Një studim i fundit ka nxitur shqetësim mes ekspertëve të shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve, duke treguar se ekspozimi para moshës 2 vjeç ndaj telefonave, tabletëve apo televizorëve mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata për trurin.

Sipas studiuesve, vitet e para të jetës janë kritike për zhvillimin e aftësive sociale, gjuhësore dhe të përqendrimit – procese që ndodhin kryesisht përmes lojës dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me njerëzit. Kur fëmijët kalojnë shumë kohë para ekranit, zonat e trurit që lidhen me të folurin, fokusin dhe ndërveprimin shoqëror nuk arrijnë të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme.

Studimi zbulon se fëmijët që ekspozohen herët ndaj ekraneve janë deri në 8 herë më të rrezikuar për të pasur probleme me vëmendjen në moshë më të madhe. Ky ekspozim i hershëm krahasohet nga ekspertët me një “dëmtim zhvillimor” që ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të mësuar dhe për të krijuar marrëdhënie sociale.

Ekspertët theksojnë se truri i një foshnjeje duhet të stimulohet përmes lojës, eksplorimit, leximit dhe kohës ballë për ballë me prindërit. Këto aktivitete jo vetëm që përforcojnë zhvillimin kognitiv dhe emocional, por gjithashtu krijojnë bazat e forta për suksesin e ardhshëm në jetë.

Prandaj, prindërit këshillohen të vonohet sa më shumë kontakti i fëmijëve me ekranet dhe të zëvendësohet me aktivitete reale e interaktive. Vendimet që merren sot, sipas studiuesve, do të përcaktojnë jo vetëm shëndetin mendor, por edhe cilësinë e marrëdhënieve sociale të fëmijës në të ardhmen./TAR