Njëqind vjet më parë do të dukej e paimagjinueshme që një kompani nga India e varfër të blinte zemrën e industrisë angleze. Tani jo më. “Tata” kontrollon “Range Rover” dhe e ka bërë të suksesshme


Gjatë kësaj vere, “Jaguar Land Rover” filloi të prodhojë 24 orë në ditë në fabrikën e vet pranë Liverpulit në Angli, duke shtuar 1 mijë vende të reja pune, me synimin për të përballuar kërkesën e lartë të modelit të saj më të suksesshëm, “Range Rover Evoque”. Tani kompania po përgatitet të nxjerrë në shitje modelin e saj të ri dhe të shumëpritur “Jaguar F-Type roadster”.


Kompania po përjeton një kohë të artë pas shumë dekadash në vështirësi. Çelësi i suksesit duket se janë paratë e indianëve, të cilat po i kthejnë shkëlqimin një marke angleze të njohur në 100 vitet e fundit si simbol i zotërinjve kolonizatorë anglezë. Kompania “Tata” është e njohur për pak njerëz si prodhuesja e makinave qesharake të të varfërve, të cilat ngjajnë më shumë me karroca me motor se sa me makina. Por katër vjet më parë, qe pikërisht kjo kompani që bleu gjigantin anglez, krenarinë e dikurshme të fuqisë perandorake. Sot, shitjet e makinave të luksit të “Rover”-it po shiten me shpejtësi nëpër të gjitha kryeqytetet e reja dhe të vjetra të ekonomisë botërore, nga Shangai në Londër.


Suksesi i ka tronditur analistët dhe investitorët. Shumica e tyre pati deklaruar në atë kohë se “Tata” po bënte një gabim që do t’i kushtonte rëndë, kur bleu për 2.3 miliardë dollarë markat “Jaguar” dhe “Land Rover” nga amerikanët e “Ford Motor”. Në atë kohë, “Ford” po përpiqej të mbijetonte duke shitur çfarë të mundte. Markat angleze u shitën shumë miliardë më pak nga sa qenë blerë disa vite më parë.


Analistët sot thonë se “Tata” ka bërë atë që shumë pak kompani nga vendet në zhvillim kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Ajo ka rigjallëruar me sukses një kompani perëndimore në vështirësi. Shumë të tjera, përfshirë edhe kompaninë motër të “Tata Motor”, “Tata Steel”, e cila pagoi 11.2 miliardë dollarë për të blerë gjigantin e çelikut “Corus” më 2007-n, kanë pasur shumë telashe nga aventurat që kanë bërë në vendet e zhvilluara.


“Tata Motors” duket se ka pasur sukses veçanërisht për shkak se nuk synoi t’i drejtojë dy prodhuesit e makinave, “Jaguar” dhe “Land Rover” nga zyrat e saj qendrore. Përkundrazi, ajo ia la menaxhimin ditor drejtuesve në Angli.


Ajo gjithashtu përfitoi nga projektet e nisura nga koha kur markat qenë nën pronësinë e “Ford”, përfshirë modelin “Evoque”, e cila ka fituar shumë admirues, përfshirë programin e famshëm të BBC “Top Gear”, si dhe tifozë nga klasa e re e të pasurve kinezë.


Në vitin e fundit fiskal që përfundoi në mars, “Jaguar Land Rover” raportoi rritje me 27 për qind të shitjeve me pakicë ose 306 mijë makina dhe u bë faktori kryesor i rritjes së të ardhurave dhe fitimeve të “Tata Motors”.


Tregu i makinave të Indisë dhe bizneset e “Tata”-s në prodhimin e kamionëve kanë pësuar stanjacion ose rënie për shkak të ngadalësimit të ekonomisë vendëse, si dhe linjës së dobët të prodhimit që përfshin pak duzina modele për automjete personale. Shitjet e makinave “Tata” pësuan rritje minimale prej 4 përqindësh.


Analistët thanë se pengesat e krijuara nga recesioni ekonomik botëror dëmtuan shumë prodhues makinash, ndërsa “Jaguar Land Rover” vijon të ketë sukses për shkak se ka realizuar gjatë kësaj kohe shumë modele të reja, përfshirë versionet e ridizenjuara të modeleve të saj simbol “Range Rover” dhe “F-Type”.


“Mendoj se njerëzit qenë disi skeptikë dhe mospërfillës dhe ndoshta kishin disa turbullira nga koha e kolonisë së vjetër”, thotë Tim Urquhart, analist i industrisë së makinave në Londër, duke shpjeguar se edhe ai vetë në fillim kishte dyshime mbi blerjen.


“Nëse e sheh sot ‘Land Rover’-in dhe ‘Jaguar’-in, atëherë mund të vëresh se kanë linjën më të fortë të prodhimit në historinë e tyre të dekadave të fundit, ose ndoshta, linjën më të mirë në histori”.


Blerja e “Jaguar Land Rover” nga “Tata” nuk ishte gjithmonë aq premtuese sa doli. Kriza financiare goditi menjëherë pas arritjes së marrëveshjes dhe kërkesa për makina luksi u reduktua ndjeshëm në Europë dhe Amerikën e Veriut – dy tregjet më të mëdha.


Duke vuajtur nën peshën e 3 miliardë borxheve që ajo mori për të paguar blerjen, “Tata” u detyrua të hedhë edhe më shumë kompani pasi dështoi të fitojë ndihmë financiare nga Britania.


Shumë analistë shtruan pyetjen nëse kompania pagoi tepër dhe se e mori përsipër një punë më të madhe se sa vetja. Ata thanë se presidenti i gjigantit indian, Ratan Tata, një fans makinash dhe trashëgimtar i familjes që ndërtoi grupin më të madh të kompanive indiane, ishte dashuruar tepër pas idesë për të blerë marka botërore. Përgjatë viteve, kjo kompani ka blerë edhe “Tetley Tea”, hotelin “Pierre” në Nju Jork, si dhe kompaninë e prodhimit të makinave industriale “Daewoo” nga Koreja e Jugut.


“Blerja funksionoi, për shkak se investimi u planifikua me sukses dhe efektivitet”, thotë Phil Popham, drejtor i operacioneve botërore për “Jaguar Land Rover”. “Rritja jonë është mbështetur nga një plan financiar i disiplinuar që përfshin kontrolle të forta mbi kostot dhe investime të fokusuara”.


Analistët dhe konkurrentët ia atribuojnë suksesin rezervave financiare të “Tata”-s, të cilat mjaftuan për të kapërcyer kohët e vështira, si dhe mençurisë së kompanisë që i dha autonomi menaxherëve në Angli.


“Ajo që ishte ndihmëse, qe që ‘Tata’ e lëshoi pushtetin”, komenton një konkurrent që nuk dëshiron të citohet me emër për çfarë mendon për një rival. “‘Tata’ zbatoi politikën e heqjes së duarve”.


Efekti i “Ford”-it ka vijuar të jetë i pranishëm edhe pasi investimet e saj në markat angleze përfunduan. Shumica e motorëve në makinat “Jaguar Land Rover” vijojnë të furnizohen nga “Ford”, por kompania angleze po punon ndërkohë në ndërtimin e fabrikës së vet të motorëve në shtëpi.


Udhëhequr nga ish-drejtori i BMW-së, Ralf Speth, i cili mori drejtimin në fillim të vitit 2010, “Jaguar Land Rover” prodhon të gjitha makinat e saj që variojnë nga 36 mijë dollarë për fuoristradat sportive të nivelit të ulët te 140 mijë dollarë për makinat luksoze. Që të gjitha prodhohen në Angli, megjithëse kjo kompani po ndërton operacione asemblimi në vende të tjera.


Kompania njoftoi këtë muaj se fitimet e saj tremujore qenë rritur me 7.5 për qind në krahasim me një vit më parë, në 372 milionë dollarë.


Në Amerikën e Veriut, shitjet e kësaj kompanie u rritën me 15 për qind, duke arritur 58 mijë njësi. Ekspertët amerikanë i konsiderojnë makinat e kësaj kompanie, si “marka më e përmirësuar” nga të gjitha.


Shumica e suksesit ka ardhur nga Kina, një vend që në vitin 2005 siguronte vetëm 1 për qind të shitjeve të “Jaguar Land Rover” ndërsa pritet që të zënë mbi 10 për qind këtë vit. Kompania u përpoq fort të rrisë numrin e pikave të shitjeve në këtë vend, ku shitjet e makinave të luksit janë rritur me ritëm shumë më të shpejtë se sa ato në tregjet perëndimore.


Drejtuesit besojnë se Kina do të bëhet tregu më i madh për makinat e tyre shumë shpejt dhe vitin e kaluar, “Jaguar Land Rover” njoftoi se do të nisë ndërtimin e një linje asemblimi në këtë vend.


Blerësit e pasur nga Kina duket se janë tërhequr nga “Jaguar” dhe “Land Rover” pjesërisht sepse këto makina konsiderohen diçka e re.


Liu Gang, 33 vjeç, drejtor ekzekutiv financiar në Shangai pranon se nuk kishte shumë njohuri mbi makinat, por nuk nguroi të blinte një makinë sportive “Jaguar XF”, për të cilën pagoi 700 mijë juanë ose 110 mijë dollarë.


Ai shqyrtoi mundësinë për të blerë modele të ngjashme nga BMW dhe “Mercedes Benz”, por hoqi dorë prej tyre, pasi i konsideroi si marka tepër bajate dhe popullore. “Çdokush në Kinë mund të ketë një ‘Mercedes’”, tha ai.


Por analistët thonë se rritja e varësisë nga tregu kinez për “Jaguar Land Rover”, si dhe rreziku i një tronditjeje të re në kontinentin europian, tregon se kompania është e rrezikuar nga një krizë e mundshme. Një shqetësim tjetër lidhet me faktin nëse kompania ka mjaftueshëm modele përveç “Evoque” për të fuqizuar shitjet në të ardhmen.


Ndryshe nga “Evoque”, shitja e “Jaguar” ka qenë relativisht e ngadaltë, duke u rritur me vetëm 5 për qind gjatë vitit të kaluar. Vetëm këtë vit, “Jaguar” raportoi rritje të shitjeve me mbi 16 për qind në të gjithë planetin.


Tani kompania beson se shitjet e “Jaguar”-ëve do të rriten me shpejtësi pas futjes në treg të modelit të ri “F-Type”, një përmirësim i modelit të mirënjohur “E-Type”, e cila u hodh në treg në vitin 1961 dhe është konsideruar nga shumë tifozë si një nga makinat më të bukura sportive të ndërtuara ndonjëherë. “F-Type” pritet të shfaqet për publikun për herë të parë në Paris, në fund të këtij muaji.


 


Profili


“Tata Motors”



  • E ka shtëpinë në Bombei, Indi

  • Ka 58 mijë punëtorë

  • Xhiroja: 33.7 miliardë dollarë

  • Fitimet: 2.8 miliardë dollarë

  • Viti i themelimit: 1945

  • Markat nën pronësi: “Jaguar Land Rover”, “Tata Daewoo”, “Tata Hispano”


“Jaguar Land Rover”



  • E ka shtëpinë në Koventri, Britania e Madhe

  • Ka 24 mijë punëtorë

  • Xhiroja: 13.5 miliardë sterlina

  • Fitimet: 1.5 miliardë sterlina

  • Krijuar më 2008 nga bashkimi i “Jaguar” dhe “Land Rover”.

  • Jaguar është themeluar më 1922, “Rover” e hodhi makinën e parë më 1947 dhe ishte varianti britanik i “Jeep”