I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” këtë javë ka qenë Dr. Eugen Dautllari, okulist-kirurg. Mjek prej më shumë se 15 vite, i specializuar në kirurgjinë e syrit dhe në okulistikë. Së bashku me Ilvi Begollin ata kanë diskutuar gjithçka në lidhje me shëndetin e syrit, si ndikon teknologjia dhe si duhet të kujdesemi ne për gjithçka.

Kur është e përshtatshme për fëmijët që të vijnë dhe të bëjnë vizitën e parë tek okulisti?

Siç bëhen vizitat aktualisht me programet shtetërore, në klasë e parë pra kur fillon shkolla. Kjo ka nevojën e vet si program sepse fëmijët duhet të korrigjohen që të shohin mirë dhe të mos lodhen duke lexuar, por ka edhe disa disfavore sepse fëmijët që kanë devijime të syrit dhe diferenca në numrin e syrit zhvillojnë shtrembërimet të syrit ose siç e njeh populli me termin strabizëm ose syrin dembel. Do të ishte shumë mirë sikur këto vizita të bëheshin rreth moshës tre ose katër vjeç dhe jo në moshën gjashtë vjeç. 

Mjeku shpjegoi gjithashtu se:

Kjo është thjesht për të shmangur personat që kanë devijime të syrit dhe moszhvillim të syrit pasi ai mund edhe të stimulohet me syze ose me mbyllje të syrit dominant ose syrit të mirë. Duke vënë syzet me numrin më të madh që del pas zgjerimit të bebes me pika. Kjo nxjerr në pah numrin e fshehur që ka syri që përdor për afër dhe për larg, si dhe për fokus. Detyrimisht ky lloj numri që del “dënon” syrin e mirë dhe zhvillon syrin e dobët. Pra vënia e syzeve do të ishte mirë që të mos ndodhte në klasën e parë, por në moshën tre ose katër vjeç.