Një ilaç eksperimental i zhvilluar nga marihuana ka lehtësuar me sukses dhimbjen e shpinës në një studim të realizuar së fundmi. Studimi i një prodhuesi gjerman të ilaçeve, i kryer mbi 800 pacientë, është prova më e fundit për vetitë terapeutike të kanabisit, i cili ende mbetet i paligjshëm në shumicën e vendeve. Dhimbja kronike është një nga gjendjet më të zakonshme që raportojnë njerëzit e përfshirë në programet shtetërore të përdorimit të marihuanës mjekësore. Megjithatë, janë kryer pak kërkime rigoroze mbi përdorimin e këtij ilaçi në këtë grup.
Autori kryesor i studimit, Dr.Matthias Karst, tha se gjetjet e reja tregojnë se kanabisi mund të ulë ndjeshëm dhimbjen dhe të përmirësojë funksionin fizik tek pacientët me dhimbje kronike në pjesën e poshtme të shpinës, pa problemet e sigurisë që zakonisht lidhen me opioidët. Karst është specialist i dhimbjes në Fakultetin e Mjekësisë në Hanover dhe konsulent për kompaninë farmaceutike “Vertanikal”. Pacientët me dhimbje shpine u shpërndanë rastësisht që të merrnin ekstraktin e lëngshëm të kanabisit të “Vertanikal”-it ose placebo.
Pas 12 javësh, pacientët që kishin marrë ilaçin raportuan një ulje të dhimbjes me gati dy pikë në një shkallë prej 11 pikësh, krahasuar me 1,4 pikë tek ata që kishin marrë placebo. Ata që morën ilaçin gjithashtu raportuan përmirësime të gjumit dhe funksioneve fizike. Pacientët që vazhduan me fazën e zgjatur gjashtëmujore vazhduan të ndienin ulje të dhimbjes. Efektet anësore përfshinin marramendje, dhimbje koke, lodhje dhe nauze, duke bërë që mbi 17 për qind e pjesëmarrësve ta ndërprisnin trajtimin para kohe. Studiuesit thanë se shkalla e ndërprerjes së trajtimit ishte më e ulët sesa raportohet zakonisht tek opioidët, të cilët mund të shkaktojnë kapsllëk, nauze, përgjumje dhe rrezik varësie.
“Vertanikal” ka dorëzuar kërkesën për ilaçin e tij tek rregullatorët evropianë. Në SHBA, kompania thotë se po punon ngushtë me rregullatorët për të hartuar një studim që do të mbështeste miratimin e Administratës Federale të Ushqimit dhe Barnave. Kanabisi vazhdon të jetë i paligjshëm sipas ligjit federal në SHBA, pavarësisht se shumica e shteteve e kanë bërë të disponueshëm për përdorim mjekë sor ose rekreativ. Autoritetet shëndetësore në Kanada dhe Evropë më parë kanë miratuar një formë farmaceutike të kanabisit për disa lloje dhimbjesh, përfshirë dhimbjen nervore nga skleroza multiple. Në SHBA, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar një ilaç që përmban CBD, një nga shumë kimikatet jo-psikoaktive që gjenden në kanabis, për trajtimin e krizave të rralla tek fëmijët me epilepsi.
Ndryshe nga ai ilaç, i njohur si Epidiolex, formula e re e kanabisit nga prodhuesi “Vertanikal” përmban THC, përbërësin aktiv të marihuanës që shkakton efekte psikoaktive tek përdoruesit. Por nivelet e kësaj kimikate janë shumë të ulëta, në thelb mikrodoza krahasuar me atë që gjendet në çokollata, karamele ose produkte të tjera që shiten në dyqanet e marihuanës në SHBA. Kompania deklaroi se pacientët në studim nuk treguan asnjë shenjë abuzimi me drogën, varësie apo krize abstinence. “Vertanikal” po kërkon miratim për një grup të madh pacientësh; ata që vuajnë nga dhimbjet e pjesës së poshtme të shpinës, një gjendje kronike që prek miliona njerëz dhe që ka pak trajtime të provuara.