Meshkujt, në krahasim me femrat shkojnë më pak te mjeku, përdorin më pak ilaçe, dhe vaksinohen më pak. Shqetësohen pak ose fare për shëndetin e tyre, kurohen shumë rrallë, ndërsa parandalimi për pjesën më të madhe të tyre është i panjohur


Le të flasim për një fakt të konfirmuar nga statistikat: meshkujt në krahasim me femrat shkojnë më pak te mjeku, përdorin më pak ilaçe, dhe vaksinohen më pak. Shqetësohen pak ose fare për shëndetin e tyre, kurohen shumë rrallë, ndërsa parandalimi për pjesën më të madhe të tyre është i panjohur. Dhe vetëm me raste të rralla që bëjnë përjashtime, sëmundjet janë si një lloj tabuje. Rezultati: përfundojnë duke mos u informuar as për normat elementare për të qenë të shëndetshëm, dhe as për rreziqet që u kanosen.


Parandalimi


“Një nga stereotipat e meshkujve, sjellja sfiduese përballë rrezikut, influencon në mënyrë negative sjelljen e burrave si përballë parandalimit, si kurimin e sëmundjeve. Mesazhi që ata duan të përçojnë është rëndësia për t’u kujdesur për veten, si hapi i parë i parandalimit të sëmundjeve. Tashmë është e sigurt se për të qëndruar të shëndetshëm dhe të rinj është e rëndësishme të mos pinë duhan, të mos konsumojnë alkool të hanë mirë dhe të lëvizin më shumë”, tregojnë mjekët. Përveç zakoneve të shëndetshme që vlejnë për të gjithë, si burra, si gra, dhe informacioneve korrekte, ato që vlejnë shumë janë edhe kontrollet. Por një tjetër fakt shqetësues është se sipas statistikave, meshkujt paraqiten te mjeku me sëmundjen në fazë të avancuar, pasi e kanë lënë pas dore për javë, muaj apo vite të tëra. Pastaj aktualisht po regjistrohet një rritje shqetësuese e patologjive të sferës riprodhuese dhe seksuale mashkullore, pjesërisht e lidhur me sjelljet jo korrekte apo të dëmshme të fituara që në fëmijëri. Ndaj mesazhi i specialistëve është i qartë: në fillim prindërit dhe pastaj djemtë duhet të mësojnë të kujdesen për shëndetin e tyre seksual.


Vizita tek andrologu


“Në shumë vende të zhvilluara europiane më pak se 5 për qind e djemve nën 20 vjeç kanë bërë një vizitë tek andrologu, korrensponduesi i gjinekologes për femra, ndërsa më shumë se 40 për qind e vajzave në të njëjtën moshë ka qenë të paktën një herë te gjinekologu, ideale do të ishte që meshkujt të shkojnë tek andrologu që në moshë të hershme, sepse anomalitë e mundshme të organeve seksuale shfaqen shumë shpejt dhe është mirë të trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur për të evituar efektet negative mbi fertilitetin në të ardhmen”, shtojnë më tej ata.


Kontrollet


Një moshë shumë e rëndësishme për të kryer po një vizitë shumë të rëndësishme është ajo 18-vjeçare. Atëherë mund të shihet nëse  zhvillimi është i plotë se nuk ka asnjë problem, se nuk ka shenja të tumoreve në testikuj që prekin më shumë të rinjtë. Vizita të rregullta, ndoshta të përvitshme, në këtë moshë, do t’i ndihmonin të rinjtë të mësojnë si ta ruajnë shëndetin e organeve riprodhuese dhe të mbrohen nga sëmundje seksualisht të transmetueshme. “Duhet të mposhtim çdo frikë. Një vizitë tek andrologu është si një kontroll i zakonshëm mjekësor. Fillon me një bisedë që shërben për të ndërtuar historikun e shëndetit personal dhe përfundon me një vizitë të përgjithshme gjatë të cilave vëmendja përqendrohet tek organet gjenitale. Vetëm në rast se ka dyshim për ndonjë gjë tjetër këshillohen analiza shtesë, si për shembull analiza gjaku, analiza e spermës apo ekografi e  testikujve. Nga adoleshenca e më pas meshkujt duhet të mësojnë të evitojnë stile jetese të dëmshme për jetën seksuale dhe riprodhuese (dhe për shëndetin në përgjithësi)si një ushqyerje jo korrekte, apo mbipesha, abuzimi me alkoolin, duhanin, drogat.


Shqetësimet e mundshme


Te të rriturit, është e rëndësishme të kërkosh simptoma të infeksioneve të lidhura me aktivitetin seksual apo me alternimet e fertilitetit, apo disfunksionet seksuale, siç janë shqetësimet e ereksionit. Po ashtu me rritjen e moshës mund të kërkohen shenjat e problemeve hormonale apo ato që lidhen me prostatën. “Në moshën 40-vjeçare duhet të fillojë vizita e parë tek  urologu. Kjo vlen sidomos për subjektet që kanë shqetësime apo që kanë pasur në familjen e tyre histori për të njëjtat probleme. Duhen bërë analiza specifike dhe pastaj të vendoset se çfarë kure duhet ndjekur. Në fund është e rëndësishme që meshkujt, në të gjitha moshat të mos lënë pas dore shenjat që mund të tregojnë për praninë e një shqetësimi qoftë ai në fazën fillestare: të ndërhysh menjëherë mund të evitojë problemet e rënda, sepse me kalimin e kohës avancon edhe sëmundja.