Deputetja britanike: “Jam lodhur duke më cilësuar vetëm si të bukur. Do të heq dorë nga politika, sepse ndihem e diskriminuar. Në vend të parë familja”


Ka vende ku gratë përfshihen në politikë, sepse janë të bukura, dhe të tjera ku gratë largohen nga politika pikërisht për këtë arsye. Britania e Madhe i përket automatikisht kësaj së dytës, pas dorëheqjes së “Miss Partia Konservatore”: që nuk është një fotomodele, por deputete e Dhomës së Komunëve. Louise Mench, 40 vjeçe, në mandatin e saj si deputete do të largohet nga “pallati” pas jo më shumë se 2 vjetësh. Cilësimin si më bukuroshja e Westminster, nuk e kishte ndihmuar shumë. Ishte ajo që protestoi dy muaj më parë që nuk merrej seriozisht nga partia e saj, nga kundërshtarët dhe nga media, pikërisht sepse ishte e “lezetshme” dhe se njerëzit i kushtonin më shumë rëndësi “formës” se sa përmbajtjes. Tani do të largohet zyrtarisht për një tjetër arsye: motive personale. Thotë se e kuptoi se nuk mund të bënte bashkë karrierën publike dhe angazhimet familjare. Në fakt familja e saj është e veçantë: burri i dytë (u martuan në 2011-n), Peter Mench, menaxheri amerikan i dy grupeve të mëdha, “Metalllica” dhe “Red Hot Chili Peppers”, jeton në Nju Jork. Ajo ka tre fëmijë të vegjël nga martesa e mëparshme dhe për pak kohë u përpoq të administronte detyrën në Dhomën e Komunëve me atë të gruas dhe të nënës. Dy bashkëshortët udhëtonin shumë shpesh për të parë njëri-tjetrin nga Londra në Nju Jork dhe anasjelltas. Në fakt, këtë gjë e bëjnë me mijëra amerikanë dhe anglezë, por jo të gjithë janë me fëmijë dhe shumë pak prej tyre kanë një punë në Parlament. Kështu Mensch-ët nuk mund të rezistonin më gjatë larg njëri-tjetrit dhe Luise vendosi të largohej fare edhe nga Partia Konservatore. “Do të transferohem në Nju Jork”, shkroi në faqen e saj, me më shumë se 1000 ndjekës në “twitter”. Për Kryeministrin David Cameron është një tjetër telash, sepse Mench, një autore e njohur e romaneve rozë, ishte simbol i grave të reja në Partinë Konservatore, më aktive dhe më moderne, që ai futi në Parlament me fitoren në zgjedhjet e vitit 2010. Pak a shumë siç bëri Tony Blair me Partinë Laburiste pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 1997. Por në dy vjet gjërat u përkeqësuan, pasi Britania e Madhe është mbërthyer nga recesioni më i madh që nga koha e pasluftës, dhe konservatorët kanë rënë më shumë se dhjetë pikë në sondazhe ndaj rivalëve të tyre laburistë. Tanimë “Miss Tory” do të largohet zyrtarisht për arsye familjare, por duke lënë përshtypje se është ndier e diskriminuar edhe nga vetë partia e saj. Luise ishte një grua shumë guximtare që e thoshte gjithmonë mendimin e saj. Në janar ishte ankuar se nuk po arrinte të shfaqej dot as në Parlament, as në qeveri, për të cilën aspironte të bëhej pjesë, sepse “gratë në politikë nuk merren seriozisht nëse janë të bukura”.Ka vende ku gratë bëjnë karrierë, pikërisht falë aspektit të tyre fizik, por ky nuk është rasti i Mbretërisë së Bashkuar, thoshte ajo, ku bukuria mund të kthehet në bumerang. “Sa herë që them për të bërë diçka, mesazhi im humbet mes konsideratave për lukun tim dhe gardërobën time. Ndoshta për këtë arsye emri im nuk është kurrë, sa herë bëhet ndonjë mbledhje qeverie apo takime të niveleve të ndryshme”. Për sa i përket lajmit të largimit, Kryeministri David Cameron përgjigjet kështu: “Më vjen keq që Louise do të largohet. Do kisha dëshirë të kishte shërbyer sa më gjatë dhe në nivele më të larta”. Ndoshta ndonjë detyrë qeveritare ishte e afërt pas Lojërave Olimpike dhe pushimeve verore. Por tashmë është shumë vonë. Për Louise, për Cameron e ndoshta për të ardhmen e Konservatorëve, që duket se janë të destinuar të humbin në zgjedhjet e ardhshme.


 


 


Protagonistet


Carfagna – Ministre e Mundësive të Barabarta me Berlusconi-n, Mara Carfagna është renditur mes politikaneve më të bukura në botë nga revista “Maxim”


Dati – Ministre e Drejtësisë në kohën e Presidentit Sarkozy, Rachida Dati ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për veshjet e saj shumë të shtrenjta


Thorning – Kryeministrja daneze Helle Thorning Schmidt është gruaja e parë që mbulon detyrën e Kryeministrit në vendin e saj. Është shumë inteligjente dhe bukuroshe


Kabaeva – Ish gjimnastja dhe deputetja Alina Kabaeva ka qenë në kopertinën e “Vogue” Russia. Ajo është përfolur si e dashura e Putinit, pasi arriti kaq lart