Teologu Vladimir Kera, i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, na ka njohur me përfitimet në shpirt dhe në mendje të agjërimit, disa rituale dhe ka ndarë këshillat e tij për të gjithë ata që agjërojnë për herë të parë…
Pjesë nga intervista:
Cilat janë ritualet që duhen bërë për të bërë një agjërim të pastër?
E para, me datë 19 ne dalim agjërueshëm, pra fillon me syfyr agjërimi dhe mbyllet me atë që është iftar. Sipas kalendarit që është i përcaktuar në raport me lindjen dhe perëndimin e diellit. Në datë 18 në darkë ne fillojmë faljen e namazeve vullnetare, që mblidhemi në xhami dhe kryejmë ritin e faljes së përbashkët për të pritur dhe muajin e begatë të Ramazanit që është për nesër.
E dyta, agjërimi ka tre shkallë. E para, fizike, që është heqja dorë nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime nga mëngjesi deri në mbrëmje. E dyta ka një aspekt që është intelektual, është ruajtja e njeriut nga mendimet e gabuara, fjalët e këqija dhe sjelljet e urryera në raport me njerëzit dhe karshi Zotit.
Dhe e treta është agjërimi shpirtëror, heqja dorë e zemrës nga mllefi, urrejtja, zilia, smira dhe të gjitha cilësitë të cilat fatkeqësisht nuk i kuptojmë, por të gjitha këto që unë përmenda që janë të shpirtit, janë fiks si ai helmi që e pi ti dhe pret të vdesë ai që e ke inat. Zilia dhe smira janë disa lloj helmesh që i vuan ai që i ka në fillim. Zoti na fton që agjërimi i plotë është arritja e njeriut që të plotësojë tre shkallë agjërimi. Ushqimi dhe pija është e para dhe Zoti thotë ‘nuk kam nevojë për etjen dhe urinë tuaj nëse keni fjalët e këqija dhe gënjeshtrat’. E dyta është agjërimi i mendjes, i mendimeve të gabuara sepse dashje padashje ne jemi ata që mendojmë dhe mendimet e gabuara janë fiks si ushqimet e helmuara.
Mendimet e gabuara të shtuara vazhdimisht, të këqija, të liga, nëse shtohen krijojnë besim, krijojnë bindje, një mënyrë të sjelluri, një mënyrë të menduari dhe të helmojnë. Njeriu udhëhiqet nga mendimet e tij. Të paktën të mendojmë mirë për të tjerët, minimumi do ndihem mirë unë. Përndryshe do shkojmë tek ajo, që njeriu do gjykohet nga mendimi i vet, do vuajë pasojën e mendimit të vet. E treta është pastrimi i shpirtit nga të gjithë gjërat që e zbresin atë në nivelin që nuk i takon. Ky është agjërimi i plotë.
Definicioni kryesor i agjërimit është rritja e devotshmërisë. Çdo gjë që hyn në trupin e njeriut që konsiderohet ushqim, e prish agjërimin, pra nëpërmjet gojës apo nëpërmjet damarëve që mund të marrim serum. Nëse njeriu ka një gjendje të vështirë sëmundje apo vështirësi, Zoti e ka lehtësuar që ta prishë agjërimin dhe të agjërojë në kohë më vonë kur është e përshtatshme, pra nëse është i sëmurë dhe ka nevojë për ilaçe. Nuk tregohet devotshmëria këtu, se disa njerëz mund të jenë të sëmurë dhe duan ta mbajnë, nuk e do Zoti këtë.


