Shumë pronarë macesh prej kohësh, kanë shprehur dyshimin se kafsha e tyre shtëpiake, i dëgjon kur ata i thërrasin, por thjesht zgjedhin të mos reagojnë. Tani një studim shkencor e konfirmon këtë ide: macet e njohin emrin e tyre, edhe pse jo gjithmonë vendosin të përgjigjen, sipas “Science”.
Hulumtimi u krye nga studiues japonezë dhe u publikua në revistën shkencore “Scientific Reports”. Në eksperiment morën pjesë 78 mace shtëpie, të cilat jetonin në familje ose në të ashtuquajtura “cat café” në Japoni.
Për të testuar nëse macet e njohin emrin e tyre, studiuesit përdorën një metodë të thjeshtë.
Ata luajtën regjistrime ku pronarët e maceve thoshin katër fjalë të ndryshme që tingëllonin të ngjashme me emrin e maces, dhe në fund shqiptonin emrin e vërtetë të saj.
Rezultatet treguan qartë se:
Ndërsa macet dëgjonin fjalët e para, interesi i tyre gradualisht binte.
Por kur dëgjonin emrin e tyre, shumë prej tyre tregonin reagime të dukshme.
Këto reagime përfshinin:
lëvizjen e veshëve
kthimin e kokës
lëvizjen e bishtit
ose ndryshime të vogla në pozicionin e trupit
Edhe kur emrin e thoshte një person i panjohur për macen, shumë prej tyre sërish reaguan, duke treguar se ishin në gjendje ta dallonin emrin e tyre nga fjalët e tjera.
Megjithatë, ndryshe nga qentë, macet rrallë afrohen menjëherë kur pronarët i thërrasin.
Studiuesit shpjegojnë se kjo lidhet me mënyrën si macet janë zhvilluar gjatë evolucionit.
Ato kanë qenë gjuetare të pavarura, ndaj nuk kanë të njëjtën prirje për t’iu bindur komandave njerëzore.
Me fjalë të tjera, macja juaj ka shumë të ngjarë ta kuptojë se po e thërrisni, por në shumë raste, ajo thjesht vendos se nuk është e nevojshme të reagojë.
