“Wikileaks” dhe liria e fjalës


Ne kemi kaluar karrierat tona si kineastë duke vënë në vëmendje faktin se shpesh  media amerikane në Shtetet e Bashkuara  nuk i lajmëron amerikanët në lidhje me veprimet e shëmtuara të qeverisë. Për këtë arsye ne u jemi shumë mirënjohës arritjeve të “Wikileaks” dhe e duartrokasim vendimin e Ekuadorit për t’i dhënë Julian Assange strehim politik.


Ekuadori ka vepruar në përputhje me parimet e rëndësishme të të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Në fakt, asgjë nuk mund të tregojë më shumë drejtësinë e vendimit të Ekuadorit sesa kërcënimi i qeverisë britanike për të dhunuar një parim të shenjtë  të marrëdhënieve ndërkombëtare duke sulmuar ambasadën e Ekuadorit. Që nga themelimi i “Wikileaks” janë bërë publike pamjet filmike që tregojnë vrasjen e civilëve irakianë nga sulmet e helikopterëve Apache amerikanë, më pas janë publikuar detaje rrënqethëse mbi “fytyrën e vërtetë” të luftërave të Amerikës në Afganistan dhe Irak, marrëveshjen e fshehtë të Uashingtonit me diktatorin e Jemenit për të fshehur përgjegjësinë e amerikanëve dhe për bombat e hedhura në këtë vend, presionin e ushtruar nga administrata e Obamës ndaj vendeve të tjera për të mos çuar para drejtësisë zyrtarët e periudhës së Bushit me akuzën e përdorimit të torturës dhe shumë e shumë fakte të tjera.


Siç parashikohej, përgjigjja nga ata që duan që amerikanët të qëndrojnë në terr informativ, ishte e ashpër. Ligjvënës të të dy partive të mëdha e kanë cilësuar Assange “terrorist të rrezikshëm”. Senatorja Diane Feinstein demokratja e Kalifornisë që drejton Komisionin e Senatit për shërbimet sekrete  kërkoi që Julian të procedohej në bazë të ligjit për Spiunazhin. Shumë amerikanë, britanikë, suedezë nuk e dinë sot, për shembull, se Assange, me gjithë këto përpjekje nuk ka asnjë akuzë për asnjë lloj krimi të tillë. Ndërkohë, për të ka një urdhër arresti për ta marrë në pyetje në lidhje me pretendimet e dy grave për sulme seksuale ndaj tyre nga ana e tij në vitin 2010. Akuza të tilla duhet të hetohen para se Assange të shkojë në një vend që përtej mundësisë së arritjes së sistemit suedez të drejtësisë. Por janë qeveritë britanike dhe suedeze ato që i kanë dalë përpara hetimit, jo Assange. Autoritetet suedeze kanë shkuar dhe në vende të tjera për të marrë në pyetje të akuzuarit dhe Assange e ka bërë të qartë që në fillim dëshirën për t’u pyetur nga autoritete suedeze, por jo në Suedi, por në Londër. Për më shumë vende vetë qeveria e Ekuadorit i bëri një ofertë Suedisë për ta hetuar dhe marrë në pyetje Assange brenda ambasadës ekuadoriane. Në të dyja rastet Suedia ka refuzuar. Assange ka deklaruar se ai është i gatshëm që të shkojë në Suedi, nëse autoritetet e këtij vendi i garantojnë se nuk do ta ekstradojnë në SHBA. Autoritetet suedeze nuk kanë treguar interes në vlerësimin e kësaj mundësie dhe ministri i Jashtëm i vendit, Carl Bildt, së fundi deklaroi se Suedia nuk do ta japë dot një fjalë të tillë. Qeveria britanike ka të drejtë që në bazë të një traktati përkatës ekzistues të parandalojë ekstradimin e  Assange në SHBA nga Suedia,  por nuk dëshiron që ta ushtrojë një mundësi të tillë. Tentativat e Ekuadorit për të mundësuar funksionimin e këtij traktati kanë dështuar. Të marra së bashku veprimet e qeverive të Britanisë së Madhe dhe Suedisë  të çojnë të mendosh se qëllimi i tyre i vërtetë është të dërgojnë Assange në Suedi. Prej këndej do të ishte më e lehtë që ai të ekstradohej në SHBA dhe të përballej me akuza. Vetë Assange i ka të gjitha të drejtat që t’i druhet një skenari të tillë. Departamenti i Drejtësisë, së fundi konfirmoi se po vazhdonte hetimin e  “Wikileaks”. Kjo organizatë ka publikuar edhe e-mail-e nga Stratfor, në një korporatë private shërbimesh sekrete në të cilat thuhet se po përgatiten akuza ndaj Assange. Historia, ndërkohë tregon se Suedia nuk do t’i duronte 2001 qeveria suedeze dërgoi në Egjipt dy egjiptianë që kërkuan strehim politik te CIA. Ata u dërguan në Egjipt dhe u torturuan.


Nëse Assange do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  pasojat do të jehonin në mbarë botën për shumë vite më pas. Assange nuk është një qytetar amerikan dhe asnjë nga veprimet e tij nuk është kryer në tokën amerikane. Nëse SHBA mund të arrijë që të çelë një proces ndaj një gazetari në këto rrethana, qeveritë e Rusisë apo Kinës, duke ndjekur të njëjtën logjikë, mund të kërkonin  që gazetarët e huaj kudo në botë të ekstradoheshin për dhunim ligjesh. Krijimi i një precedenti të tillë duhet të na shqetësojë të gjithëve ne admirues, ose jo të “Wikileaks”.


Ne i bëjmë thirrje popullit të Britanisë së Madhe dhe Suedisë që të kërkojnë nga qeveritë e tyre t’u përgjigjen disa pyetjeve bazë: Përse autoritetet suedeze refuzojnë që ta marrin në pyetje Assange në Londër? Përse asnjë nga qeveritë e mësipërme nuk e siguron Assange se ai nuk do të ekstradohet në SHBA? Qytetarët e Suedisë dhe Britanisë së Madhe kanë një rast shumë të rrallë që të mbajnë qëndrim ndaj qeverive të tyre në emër të lirisë së fjalës, në emër të të gjithë globit.