Pas 2000 vitesh fshehur nën shtresa të mëdha hiri dhe shkëmbi vullkanik, një zbulim madhështor është bërë në qytetin antik romak të Pompeit. Arkeologët kanë zbuluar një kompleks banjash private, që konsiderohet ndër më të mëdhatë ndonjëherë të zbuluara atje. Ky vend magjepsës përfshin dhoma të nxehta, të ngrohta dhe të ftohta, një pishinë të madhe dhe vepra arti të jashtëzakonshme. Ky kompleks banjash, që ngjan me një spa moderne, ndodhet në qendër të një rezidence madhështore të zbuluar gjatë dy viteve të fundit. Rezidenca, e cila duket se i përkiste një individi shumë të pasur ndoshta Aulus Rustius Verus, një politikan i njohur i Pompeit është një nga gjetjet më të rëndësishme në qytetin antik.

Kompleksi përfshin disa dhoma të ndërlidhura, ku vizitorët do të kalonin një përvojë unike të banjës romake. Dhoma e zhveshjes është e mbuluar me mure me ngjyrë të kuqe të ndezur, dysheme me mozaikë dhe stola prej guri. Pas një trajtimi në dhomën e nxehtë, vizitorët vazhdonin në dhomën e ngrohtë, ku uji i ngrohtë dhe vajrat ndihmonin në relaksimin dhe pastrimin e lëkurës. Ky proces përfundonte në “frigidarium”, dhoma e ftohtë, që përfshinte një pishinë të madhe me kolona të kuqe dhe afreske që paraqisnin atletë. Kjo pishinë, më shumë se 1 metër e thellë, kishte hapësirë të mjaftueshme për 20-30 persona.

Gjatë gërmimeve, janë gjetur edhe skeletet e dy individëve që përjetuan tmerrin e shpërthimit të Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit. Një grua rreth moshës 35-50 vjeçare dhe një djalosh në të 20-at, u zbuluan në një dhomë të vogël, ku duket se ishin përpjekur të gjenin strehë nga shpërthimi. Gruaja u gjet e shtrirë mbi një shtrat, duke mbajtur monedha ari dhe argjendi, ndërsa burri i ri mbante çelësa. Studimet tregojnë se ai ishte i një statusi më të ulët social, ndoshta skllav, ndërsa gruaja mund të ketë qenë një pjesëtare e klasës së lartë apo ndihmëse.

Në dhomë u gjetën gjithashtu sende të ndryshme, përfshirë gota qelqi, enë bronzi dhe qeramike. Një element tjetër i rëndësishëm i këtij zbulimi është dhoma e kaldajës, që shërbente për ngrohjen e ujit dhe hapësirave të tjera. Kjo dhomë përmbante tubacione prej plumbi, valvula dhe një furrë të madhe. një sistem kompleks që funksiononte falë punës së skllevërve. Përveç banjës, rezidenca përmban edhe një dhomë të madhe për bankete me mure të zeza dhe afreske të mahnitshme që paraqesin skena klasike. Një dhomë më e vogël, e pikturuar me ngjyrë blu të zbehtë, përdorej për lutje.

Në këtë dhomë u gjetën guaska gjigante, të cilat përdoreshin për të krijuar një efekt shkëlqimi në mure. Gjithashtu, koleksioni i sendeve të zbuluara përfshin stoli të hollësishme, si vathë prej ari me perla natyrale, medaljone dhe gurë gjysmë të çmuar. Gërmimet në këtë kompleks pritet të përfundojnë së shpejti, por tashmë kanë ofruar njohuri të jashtëzakonshme për jetën romake.