Me shpalljen ‘’Park Kombëtar i një Lumi të egër’’ në mars të vitit 2023, lumi Vjosa duket se e la pas fatin e trishtë të shkatërrimit. Afro 1 vit pas marrjes së këtij statusi, një plan menaxhimi u hartua për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e parkut, por ende në terren nuk është bërë asgje për të vënë në zbatim këtë plan.

Vetëm në dhjetor të 2024 qeveria miratoi krijimin, organizimin dhe funksionimin e zyrës së administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”. ‘’Një hap shumë i rëndësishëm për menaxhimin e Parkut’’ – e quan Besjana Guri nga organizata mjedisore Eco Albania, që 11 vitet e fundit ia ka dedikuar mbrojtjes dhe promovimit të kauzës së këtij lumi.


Parku i Lumit me një sipërfaqe prej rreth 13 000 hektarësh shtrihet në 11 bashki të vendit. ‘’Duke pasur një territor kaq të madh, krijimi i një administrate të dedikuar është zgjidhja për të pasur një menaxhim efektiv’’- shprehet Besjana, pa e fshehur shqetësimin për kohën që do t’i duhet kësaj zyre që të vendoset në funksion. ‘’Promovimi i parkut nga njëra anë, dhe mungesa e një menaxhimi konkret përbën rrezik për zhvillimin e aktivteteve pranë lumit apo investime që kryhen në mungesë të zbatimit të kritereve të mbrojtje’’ – shprehet aktivistja.

Të gjithë drejt Vjosës ‘’pa rregulla’’

Në pritje të planit menaxhues janë edhe bizneset që e kanë aktivitetin e tyre pranë lumit apo në lumë. Irma Tako, sipërmarrësja nga Përmeti, e lidhur me Vjosën jo vetëm nga origjina, mikpret çdo vit turistët që duan ta ekspolojnë lumin me adrenalinën që ofron një varkë rafting. ‘’Rreth 80% e turistëve të huaj që kam pyetur e dinin se Vjosa është shpallur Park Kombëtar’’ – shprehet Irma, pas një tjetër sezoni të mbushur me eksploratorë të rinj të këtij xhevahiri natyrorë.

‘’Një status që shumë njerëz i tremb, por që në fakt është për të qënë të lumtur, sepse minimumi është që ta ruajmë dhe ta konservojmë Vjosën në këtë stad që është’’shprehet Irma. Ajo që e shqetëson sipërmarrësen nga Përmeti është mungesa e rregullave, në një kohë kur interesi ndaj shfytëzimit të lumit Vjosa është më i madh se kurrë më parë. Bizneset në zonë janë shtuar, por në mungesë të rregullave që duhet të burojnë nga plani i menaxhimit, gjithçka është lënë vetëm në ndërgjegjen e tyre për ta dëmtuar ose jo lumin.

“Ne presim ende që ekspertët të na thonë se cilat sjellje kundrejt Vjosës janë të duhurat apo të gabuarat, në mënyrë që ne të përmirësojmë apo reduktojmë diçka”shprehet guida e rafting. “Pavarësisht përfitimeve ekonomike që ka secili nga ne, detyra jonë është që të lëmë pas një Vjosë të shëndetshme” – shton më tej Irma.

Vjosa, turizëm masiv apo ekoturizëm?

“Vjosa ka gjithçka për të ofruar një përvojë unike që i afron njerëzit me natyrën” – shprehet specialistja në fushën e turizmit e njëherësh guida turistike, Albiona Muçoimaj. Ujërat e kristalta, perisazhet e rralla, biodiversiteti unik, fshatrat përreth që fshehin thesare të trashëgimisë kulturore, mund ta rendisin pa frikë Vjosën ndër destinacionet më të bukura në botë për ekoturizëm.

Të gjitha këto cilësi kanë qënë ndër shekuj vetëm sekreti i banorëve të luginës. Por statusi i ri po e përball lumin me dy anë të medaljes: zhvillimin ekonomik të zonës falë kureshtjes së mijëra vizitorëve nga bota, si dhe rrezikun për turizëm masiv.

“Puna për mbrojtjen e lumit duhet të vazhdojë derisa të marrë zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm, pra në përputhje me ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik lokal”- shprehet specialistja Muçoimaj. Sipas saj pushteti vendor duhet të veprojë sa më shpejt për të zgjidhur problemet e infrastrukturës në këto zona kështu që fshatrat të mund të përmirësohen falë potencialit turistik të Vjosës’’.

Lumi Vjosa, i bukur, i njohur, por sërish i kërcënuar

Lela Qejvani, aktivistja nga Vlora e cila ka marrë pjesë thuajse në çdo protestë për mbrojtjen e lumin Shushica, e kujton me emocion shpalljen e Vjosës “park kombëtar” rreth 2 vite më parë. “Një moment i paharrueshëm, historik” shprehet Lela, e cila besoi se më në fund beteja u fitua. Megjithatë gëzimi zgjati derisa plani për ndërtimin e një ujësjellësi për Himarën, duke përdorur burimin e lumit të Shushicës, që përbën një nga degët kryesore të Vjosës, doli në pah.”Ai ujë i shërben banorëvë të 36 fshatrave, këtyre  tokave, kodrave, gjelbërimit, pa të nuk mund të këtë jetë këtu” – shprehet Lela.

Aktualisht një padi po shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnje lidhur me shfrytëzimin e lumit “Shushica”. Ndërkohë në fund të janarit, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) publikoi një raport vlerësimi mbi këtë projekt, duke e rekomanduar shmangien e plotë të projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit. “Shmangia është e domosdoshme për të eleminuar ndikimet negative të mëdha mbi integritetin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa” – thekson raporti.

Më 27 shkurt, komuniteti i luginës së Shushicës do të mblidhet në fshatin Tërbaç për të zhvilluar një takim të hapur mbi projektin e Ujësjellësit të Himarës, aty ku organizatat Eco Albania dhe Riverwatch do të prezantojë në detaje rezultatet e këtij raporti. Në takim janë ftuar të marrin edhe institucionet vendimmarrëse, zbatuese dhe donatorët si: Bashkia Himarë, Bashkia Selenicë, Agjenica Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Banka Gjermane për Zhvillim (KFW), Agjencia Gjermane për Bashkëpunim.Aktivistja Lela Qejvanimbetet e vendosur për ta vijuar betejën. ‘’Unë do të qëndroj deri në fund për të mbrojtur Vjosën dhe degët e saj”shprehet aktivistja nga Vlora.