Jeta ime është një film i shkruar, por fundin e di vetëm unë
“Po, jam e re por kam pasur një jetë të gjatë”. Fjalët e Lana Del Rey-t kanë muzikën dhe fuqinë e videoklipeve të saj, të bëra me kolazhe pamjesh të vjetra dhe të rralla si ato të xhirimeve amatore të viteve ‘70. Të zbehtë, por jashtëzakonisht joshës. Sot të gjithë flasin për të, madje është cilësuar si artistja e vitit, ylli i ri i vërtetë në muzikën pop. Lana është nga ato këngëtare të afirmuara tashmë në botën e muzikës. Nuk ka lidhje me amatoret ose me krahasimin dashakeqës të koleges Juliette Lewis, këngëtare rok dhe aktore (vajza e keqe e “Natural Bork killers“) e cila e ka cilësuar kështu: “Duket si një vajzë 12-vjeçare që sforcohet për të kënduar në dhomën e saj”. “Jo, – replikon Del Rey, isha vetëm një kompozitore e mirë me zë të rrallë, që nuk kishte shumë përvojë ‘live’”.
Më shumë se 3 milionë kopje të shitura nga albumi “Born to die” (i ripublikuar këto ditë në një version të ri me tetë këngë të padëgjuara), ajo që vlen për të matur popullaritetin e Lana-s janë ofertat nga markat e mëdha për të qenë imazhi i veshjeve të tyre. Nga “H&M”, te “Jaguar”, “Mulberry”, etj.
Në fakt, ka nga ata që nuk e çmojnë shumë, madje u duket më tepër si kukull prej plastike që i hyn më shumë në punë marketingut sesa artit. “Kategoritë e vërtetë–e rreme që i vendosen një artisti janë të pafundme. Gjithmonë, përveç personit, ekziston edhe personazhi, për shembull David Bowie është bërë Ziggy Stardust, Stephanie Germanotta është transformuar në Lady Gaga. Për të më mundur, ose për të më vënë për poshtë shkruaj lloj-lloj gjërash, që jam një kukull prej silikoni, që kam gjoksin, buzët, vithet. E vërteta është se nuk i jam drejtuar kurrë një kirurgu. Nuk është faji im që publikun nuk e tërheqin vajzat e bukura. Duhet të jesh medoemos e shëmtuar që të tjerët të mendojnë se ke zë”.
Lana është një këngëtare e çuditshme. Për të, asgjë nuk është tabu, madje as kënga e fundit e titulluar “Cola” që ka çoroditur publikun. “Vagina ime ka shijen e ‘Pepsi’-t”, këndon Lana pa iu dridhur qerpiku. “Të jeni të bindur që nuk i bëj askujt reklamë. Këto janë fjalët që thotë i dashuri im. Është skocez, por jo me klas (i dashuri i saj quhet Barrie James O’Neill dhe është lideri i një grupi roku të quajtur “Kassidy”)”.
Lana-s i pëlqejnë këta lloj meshkujsh dhe kjo dëshirë e ka karakterizuar prej kohësh. “Kur isha 18 vjeçe, jetoja në Bruklin dhe jam njohur me motoçiklistët më të bukur të botës: djem të veshur me xhinse, xhupa meshini, çizme lëkure, të mbushur plot tatuazhe… Burra të krisur, pa të nesërme. I takoja rrugës dhe u kërkoja të më bënin xhiro me motor. U thosha se nuk kisha asnjë destinacion, por do të ndaloja kur të mbaronte benzina”.
Jeta tjetër e zonjushës Del Rey kur ishte 18 vjeçe lë shumë për të dëshiruar: Lana ka qenë një vajzë e alkoolizuar. “Ana e errët e së kaluarës sime pasqyrohet edhe te këngët. E tashmja është flluskë e madhe që lëviz në hapësirë. Nuk jam një vajzë e torturuar, sepse torturat i kam kapërcyer me kohë. Para se të bëhesha Lana Del Rey isha Elizabeth Grant (emri i saj i vërtetë), një adhuruese e muzikës xhaz, që s’kishte asnjë shans për t’u bërë e suksesshme. Vrava atë personazh për të rilindur me një identitet të ri”.
Nga Elizabeth Grant kanë mbetur vetën disa fotografi e pamje të regjistruara me kamerë amatore. “Kujtimet e mia janë videoklipet. Marr gjithçka që më ka ndodhur në jetë pasi mbusha 7 vjeçe. Pamjet që shihen nëpër videot e këngëve të mia vijnë nga arkivi personal. Jam e fiksuar pas atyre xhirimeve. Përmes atyre pamjeve rishoh të kaluarën dhe imagjinoj të ardhmen, gjithnjë nën formën e kripit. Në njëfarë mënyre më duket sikur filmi i jetës sime është shkruar më parë, por që fundin e di vetëm unë dhe ju siguroj se do të jetë shumë i bukur”.
Lana Del Rey
Ka lindur në Nju Jork, në 21 qershor të vitit 1986. Albumi i saj i fundit është “Born to die“