Dëshira për t’i kthyer kusurin apo për t’u hakmarrë ndaj dikujt nuk paguhet kurrë dhe sado autentike të jetë, falja çliron trurin dhe mban nën tutelë shëndetin tonë
Nuk është detyrim, por një mundësi
Të gjithë, herët ose vonë jemi vënë përballë situatave që na është dashur të falim dikë për një të keqe që na ka bërë, ose që na ka hyrë në hak. Por duke përjashtuar një pjesë prej nesh, që me pak përpjekje arrijnë ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të thjeshtë, shumë të tjerë e kanë tepër të vështirë t’i dalin në krye problemit: ka nga ata që thonë me gojë se kanë falur, por në fakt po bëjnë shumë punë me veten për t’ia arritur vërtet, duke qenë se me kalimin e kohës është grumbulluar inat dhe mëri; ka të tjerë që thonë me siguri se nuk do ta falin kurrë personin që i ka lënduar, ndërkohë që brenda vetes luten të vijë edhe një herë momenti për t’u përballur me personin tjetër; ka të tjerë akoma që duan të hedhin gjithçka pas krahëve, por nuk munden. Megjithatë, diçka është e qartë: të falësh nuk është detyrë. Vetë kuptimi i fjalës të jep idenë e dhuratës dhe një dhuratë është spontane dhe falas.
Dilemat
Hapi i parë për të dalë nga kjo situatë e sikletshme është gjetja e një zgjidhjeje që ju bën të ndiheni mirë. Duke përjashtuar disa raste, kush është në dilemë të falë apo jo, sidomos nëse e ka shumë për zemër personin që e ka lënduar, me kalimin e kohës fillon të shprehë një dashakeqësi që rrezikon t’i helmojë ekzistencën, a thua se mendja i është mbushur me “helm” dhe e ndalon të ketë një vizion të qartë për personin tjetër dhe veten. Kështu si pa e kuptuar, i lënduari zhytet në një gjendje të pakëndshme ku energjitë psikike punojnë keq dhe krijohen mendime negative që pushtojnë edhe fusha të tjera të të arsyetuarit. Kjo është arsyeja që ndonjëherë personi vihet me shpatulla pas murit, sepse nuk di çfarë të bëjë: ta falë ose jo atë që e ka lënduar, t’i japi fund njëherë e përgjithmonë marrëdhënies, të shfryjë të gjithë dufin e inatin për gjëra që s’kanë lidhje me tjetrin apo ta ndëshkojë edhe përtej kufirit. Prandaj, përtej aspekteve emocionale dhe morale, që janë ato më intimet dhe unike, të arrish të falësh dikë do të thotë të mbrosh dhe të kujdesesh për shëndetin tënd. Ky është një akt dashurie për cilësinë e jetës, që nuk liron vetëm tjetrin nga “dënimi”, apo nga embargoja emocionale, por edhe veten nga një mërzitje e brendshme që rrezikon ekzistencën tonë.
Si bëhet dhimbja e vazhdueshme
Kur mendoni vazhdimisht për atë që ju kanë bërë dhe krahas kësaj lidhni dhimbjen dhe vuajtjen; kur bëni një falje të rreme për të dhënë një imazh pozitiv apo përsosmërie.
Cilat janë rreziqet e faljes së rreme?
Kur bllokohet spontaniteti në marrëdhënie, gjë që më me kalimin e kohës sjell grumbullim të inatit dhe mërisë; kur nuk ka pastërti dhe mungon kthjelltësia e mendjes atëherë gjërat shihen në mënyrën e gabuar, e si pasojë mund të gabohet dyfish. Në vazhdim dhimbja bëhet fizike dhe mendore.
Ç’duhet bërë për të kapërcyer krizën?
Mos e detyroni veten të bëni gjëra të sforcuara. Arsyetimi mund t’ju ndihmojë ta analizoni me kujdes situatën, por jo të vendosni nëse duhet apo jo të falni. Asgjë nuk bëhet me detyrim. Mos kërkoni zgjidhje të menjëhershme, sepse në të kundërt, të do të jetë një falje e rreme. Duhet të prisni momentin e duhur. Pavarësisht se gjesti është “falas” dhe jo racional, falja vjen atëherë kur nuk e pret. Në qoftë se pas një farë kohe, ndieni ndonjë impuls emocional, mos e ndaloni, por lëreni të veprojë.
Shfrytëzoni situatën
Nëse dhimbja e ndjerë nuk është e madhe, atëherë duhet ta falni tjetrin për të qetësuar atë dhe veten. Falja do t’ju ndihmojë të rigjeni gëzimin e humbur. Bëni mirë ta ndani dhimbjen nga inati që ndjeni, sepse situata mund të jetë e ngatërruar për shkak të asaj që ju ka ndodhur. Duke e parë dhimbjen në sy e duke e ndarë nga ajo që ju ka ndodhur, do të mund të zgjidhni lëmshin e ngatërruar dhe të ndjeni paqen e munguar prej shumë kohësh.