Nëse po mendoni të filloni një miqësi me përfitime dhe i trembeni idesë që do të humbisni miqësinë me përfshirjen e seksit, një studim i fundit ka një lajm të mirë për ju
Miqësia me përfitime është një term që ka ekzistuar për shumë kohë mes studentëve amerikanë, pasi rreth 60% e tyre raportojnë se e kanë bërë pjesë të jetës të paktën një herë. Kjo praktikë u bë veçanërisht e njohur për botën pas daljes së filmit Friends with Benefits, me protagonistë Xhastin Timbërlejk (Justin Timberlake) dhe Mila Kunis. Filmi tregon për dy shokë që vendosin të kenë marrëdhënie seksuale pa përfshirë mes tyre një lidhje serioze apo ndjenjat. Si mënyra më e thjeshtë e plotësimit të nevojave trupore, miqësia me përfitime shkon përtej klisheve të shoqërisë që kërkon zotimin e besnikërisë dhe përkushtimit mes një çifti.
Mes takimit vetëm për një natë dhe lidhjeve romantike, miqësia me përfitime qëndron diku në mes. Partnerët në këtë lidhje nuk janë të panjohur për njëri-tjetrin, ata madje mund të njihen prej vitesh dhe të kenë pasur një shoqëri pa marrëdhënie seksuale, por ekziston edhe një nivel i caktuar tërheqjeje emocionale dhe intimiteti.
Duke kërkuar të shmangin takimet e kota me të panjohur që janë shpesh tepër të papërshtatshëm, miqtë përfitues vendosin t’i plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit pa ndonjë obligim në mes. Kjo lloj miqësie nuk mund të futet te lidhjet romantike, pasi mungon përkushtimi i të qenët një çift, apo dëshira për një të ardhme së bashku, po ashtu edhe pretendimi për monogami. Ata lehtësojnë barrën e angazhimit serioz tepër të përshpejtuar ndaj një personi të gabuar.
Përveç përfitimeve të dukshme, si seksuale ashtu edhe miqësore, shokët me përfitime i shërbejnë njëri-tjetrit për dy funksione kryesore: lidhja mes tyre mund të jetë e përkohshme deri sa të njohin dikë më të mirë dhe së dyti, si një provë që kërkon të shohë sesa shkojnë si çift përpara se gjërat të bëhen serioze. Përgjigjja për provën është zakonisht negative, pasi vetëm 10-20 për qind e miqësive me përfitime kthehen në lidhje romantike afatgjata. Shumica e zgjasin “eksperimentin seksual” për pak kohë.
Çfarë ndodh më pas?
A vazhdon miqësia edhe pasi seksi ka përfunduar dhe a i mbijeton ajo fundit të përfitimit? Ekziston një besim i njohur se seksi është i dëmshëm për një shoqëri, se i ndërlikon punët dhe e shkatërron atë. Njerëzit mendojnë të njëjtën gjë përpara se të nisin një miqësi me përfitime. Në një studim, humbja e shoqërisë ishte mangësia e dytë më e përmendur e miqësisë me përfitime, e para vinte mundësia e zhvillimit të ndjesive të ndryshme, ku njëri mund të afeksionohej, ndërsa tjetri jo.
Tani, një studim i fundit i publikuar në revistën Archives of Sexual Behavior i jep fund mitit të frikës. Skuadra e kërkuesve, e udhëhequr nga dr. Xhesi Ouen (Jesse Owen) nga Universiteti i Louisville në Kentaki, pyeti më shumë se 1000 studentë kolegji për eksperiencat e tyre me miqësinë me përfitime. Mes 300 personave që kishin pasur një eksperiencë të tillë, 80 për qind thanë se kishin mbetur akoma miq. Për më tepër, 50 për qind raportuan se ishin ndier më të afërt me ish-partnerët e tyre të miqësisë me përfitime, pasi kjo kishte përfunduar, krahasuar me kohën kur ishin thjesht miq. Një pjesë prej 30 për qind shprehën të kundërtën. Disa studentë u shprehën se nuk kishin më miqësi me personat që kishin pasur lidhjen pa angazhime. Pjesa më e madhe e të anketuarve pohuan se kishin mbetur po aq miq sa më parë.
Miqësitë me përfitime mund të marrin fund në mënyra të ndryshme. Mund të ndodhë prej tensionit seksual që është shuar ose prej mospërshtatjes gjatë seksit, gjithashtu mund të ndodhë që njëri prej tyre të ndiejë dashuri dhe ata mund të vendosin që kjo është një ide jo e mirë. Miqtë mund të gjejnë një partner tjetër, me të cilin duan të krijojnë lidhje afatgjatë. Sidoqoftë, për shumë prej tyre nuk është e vështirë ta lënë pas karakterin erotik të lidhjes së tyre dhe t’i kthehen miqësisë së thjeshtë. Një histori e përafërt, një intimitet emocional dhe pëlqimi i përbashkët mbeten akoma. Po 18.5 për qind e atyre që nuk mbesin miq? Jo të gjitha miqësitë me përfitime janë krijuar njëlloj. Ata që e humbën miqësinë pas ndërhyrjes së seksit, u shprehën se marrëdhënia e tyre ishte më tepër seksuale sesa miqësore. Po ashtu, personat që ishin distancuar më shumë nga ish-partnerët me përfitime, kishin më pak miq të përbashkët me ta. Lajm i mirë për ata që kanë apo duan të nisin një miqësi me përfitime, është se nuk keni arsye të shqetësoheni për ruajtjen e miqësisë. Nëse keni një afërsi të madhe miqësore, atëherë seksi nuk ka për të ndryshuar asgjë për keq. Nëse miqësia juaj nuk i mbijeton dot intimitetit trupor, atëherë me shumë gjasa ka qenë një miqësi që s’ia ka vlejtur të ruhet.