Leukocite janë qeliza të bardha të gjakut me një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet. Ato prodhohen në palcën e eshtrave dhe marrin pjesë në përgjigjen imune të trupit ndaj sulmit të mikroorganizmave patogjenë. Ka disa lloje leukocitesh, kryesoret janë granulocitet, limfocitet dhe monocitet. Çdo lloj ka funksionin e tij specifik dhe të gjithë kanë fuqinë për të zbuluar dhe shkatërruar mikroorganizmat, viruset, bakteret ose substanca të tjera toksike të rrezikshme. Gjithashtu, ato mund të prodhojnë antitrupa që kanë rolin e neutralizimit të efektit të agjentëve patogjenë.

Vlerat normale të leukociteve në gjak janë nga 3,9 në 10×109/l. Kur analizat tregojnë se leukocitet janë zmadhuar, kjo zakonisht tregon një infeksion. Megjithatë, ky ndryshim mund të jetë edhe tregues i sëmundjeve më të rënda, siç janë sëmundjet malinje të gjakut. Rënia e leukociteve mund të jetë pasojë e infeksioneve virale apo të tjera, stresit, përdorimit të disa barnave, si dhe efekt anësor i kimioterapisë. Nivelet e rritura të leukociteve shpesh tregojnë për një proces inflamator në organizëm ose për infeksion, por mund të lidhen edhe me sëmundje të tjera.

Kur ndodh inflamacion, trupi prodhon më shumë leukocite si pjesë e mbrojtjes imunitare. Leukocitet e larta mund të tregojnë për probleme akute me rrugët e frymëmarrjes, infeksione të zorrëve ose infeksione të tjera, disa sëmundje autoimune, sëmundje malinje (p.sh. kancer, përfshirë leukeminë). Nëse keni leukocite të rritura, është e domosdoshme të konsultoheni me mjekun, për të përcaktuar nëse duhet përsëritur analizat ose kryer metoda të tjera diagnostike.

Tek fëmijët, leukocitet shpesh rriten ndjeshëm gjatë infeksioneve bakteriale ose virale. Një situatë e ngjashme ndodh edhe tek fëmijët me prirje për alergji apo me sëmundje autoimune. Gjatë shtatzënisë, leukocitet e rritura mund të kenë shkaqe të ndryshme: infeksione, stres, ndryshime hormonale. Në fazat e vona të shtatzënisë, nivelet e larta mund të jenë një dukuri normale.

Megjithatë, ato nuk duhen neglizhuar, sepse mund të sinjalizojnë jo vetëm infeksione, por edhe probleme më serioze shëndetësore, që mund të shkaktojnë komplikime si preeklampsoa ose infeksione të mitrës. Edhe niveli i ulët i leukociteve (i njohur si leukopeni) mund të tregojë për probleme shëndetësore serioze. Rënia e leukociteve mund të ndodhë për arsye të ndryshme prodhim i ulur i tyre në palcën e kockës, shkatërrim i shtuar i leukociteve në gjak, ndryshime në prodhimin e leukociteve në shpretkë.