“Ata janë si fëmijë, vetëm se nuk kanë gojë. Duhet të ushqehen dhe pastrohen tre herë në ditë”, e nis rrëfimin e saj Meliha Zyberaj, gruaja që merret me mbarështimin e krimbave të mëndafshit.

Prodhimi i fijeve luksoze ka qenë një traditë e kahershme në Shqipëri. Shkodra ishte kryeqendra e prodhimit të materialit më të kërkuar në treg. Çdo shtëpi në fshatrat përreth Shkodrës mbillte mana për të rritur krimbat e mëndafshit.

Pas viteve ’90 ky zanat ra në “gjumë letargjik”, ku prindërit refuzuan t’ua përçojnë fëmijëve. E tillë është edhe historia e Meliha Zyberajt, e cila pas 30 viteve u kujtua që nëna i kishte trashëguar një gjë aq të çmuar, siç është prodhimi i mëndashit, fija e të cilit është 90% proteinë. Për gazetaren Silvana Muça, Melihaja nga Vau i Dejës gjatë një interviste ka vendosur që të tregojë rrugëtimin më të ri të saj, atë të prodhimit të mëndafshit.

Intervista
Si lindi ideja për të prodhuar mëndafsh?
Kur isha fëmijë ndihmoja nënën time për kultivimin e krimbave të mëndafshit. Kur u rrita, punova në fabrikë por pas ndryshimit të sistemit gjithçka u mbyll dhe shkatërrua. Prodhimi i mëndafshit u la në harresë. Nisa të merresha me qendistari dhe vitet e fundit po kërkohej shumë pëlhura e mëndafshit. Kjo më bëri të mendoj se duhe ta prodhoj vetë pasi e njihja të gjithë procesin.

Kur nisët që ta prodhonit?
E nisa përpara një viti këtë. Një zonjë nga Tirana, Lajla Shehi kur mori vesh që unë doja të kultivoja krimbin, më dha falas farën. Më dha rreth 15 gram krimba. Ka dy vjet që ma jep falas për faktin se është e lumtur që unë po e rizgjoj këtë traditë.

Sa e vështrië është të kultivosh krimba?
Kultivimi i krimbit është një proces shumë i shkurtër. Fshikëza ku ushqehet krimbi i mëndafshit me gjethen e manit ka një përiudhë nga 15 maji deri me 15 qershor. Janë 32 ditë ose 27 ditë që ai prodhon mëndafsh.

Do një temperturë konstante, 25 gradë Celsius. Ushqehet 3 herë në ditë dhe pastrohet 3 herë në ditë. Është si një fëmi i vogël. Edhe në një tavolinë mundet ta kultivosh, nuk do kushte apostafat. Fle gjumë një herë në 4 ditë. Javën e fundit kërkon të konsumojë shumë gjethe mani. Kërkon punë kolosale ato 30 ditë.

Si ruhet fara e krimbit dhe si prodhohet fija e mëndafshit?
Fara ruhet në një thes në beze dhe në një temperaturë konstante që të mos çelë. Po pati temepratura të larta bëhet flutur. Po qenë temepratruat e ulta, fara sërish rrezikon të prishet. Që të dalë fija, fshikzat thahen në furrë, në temeperatura deri në 100 gradë. Në të kundërt fshikzat rrezikon të çelë fluturua dhe dëmtohet duke mos dhënë fije mëndafshi.

Sa fije mëndafshi prodhove vitin e parë dhe kush janë synimet e Melihasë?
Vitin e parë prodhova 15 kg fshikza, që përkthehet në 15 kg fije mëndafsh. Vitin e dytë dua ta pesëfishoj prodhimin. E kam ruajtur farën. Kreu i Bashkisë më ka ndihmuar në mbjelljen e 540 fidanëve mani. I gjithë procesi i rritjes së krimbit të mëndafshit zhvillohet përmes ushqyerjes me gjethe mani.

Ke bërë përpjekje për ta rizgjuar këtë zanat?
Deri më tani kam trajnuar 60 vajza të reja dhe interesi është i jashtëzakonshëm. Më kanë kontaktuar shumë vajza për tu trajnuar, por koha nuk më favorizon sepse janë vetëm 30 ditë proces. Mëndafshin mund ta bëjë çdo grua në fshat.

Në punishten time të qëndistarisë kam 7-8 gra që punojnë për mua. Këtë vit kam prodhuar shallin e mëndafshit, i cili kap një vlerë 3500-4000 mijë lekë të eja. Pres që të bëj fustane vetëm me mëndafsh. Kam shpresë që do bëj markën time me pëlhura, shaje, fustane, këmisha e të tjerë.