Lemza shpesh konsiderohet si diçka qesharake dhe jo serioze. Nga ana tjetër, ka nga ata që shprehen se lemza gati i ka shkatërruar mënyrën e jetesës. Ja rasti i një 72-vjeçari që shërohet prej një metode shumë të veçantë



Ben Lamberton, një ish-mësues, zbuloi se vuante nga lemza kronike dhe i kaloi 10 ditët e kësaj “sëmundjeje” duke pësuar një të tillë çdo 15 sekonda. Ai shprehet se jeta iu bë shumë e vështirë dhe se njerëzit nuk e merrnin seriozisht. “Një ditë vjeshte më filloi lemza dhe s’më pushoi më”, shprehet ai. Ish-mësuesi 72-vjeçar punon në Londër si një ciceron për turistët. Duket se tradita e zakonshme e të pirit ujë apo e të mbajturit frymën nuk funksionoi për të. Ai shprehet se ishte shumë i lodhur dhe se lemza nuk e linte të flinte. Ben i ndaloi guidat e tij turistike dhe u zhvendos në një dhomë të veçuar që të mos shqetësonte të shoqen. “Funksionet e mia njerëzore ndaluan, shprehet ai, për 10 ditë nuk isha më njeriu që kisha qenë.” Ana pozitive e lemzës së tij ishte se ai dukej shumë qesharak për të tjerët dhe u bë shumë i pëlqyer nga miqtë dhe të njohurit e tij. “Askush nuk më merrte seriozisht, thotë 72-vjeçari, lemza ime i bënte për të qeshur të gjithë, edhe pse ata mundoheshin ta ruanin seriozitetin.” Kur ish-mësuesi Ben Lamberton iu drejtua mjekëve, ata u shprehën se nuk kishin ndonjë kurë mjekësore për t’i dhënë dhe se kjo “sëmundje” e tij nuk ishte me rëndësi mjekësore. Lemza është kontraktimi i pavullnetshëm i muskulit të diafragmës që sjell daljen e një sasie ajri dhe në të njëjtën kohë mbylljen e epiglotës (hapësira e laringut që kufizohet nga kordat e zërit dhe indi kërcor i aritenoideve). Kur marrim frymë, diafragma kontraktohet, duke hapur kafazin e kraharorit dhe duke ndihmuar mushkëritë që të zgjerohen. Nervat që kontrollojnë kontraktimet e diafragmës janë nervat frenik (kompleks i nervave periferikë të palcës së kurrizit), që niset nga zona e qafës dhe përfundon në diafragmë. Nëse këta nerva irritohen në një pikë çfarëdo përgjatë rrugës mund të sjellin lemzë. Kontraktimet mund të shkaktohen nga acidi i stomakut që mbetet në fyt pas ngrënies apo pirjes shumë shpejt dhe në sasi shumë të mëdha. Lemza mund të shkaktohet edhe nga një operacion kirurgjikal në kolonë, prostatë, tëmth ose në stomak, kryesisht në pacientët mbi 45 vjeç. Lemzat me kohë të shkurtër mund të kurohen duke mbajtur frymën ose duke marrë frymë brenda një çante kartoni, gjë që ngre sasinë e dyoksidit të karbonit në gjak dhe ul sasinë e oksigjenit. Nuk dihet me siguri se çfarë e shkakton lemzën, mund të jetë irritimi i nervave ose ndoshta edhe infeksion i trurit. Gjithçka që dihet nga mjekët është se lemza krijohet nga një lloj nervi që kontrollon diafragmën. Një metodë tjetër për largimin e lemzës është stimulimi i nervit endacak, i cili përshkon qendrën e trurit, vazhdon deri te qafa, kraharori dhe barku. Ky nerv mund të stimulohet duke gëlltitur copëza akulli, të cilët ulin vrullin e refleksit të nervit duke provokuar kështu një goditje të shkurtër në sistemin tonë trupor. Lemza kronike është një dukuri aq e rrallë, sa shumë mjekë nuk kanë pasur kurrë pacientë të tillë. Kjo është arsyeja se përse kur disa persona me lemzë kronike u drejtohen doktorëve, këta nuk kanë një specifikim të saktë për sëmundjen e tyre dhe për mënyrën e kurimit. Specialistët shprehen se nëse dikush pëson lemzën për më shumë se 24 orë, ai duhet t’i drejtohet një mjeku, e nëse ky i fundit nuk e ka të qartë çfarë duhet të bëjë, pacienti duhet t’i drejtohet një gastroenterologjisti, person i specializuar për çrregullimet e stomakut ose një neurologjisti. Njerëzit me sëmundje serioze nervore, siç mund të jenë infarkti apo skleroza e shumëfishtë ose dëmtimet e trurit të shkaktuara për shembull nga ndonjë aksident, janë më të prirur të preken nga lemza kronike. Profesor Uatson shprehet se nëse lemza zgjat për disa ditë me radhë, atëherë kthehet në diçka shqetësuese që mund të ketë lidhje me një sëmundje të rëndësishme në tru. Në raste shumë të rralla ka mundësi që lemza të shkaktohet nga një tumor. Kur lemza nuk është e lidhur me sëmundje, ilaçi kundër përzierjes së stomakut mund të bëjë efekt në ndërprerjen e mesazheve të nervave që sjellin lemzën. Mjekët shprehen se për fat të mirë, rasti i 72-vjeçarit Ben Lamerton nga Londra ishte më pak serioz dhe se u shërua me diçka shumë më të thjeshtë. Pasi kushtet e tij u vështirësuan, vajza e tij e rekomandoi atë te një fizioterapiste. I ulur në shtratin e klinikës, Ben ndjeu se u shërua menjëherë, pasi fizioterapistja i shtrëngoi diafragmën nga mbrapa, në të njëjtën mënyrë siç bëhet me dikë që po mbytet. Ben nuk mund ta besonte se ai më në fund ishte i lirë nga lemza që e kishte torturuar. Mjeku specialist Uatson shprehet se metoda e përdorur në trajtimin e 72-vjeçarit quhet “përqafimi i ariut” dhe ndikon duke ushtruar presion mbi nervat e diafragmës, duke ndaluar kështu refleksin e përsëritur të lemzës. Mjeku shprehet se Ben ishte me fat, por ka ardhur koha që mjekësia ta marrë më seriozisht lemzën, pasi është akoma e panjohur nëse pas saj mund të fshihen shkaqe shumë më shqetësuese.