Stil – Të gjithë meshkujt duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe blerjes së veshjeve intime. Ekspertët thonë se veshjet intime cilësore janë më të mira për mosshfaqjen e infeksioneve dhe problemeve të ndryshme në pjesën e tyre gjenitale
Në botën mashkullore, zgjedhja e veshjes intime thotë shumë rreth personalitetit të atij që e vesh dhe jo vetëm kaq! Sipas ekspertëve, kjo zgjedhje reflekton edhe nivelin e tyre të mirëqenies së përgjithshme. Ashtu siç raporton edhe “Daily Mail”, shumë prej mbathjeve të meshkujve mund të shkaktojnë një sërë problemesh me shëndetin, që nga alergjitë deri tek inflamacionet e dhimbshme.
Nëse jeni adhurues të mëndafshit për shembull, ose njihni ndonjë që preferon këtë lloj pëlhure, bëni kujdes nga dermatiti. Edhe pse është i butë dhe delikat, në fakt, mëndafshi mund të shkaktojë një inflamacion të njohur si “intertrigo”. Më konkretisht bëhet fjalë për skuqjen nga fërkimi i vazhdueshëm i dy pjesëve të trupit (rrëzat e kofshëve).
“Intertrigo zakonisht vjen nga kombinimi i ekzemës me infeksionin fungal (kërpudhëror) dhe me acarimin për shkak të djersitjes. Ndaj, meshkujt të cilët bëjnë shumë sport, kanë tendencë të jenë më të ekspozuar ndaj këtij problemi, sidomos në verë”, ka thënë Adam Friedmann, dermatolog në spitalin e Londrës “Whittington Hospital”.
“Për të parandaluar simptomat, ne rekomandojmë për meshkujt që të veshin gjithnjë veshje të brendshme të cilat janë prej materiali përthithës, si pambuku për shembull, i cili absorbon djersën dhe nuk e lë më në lëkurë”, vijon më tej specialisti. Veshje të tjera intime për t’u shmangur janë ato me najlon, por edhe mbathjet elastike shumë të ngushta, të cilat përveç shtrëngimit, mund të shkaktojnë edhe probleme me qarkullimin e gjakut.
Prandaj zgjidhni gjithmonë pambukun, ideale për të gjitha pjesët intime të trupit, ashtu si edhe i gjithë trupi. Por, nëse ndjeni dhimbje në zonën e testikujve, zgjidhni mbathje më të ngushta për një shtrëngim më të mirë. Ashtu siç shpjegon Zaki Almallah, konsulenti urolog në spitalin “Queen Elizabeth”, ky çrregullim prek kryesisht burrat e moshës 20 deri në 40 vjet.
“Disa djem e ndiejnë këtë dhimbje rregullisht: mund të ndodhë pas ejakulacionit ose pasi kanë qëndruar ulur për një kohë shumë të gjatë në makinë”, shpjegon doktori. “Në teori, mbathjet e gjëra dhe të lirshme ushtrojnë më pak presion në testikuj, pra duhet të shkaktojnë më pak dhimbje, por për shumë meshkuj është më mirë që të veshin diçka të ngushtë përderisa kjo mund të reduktojë ndjeshëm lëvizjet, dhe rrjedhimisht edhe ndikimin në këtë zonë. Nëse keni këtë problem, ia vlen të merrni parasysh këtë këshillë”.
Të dy ekspertët e sipërpërmendur rekomandojnë që t’u besoni markave më të njohura dhe të specializuara për veshmbathjet, që përdorin materiale më cilësore. Për më tepër është thelbësore që të keni një higjienë të përdishme, për të mbajtur larg problemet intime dhe infeksionet e bezdisshme si kërpudha kandida (Candida albicans).
Higjiena mashkullore
Çdo femër e vlerëson mashkullin i cili kujdeset për pamjen e tij, sidomos kur ka të përvetësuara shprehi higjienike dhe kujdes të përgjithshëm për veten. Meshkujt e pastër, të cilët e mbajnë veten, konsiderohen seksi. Kur takojmë një person, i shikojmë dhëmbët dhe duart, qoftë në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme.
Duke u bazuar te dhëmbët dhe te duart, mund të kuptohen shumë gjëra për gjininë e kundërt. Nëse mashkulli del me thonj të papastër, lë të kuptohet se ai është joserioz dhe i papërgjegjshëm, dhe i cili të lë të mendosh se nuk ka një jetë të rregullt. Elementi tjetër janë dhëmbët, të cilëve u duhet kushtuar kujdes i veçantë. Buzëqeshja e bukur është një nga faktorët e rëndësishëm në të cilën ‘rrëzohen’ edhe meshkujt edhe femrat.
Mashkulli me dhëmbë të bukur mbart përparësi që në fillim. Gjëja e tretë së cilës duhet kushtuar rëndësi është aroma. Preferohet që mashkulli të ketë aromë mashkullore, por jo shumë të rëndë.