Marrëdhëniet romantike jo-monogame po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në SHBA, me rreth një në çdo 25 çifte që zgjedhin një formë marrëdhënieje të hapur me pëlqim të ndërsjellë. Megjithatë, sipas ekspertëve, shumë prej tyre rikthehen sërish te monogamia pas një periudhe të shkurtër.

Sipas Justin R. Garcia, drejtor ekzekutiv i Kinsey Institute, interesi për marrëdhënie të hapura, “swing” dhe poliamori është rritur ndjeshëm që nga mesi i viteve 2000. Por, siç raporton Business Insider, shumë çifte kuptojnë shpejt se kjo formë lidhjeje nuk është e përshtatshme për ta.

Sipas tij, ekzistojnë disa arsye kryesore pse njerëzit zgjedhin të rikthehen te marrëdhëniet tradicionale.

Së pari, Garcia thekson se shumë persona e kanë të vështirë emocionalisht të duan më shumë se një partner në të njëjtën kohë. Përveç angazhimit emocional, marrëdhëniet e hapura kërkojnë edhe më shumë kohë dhe energji për të ruajtur balancën mes partnerëve.

Një tjetër sfidë është komunikimi i vazhdueshëm. Në marrëdhëniet jo-monogame kërkohet negociim i vazhdueshëm për nevojat emocionale dhe fizike të secilit partner, duke përfshirë çështje si ndarja e kohës, ndjenjat e neglizhencës apo xhelozisë dhe kufijtë personalë.

Së treti, shumë çifte vendosin të hapin marrëdhënien duke besuar se eksplorimi seksual mund të zgjidhë problemet ekzistuese në çift.

Megjithatë, sipas ekspertit, shpesh ndodh e kundërta: problemet si xhelozia, mungesa e dëshirës seksuale apo mërzia mund të përforcohen edhe më shumë.

Megjithatë, Garcia thekson se marrëdhëniet jo-monogame funksionojnë me sukses për disa njerëz dhe nuk përjashton që forma të ndryshme lidhjesh mund të jenë të qëndrueshme për ata që i menaxhojnë siç duhet.