Një ekip shkencëtarësh nga Lawrence Berkeley National Laboratory dhe Universiteti i Kalifornisë, Berkeley ka zhvilluar një metodë krejtësisht të re për ftohjen e hapësirave dhe materialeve, e quajtur “cikli jonokalorik” (ionocaloric cycle), një teknologji që mund të revolucionarizojë sistemet e sotme të ftohjes.

Sipas raportimit të portalit shkencor ScienceAlert, ky zbulim përfaqëson një hap të madh drejt ftohjes së qëndrueshme dhe pa lëndë ndotëse, duke shmangur përdorimin e gazeve të dëmshme si hidrofluorokarbonet (HFC) që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Në vend të gazrave ftohës, sistemi i ri përdor kripëra dhe një solvent organik që ndryshon gjendje nga e ngurta në të lëngshme nën ndikimin e një tensioni elektrik shumë të ulët, më pak se 1 volt. Ky proces shkakton ulje të temperaturës deri në 25°C, pa nevojën e kompresorëve apo kimikateve të rrezikshme.

“Rezultatet tregojnë se mund të kemi një mënyrë të re, të pastër dhe efikase për ftohjen e ambienteve apo ushqimeve, duke reduktuar ndjeshëm ndikimin në klimë,” – thuhet në publikimin shkencor.

Solventi që përdoret në eksperiment, sipas studiuesve, mund të prodhohet nga dioksidi i karbonit, duke e bërë procesin potencialisht neutral ose madje “negativ” për emetimet e CO₂.

Aktualisht, ekipi i Berkeley Lab po punon për të përmirësuar përbërjet kimike dhe për të ndërtuar pajisje praktike, që në të ardhmen kjo teknologji të mund të përdoret në frigoriferë, kondicionerë dhe pajisje industriale.

Nëse zhvillimi ecën sipas planeve, “cikli jonokalorik” mund të jetë një nga zgjidhjet kryesore për të zëvendësuar sistemet e ftohjes që ndikojnë më shumë në ndryshimet klimatike.