Minoriteti fetar pati emigruar në Amerikë, tashmë kërkon tokë të re


Më shumë se një shekull pasi fermerët menonitë u larguan nga Rusia për Amerikën e Veriut në kërkim të tokave të reja dhe lirisë fetare, qindra vetë nga pasardhësit e tyre në Meksikë po mendojnë të plotësojnë rrethin.


Mungesa e tokës bujqësore, thatësirat dhe konfliktet me rivalët i kanë bërë disa menonitë të veriut të Meksikës të vrasin mendjen nëse është më mirë të shkojnë në rrafshnaltat e Europës Lindore nga ku paraardhësit e tyre u larguan në shekullin e 19. Këtë verë, një delegacion me 11 menonitë nga Meksika shkuan të Tatarstan, në cepin jugor të Rusisë europiane të shohin tokën që mund t’i ndihmojë të mbrojnë mënyrën e tyre spartane të jetesës nga ndikimi i rritjes së popullsisë së botës dhe ndryshimeve klimaterike.


“Ne jemi duke kërkuar për një të ardhme për fëmijët dhe nipërit tanë”, tha Peter Friesen, 59 vjeç, një nga fermerët që udhëtuan për në qytetin e Aznakajevos në gusht. Ai është një nga stërnipërit e menonitëve të lindur në Perandorinë Ruse.


Ata janë pasardhës të disa radikalëve protestantë të shekullit të 16 nga Gjermania, Vendet e Ulëta dhe Zvicra. Ata refuzojnë hierarkinë kishtare dhe shërbimin ushtarak, gjë që i vuri nën përndjekje të vazhdueshme, ndërkohë që sundimtarë të ndryshëm panë mundësinë e shfrytëzimit të tyre si fermerë të aftë.


Shumë menonitë krijuan koloni në Rusinë e epokës së Katerinës së Madhe, në tokën që sot është Ukraina. Gjatë epokës së nacionalizmit, ata u persekutuan sërish dhe u detyruan të shkojnë në Amerikën e Veriut rreth viteve 1870. Ata vijojnë të flasin Palutdietsh, një përzierje unike e gjermanishtes prusiane me gjuhën holandeze. Në Meksikë, ata mbërritën nga Kanadaja rreth viteve 1920 dhe ndihmuan të transformojnë disa nga tokat më të këqija në ferma model.


Por ndërsa prodhimet e tokës u shtuan në fermat e tyre, e njëjta gjë ndodhi edhe me popullatën menonite.


“Ju e dini, ne menonitët kërkojmë gjithmonë të rritemi. Dhe këtë nuk e bëjmë dot më këtu”, thotë njëri prej tyre, i cili ka 13 fëmijë dhe 25 nipër e mbesa. Enrique Voth, i cili shkoi gjithashtu në Tatarstan, thotë se toka bujqësore atje mund të blihet me çmim sa një e dhjeta e çmimeve të Meksikës. “Ne kemi nevojë për dhjetë herë më shumë tokë nga sa kemi”, thotë ai, babai i 11 fëmijëve.


Rreth 100 familje të interesuara për Rusinë nuk janë ende të vendosura nëse do të shkojnë apo jo, pjesërisht për shkak se nuk janë në gjendje të gjejnë një bllok të vetëm toke mjaftueshëm të madhe për ta. Por toka që ata kanë gjetur, me dhe të errët, klimë të mesme dhe të pasur me ujë, i bën sytë e tyre të shkëlqejnë. Tartarstani dikur ka qenë pjesë e Perandorisë Mongole dhe tashmë ka sipërfaqe të mëdha toke të sheshtë dhe pjellore të vaditur nga lumenjtë Vollga dhe Kama.


Në fillim, ata qenë rreth 7 mijë vetë në Meksikë, por tashmë numërohen rreth 60 mijë dhe toka nën pronësinë e tyre është shumë e vogël në krahasim me ritmin e rritjes së popullsisë.