Shoqëria jonë ka nevojë që të mësojë të vërtetat historike të së shkuarës, pasi; “pa të shkuar, nuk ka të ardhme”. Maliq Sadushi mjaft i njohur në rrethet ushtarake, shkroi me kurajo dhe besnikërisht me të vërtetat. Ai vinte nga fronti i luftës, fronti i ngritjes së Ushtrisë Popullore, fronti i dijes akademike dhe i drejtimit në nivelet më të larta të lidershipit ushtarak shqiptar. Ai njihej me Mehmet Shehun prej 40 vitesh dhe shkroi të vërtetat që njihte, duke e lënë të shkruar dhe dokumentuar si pasuri të historiografisë ushtarake, krijimtarinë e tij në fushën e historisë ushtarake.
Ish-ushtarakë madhorë por edhe rrethi shoqëror që e ka njohur gjeneral Maliq Sadushin, sikurse janë të dhëna që kanë shkruar e folur si: Arif Hasko, Gjergj Titani, Eqerem Osmënaj, Neim Muho, Xhemil Çela, Piro Rexhepi, Neshat Tozaj, Namik Shehu, dhe shumë të tjerë, për bashkohen në mendim se “Maliq Sadushi nga Vajza e Vlorës, burrë me karakter, mjaft i sinqertë në ato që më ka treguar për Mehmetin. Maliqi ishte ish-zv/ministri i parë i Mbrojtjes, pra zëvendësi i drejtpërdrejtë i Mehmet Shehut…”!
Nga ana tjetër Maliq Sadushi njihte mirë baballarët e historisë së njerëzimit, ata që vunë gurin e qoshes për historinë, si: Herodoti është “babai i historisë”, historiani i parë i vërtetë, por veçanërisht historianin e parë të luftës Tukididi, (460 p.K – 400 p.K). Horizonti i gjerë kulturor i krijoi mundësi Maliq Sadushit, të hidhte në letër mendimit e tij të qarta.
Ai e kapërceu “hallin”, nëse do të arrinte të realizonte këtë ndërmarrje të vështirë. Ndërkohë që gjeneral Xhorxh Patton, kishte lënë një mësim me vlerë: “që të jesh ushtarak i suksesshëm, ju duhet të dini historinë”, ndërsa filozofi George Santayana shkruante: “ata që nuk mësojnë nga historia, janë të dënuar ta përsërisin atë”.
Maliq Sadushi njihte mirë historianë nga antikiteti në kohën tonë, si: Tukiditi, Karl fon Klauzeviç, Henry Zhomini, Hans Delbrück, nga shqiptarët Barletin dhe Mehmet Shehun e, shumë të tjerë. Fakt është se Maliq Sadushi duke e ditur mirë se “historia e njerëzimit është histori e luftërave”, ja doli të shkruajë dhe publikojë: “Historiku i fshatit Vajzë” (1981), “Perlat Rexhepi” (2000), “Fshati ynë i mirë”, (2002), “Nga brigjet e Jonit në malet e Sanxhakut”, (2004), “Ata që nuk harrohen” (2005), “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime” (2008) si dhe dhjetëra shkrime në organet e shtypit ushtarak.
Librat e tij nuk janë një stoli bibliotekash, por mendim i thelluar, përvoja jetësore nga lufta partizane, jeta e fshatit Vajzë, dëshmorët, viktimat e luftës, shokët e luftës dhe të ushtrisë, ngritja e ushtrisë së re të popullit dhe për popullin, si dhe ka vendosur pikën mbi “i”, pa ju trembur syri për ish-regjimin, për vlerat ushtarake, për aftësitë dhe zotësitë ushtarake, për karakteret e fuqishme të shtetarëve që vunë jetën, gjakun, djersën në themelet e Shqipërisë së re.
Historia gjykatësi më i mirë
Maliq Sadushit guxoi të shkruante për ish-kryeministrin Mehmet Shehu, për të vërtetat e shekullit të shkuar, sikurse thotë ai; “siç e kam njohur”, për “komplotin” famëkeq të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, edhe pse tema më e preferuar e kujtimeve të tij, është Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Në 250 faqe të ndarë në pesë krerë, Maliq Sadushi sjell për lexuesin “Kohë të vështira”, “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, “Ngritja e shtetit të ri demokratik”, “Mehmet Shehu në optikën e udhëheqjes së LANÇ-it” dhe “Historia do ta thotë të vërtetën”.
Fakt është se i ndërgjegjshëm për misionin në jetë, Maliq Sadushi nuk qëndroi në hije dhe nuk anashkaloi të vërtetat e shekullit që shkoi. Prandaj dhe guxoi Maliq Sadushi të marrë penën dhe të shkruaj më 2008, “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime”. Ai është i qartë, i kthjellët, bindës në argumente. Ai shkroi në periudhën kur rrebeshi më i madh i shpifjeve dhe reaksionit kundër tij ishte si deti në dallgë me disa ballë.
Lexuesit ushtarakë dhe jo vetëm, e vlerësuan librin dhe padyshim njëri prej tyre ishte recezenti i librit Prof. Asoc. Dr Gjergj Titani, një ish-ushtarak madhor i dënuar politik, i cili shkruante: “…libër që i kushtohet një prej figurave më të shquara të Luftës, personalitetit kompleks të Mehmet Shehut, me përmasa operativo-strategjike si ushtarak, dhe e rendit atë në ballin e gjerdanit të artë të gjeneralit më të shquar të kombit shqiptar.
Libri është krijim i veçantë nga mënyra e të shkruarit, kronologjia e fakteve, vlera të padiskutueshme historike. Shkrimi për Mehmet Shehun është gjest qytetar, tepër i kulturuar dhe i guximshëm, arritje intelektuale…për prakticienin dhe teoricienin ushtarak shtat madhor e shkencëtar, me spektër të gjerë dijesh e njohurish të përmasave strategjike…! Libri është sinqeritet dhe kurajë tronditëse, për një figurë shumë interesante dhe tej mase të anatemuar qëllimisht e me keqdashje nga politika e propoganda e helmuar e kohës…”!
Në parathënie del gjithashtu se; “Eleminimi i Mehmet Shehut përbën kulmin e egërsisë komuniste, goditja e radhës në zinxhirin që nuk i dihej fundi”. Kryeministri ishte poliglot, zotëronte të rejat e shkencës pasi njihte shumë mirë anglishten, italishten, spanjishten, frëngjishten, rusishten, gjermanishten, serbo-kroatishten. Ai të linte të befasuar për njohjen e problemeve të ushtrisë, zbulimit, kundërzbulimit, radio-kundërzbulimit, spiunazhit politik, teknologjik, diplomatik etj.
Ndër të tjera Gjergj Titani shkruan për Ramiz Alinë, shprehjen e tij se; “Mehmet Shehu nuk kishte qenë kurrë armik e poli-agjent i Shqipërisë”…edhe pse ishte një kallzim i vonuar. Autori që është një gjeneral pa grada, vrente si bashkëpunëtori i tij më i afërt për “kulturën e gjerë, intuitën e jashtëzakonshme, profesionale, aftësi drejtuese brilante, pozitive, nxitëse, inkurajuese…”! E megjithatë historiografia e ka thënë dhe do vijojë ta thotë mendimin e saj, për kohën kur kryeministri drejtoi me dorë të hekurt Shqipërisë. Historia është gjykatësi më i mirë.
“Mehmet Shehu ‘bëri mirë’ që vrau veten”!… Historia do ta thotë të vërtetën
Përvoja e shtetit dhe e drejtuesve më të lartë ishte e njohur edhe për ekzekutimet, pasi analiza e autorit mbi ngjarjen dhe përfundimet që nxjerr, se; “bëri mirë që vrau veten”, pasi eliminoi hekurat, hetuesinë, gjyqin special, demaskimin, pushkatimin dhe në fund “varr i humbur”.
Fragmente libri të Maliq Sadushit: “…Një gjë e vërtetë është tek unë (që unë nuk dua ta besoj), që Enveri nuk e donte Mehmetin ose, e donte të tillë siç përfundoi…! Fundi i Mehmet Shehut nuk ka shumë lavdi, ishte një fund tragjik, që askush nuk mund ta merrte me mend. Por fundi i tij ka kurajo prej burri, prej luftëtari, prej shoku që kishte prerë në besë shokët dhe që u pre në besë nga shokët…!
Duke e thënë ndershmërisht, ne pranojmë edhe përgjegjësinë individuale, por edhe kolektive, për lejimin e situatave të tilla. “Nëse heqim paralele mes këtij fakti të 17.12.1981, me kohën e tanishme, do të kuptojmë të vërtetën e intrigave dhe kulisave kundër shtetit shqiptar dhe partisë…nga agjenturat e huaja, por ka edhe absurditete të tjera…pas vdekjes së Mehmet Shehut, le të bëjmë një kthim në të kaluarën!
Duhet pohojmë gjërat më të mira të kohëve të sotme dhe gjërat më të mira të kohës së kaluar, të bëjmë kombinimin mes tyre. “Jeta është shkollë” dhe gjithë bota është një klasë që mësojnë të gjithë! Vrasje apo vetëvrasje? Edhe shumë kohë pas eliminimit të Mehmet Shehut, njerëzit vazhdojnë të pyesin: Vrau veten apo e vranë?!
Ja ajo që di unë dhe që kam besim se i afrohet së vërtetës. Ajo është enigma e ditë-natës së Mehmet Shehut, por edhe tragjedisë së tmerrshme që ndodhi tek ne, si u bënë udhëheqësit armiq, kur patën treguar me veprimet e tyre në çdo rast, se ata qenë njerëzit më besnikë të pushtetit popullor, të popullit…?!
Si u bë e mundur, si nuk menduan të gjithë shokët në Byro, Plenum, që e dënuan aq rëndë Kryeministrin më të zotë që kishte nxjerrë Shqipëria? Çdo gjë që u fol kundra Mehmet Shehut, ishin sajesa e shpifje të ndyra. E vërteta absolute është së Mehmet Shehu ishte komunist. Veprat e mira atij ia përvetësuan dhe dështimet ia faturuan vetëm atij! Por gjithnjë pas vdekjes së tij.
Megjithatë unë mendoj se historia do ta thotë të vërtetën dhe emri, dinjiteti dhe lavdia e Mehmet Shehut, do të vihet në vendin që i takon. Mehmet Shehu ishte i vetmi që zbërthente idetë e Enver Hoxhës në çdo fushë dhe ishte ushtar besnik i Partisë! Enver Hoxha vazhdimisht fliste me vlerësime dhe tone të forta, kërkonte se duhej të mësonim nga metoda e Mehmet Shehut.
Enveri na porosiste se; “Partia ka dërguar në ushtri shokun Mehmet Shehu, që është Kryeministër, e kemi shokun tonë të shquar, si i tillë edhe ushtarak me profesion e aftësi të rralla, ai po kontribuon shumë në forcimin e ushtrisë, që është garante e mbrojtjes së Atdheut, ndaj përfitoni sa më shumë sa ta keni atje”.
Enveri nuk fliste në hava. Ai e kishte bindje këtë vlerësim që bënte për figurën dhe kontributin e krahut të tij të djathtë, për 40 vjet me radhë. Maliq Sadushi flet për Mehmetin; “si përkrahës i vendosur i Enverit, dhe e thënë troç, krahu i djathtë i tij jo vetëm në qeverisjen e vendit por dhe në parti, tregoi vendosmëri, guxim e qartësi në .. mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë…disa shfryjnë dufe të së kaluarës…!
Me vendosmëri në libër ka një devizë; “…të flasim drejtë dhe vetëm të vërtetën, ndërkohë që lufta e klasave armiqësoi popullin me vetë shtetin, si dhe ku evidentohen edhe të metat e sistemit, lufta e klasave, diktatura e proletariatit, izolimi i vendit, lufta kundër pronës private, reforma në bujqësi…!(f.113).
Mendimi i tij është se; “asnjë prej kryetarëve nuk bën as 10% të punës, që bënte dikur ‘diktatori’ dhe i tmerrshmi Mehmet Shehu”. Mund të them me bindjen time të plotë, me ndjenjat e një ushtaraku. se Mehmet Shehu mbetet fortifikatori më i madh i të gjitha kohërave në Shqipëri.
Dëshmitar janë Mendu Backa, Alfred Moisiu, Josif Zegali, ndërsa zbatues direkt të planeve të Mehmet Shehut, kanë qenë: Veli Llakaj, Nazar Berberi, Llambi Gegprifti, Sulejman Domi, Kiço Mustaqi, Qamil Poda, Myfit Bardhi, Xhenet Muçaj, Simon Ballabani, Neim Muho, Novruz Dervishi, Sotir Budina, Ramiz Feçori etj. Fakt është se analizat e kryeministrit dhe përfundimet rreth tyre kanë qenë të sakta”.
Vlerësime për Mehmet Shehun kishte bërë dhe Stalini në vitin 1947, që në bisedë e sipër i thotë Enverit: “Kam informacion nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, se ju kini në krye shefin e Shtatmadhorisë Gjeneral Shehun, që është një strateg i madh ushtarak”.
Nga ana tjetër Mehmetin ishte vendimtar në hartimin e “Kodi taktik ushtarak””, i referatit; “Mbi tezat e luftës popullore dhe Artin Ushtarak Popullor”, më 1967 dolën teza të Këshillit të Mbrojtjes, si dhe kur u hartua rregullorja e këmbësorisë, “ushtar, skuadër, togë, kompani! Ai shkroi 39 faqe me shkrim dore për grupin e punës, të cilët e futën në rregullore, pa mundur t’i bënin asnjë ndryshim…”!
Populli i do dhe i mbështet qeveritarët e ndershëm, të aftë në detyrë të kujdo qofshin ata, kur mendojnë për problemet e popullit. Mehmet Shehu është edhe planizuesi i çlirimit të Kosovës, me një forcë prej 60 mijë deri në 70.000 forca, sikurse bëri Divizioni V-të Sulmues kur çliroi Kosovën gjatë LANÇ-it… kur përfundoi plani i çlirimit të Kosovës, Mehmet Shehu tha: “Ky plan do t’ju duhet për të ardhmen…! Kosova do të çlirohet…!”
Revolucioni është gjë e vështirë. Ishin vite shumë të vështira, mbajti mbi vete shumë detyra të rënda e të vështira sa që vitet e fundit pesha e këtyre punëve, sëmundja e gjatë, bëri që të lëkundet, u bë dyshues dhe nën këshillat e këqija që i bëheshin dhe informatat e rreme që vinin nga dikush, arriti deri aty sa që gabimi më i vogël të shërbente si pretekst për të ngritur një Alibi të madhe!
Sigurisht që pa firmën e tij nuk bëhej gjë, por duke pasur rreth tij njerëz të paqëndrueshëm, patjetër që gabimet e mangësitë do të trasheshin e, s’mund të ishte ndryshe. Kështu depërtuan armiqtë në udhëheqje, deri në organet e shërbimet e hetimit, survejimit, ndjekjes e ndëshkimit! Kishte defekte për arsye të mjeteve të asaj kohe; Partia asnjëherë nuk ka ushtruar një kontroll të mjaftueshëm mbi shërbimin e Sigurimit të Shtetit. Jo se nuk donte, nuk ishte në gjendje dhe nuk kishte as përvojën, as përgatitjen dhe as mundësinë!
Natyrisht, ne jetuam e punuam në kushtet e partisë-shtet. Tek ne ishte në pushtet një parti e vetme, ajo fliste dhe asaj duhej t’i bindeshe, ajo tregonte rrugën që duhej ndjekur dhe ishte e palejueshme të shkoje kundër Partisë. Partia ishte forcë e madhe, por duhej administruar me kujdes.
Megjithatë edhe ajo bën gabime! Sigurisht shumë e kanë pësuar! Kemi kaluar periudha të vështira, por mendoj se ato që do të vijnë do të jenë edhe më të vështira!…”, një realitet i prekshëm për shumë breza.
Të vërtetat historike nuk mund t’i fshihen historisë, edhe kur kryeministri vdes heroikisht për të mos u bërë armik i popullit, u shkatërrua shtëpia muze në Çorrush, muze i krahinës së Mallakastrës. Neshat Tozaj shef i Labratorit Qendror të Kriminalistikës, në librin “Pse flas”, flet edhe për eshtrat e Mehmet Shehut, për “ndërrim banese dhe vendosje eshtrash buzë Erzenit, poshtë Ndroqit”.
Mehmeti u varros dhe zhvarros tre herë. Prandaj edhe nderohet dhe do të nderohet gjithmonë zotësia, aftësia, mençuria…sepse sikurse thotë maksima proverbiale e popullit tonë; “e drejta zhytet por nuk mbytet”, një maksimë e provuar dhe vërtetuar nga koha.
Jeta e gjeneral Maliq Sadushit, autorit të librit, “Mehmet Shehu, siç e kam njohur”
Gjeneral Maliq Sadushi ishte lindur më 2.2.1928, në Vajzë të Vlorës. Ai rrjedh nga një familje me tradita patriotike, si nga babai dhe nga nëna. Babai i tij dhe gjyshi nga nëna, kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Në moshën 2 vjeç e lë nëna dhe në moshën 4 vjeç, e lë edhe babai dhe u rrit jetim, me gjithë vështirësitë e mëdha, kreu shkollën fillore në Vajzë. Më 1939 detyrohet të fillojë punë për të përballuar jetesën.
Në vitin 1942 organizohet me grupin e të rinjve komunistë të krahinës së Kudhësit. Rreshtohet partizan në çetën e Vajzës në moshën 16 vjeç, më pas në batalionin “Ismail Qemali”; në nëntor 1943, rreshtohet në Brigadës së V-të Sulmuese dhe në dhjetor 1943, pranohet anëtar i PKSH-së.
Maliqi i rreshtuar në radhët e Brigadës së V-të Sulmuese, e ndoqi armikun deri përtej kufijve shtetërorë, deri në Sanxhak të ish-Jugosllavisë, duke kontribuar për çlirimin e popujve jugosllavë. Pas çlirimit të vendit rreshtohet në Forcat e Ndjekjes, deri në 5 dhjetor 1945. Më pas caktohet shef i seksionit të Sigurimit të Ushtrisë, pranë Komandës së Përgjithshme.
Pas një kursi një vjeçar, caktohet komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Pastaj kryen kursin për filozofi dhe ekonomi politike, prej vitit 1955-1956; nga viti 1958-1961, kryen Studimet e Larta në Moskë në “Akademinë Ushtarake “Mikhail Frunxe”.
Në korrik 1962, emërohet komandant i Brigadës Këmbsorisë së Laçit, e më pas Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Kukës. Prej 1968-1969, kryen Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në kursin e Shtatmadhorëve, në Akademinë “Mehmet Shehu” në Tiranë.
Prej 1969-1973, caktohet shef shtabi Korpusi. Prej vitit 1973-1974, caktohet pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Nga viti 1974 që ishte viti i “fshesës së hekurt”, deri më 1982, ka kryer detyrën e Zv. Ministrit të Mbrojtjes dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në tetor 1982 shkarkohet nga të gjitha detyrat shtetërore dhe nxirret në lirim, për dyshime si pjesëtar i “Komplotit” të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Ai është vlerësuar me 13 urdhra, dekorata e medalje, për merita lufte e shërbimi ndaj Atdheut. Shkroi libra me vlerë për LANÇ-in dhe jo vetëm, deri sa është shuar në vitin 2010.