëzhgim për shkak të moskryerjes siç duhet të reformës në drejtësi dhe korrupsionit që është në një shkallë shumë të lartë. Tashmë, Rumania trajtohet si një anëtare e “klasit të dytë” brenda BE-së.
Kjo nuk është një situatë e re. Dhe fakti se ky raport i BE-së që del një herë në gjashtë muaj është i tillë është për faj të Baseskut. Korrupsioni nuk ra aspak gjatë kohës së qëndrimit të tij në pushtet. Që nga momenti kur Rumania u bë pjesë e BE-së në vitin 2007, ne kemi rënë me 6 pikë në klasifikimin e “Transparency International”. Qeveria ime do të bëjë gjithçka që ka në mundësi që të luftojë korrupsionin. Dhe ne shpresojmë se do të jemi pjesë e zonës Shengen në vjeshtë të këtij viti.
Liderët e BE-së kanë marrë një vendim në lidhje me pranimin tuaj në zonën Shengen në varësi të përmbushjes nga ana juaj të premtimeve në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me demokracinë.
Nëse nuk do të pranoheshim do të ishte për të ardhur keq, por njëherazi do të ishte një humbje e madhe edhe për partnerët tanë, për të gjithë Europën.
Rumania po vuan nga kriza ekonomike. Monedha juaj kombëtare ka rënë ndjeshëm kundrejt dollarit dhe euros e megjithatë lufta juaj me Baseskun po ndikon edhe më keq në çështjet ekonomike. Paketa e kredisë prej 5 miliardë eurosh që ju e morët nga FMN është në rrezik.
Unë kam vetëm 11 javë që jam në postin e Kryeministrit dhe nuk mund të më fajësoni për krizën ekonomike në vend, plus që kredia që thoni është e sigurt.Rumaniado t’i përmbushë zotimet e saj financiare. Por sigurisht që jemi në mesin e një krize ekonomike ndaj të cilës duhet të luftojmë. Për të kaluar këtë krizë ne po mbështetemi shumë tek investitorët gjermanë.
Në sondazhet e opinionit publik para zgjedhjeve të nëntorit, partia juaj ishte në një pozicion shumë të mirë dhe ju vetë duket se do të keni një karrierë të gjatë në politikë.
Po.
A mund të jetonit edhe pa një post politik?
Edhe pse e dua shumë këtë profesion, gjithmonë ka jetë edhe përtej politikës.
Çfarë do të donit të kishit bërë, përveç politikës? T’i riktheheshit profesionit tuaj të juristit?
Nëse nuk do të merresha më me politikë do të më pëlqente që të isha prokuror, ndoshta në pozicionin që kam pasur më parë si kryeprokuror i çështjeve antikorrupsion. Do të më pëlqente të punoja edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe të praktikohesha kundër diktatorëve. Kjo do të kishte qenë mirë: të jetoja në një Europë të bashkuar dhe të merresha me krimet e këtyre politikanëve të tmerrshëm që kanë shkelur të drejtat e njeriut.