Ekspertët shprehen se tabuja për të mos ngrënë mishin e kalit, mund të jetë më shumë e lidhur me mentalitetin dhe opinionin personal, sesa me shëndetësinë
Përtej tabusë
Anglia dhe Irlanda janë prekur kohët e fundit nga skandalet e mishit të kalit, – shprehet agjencia e lajmeve “Fox News”. Në janar janë zbuluar se 10 nga 27 hamburgerë të testuar në Irlandë kanë rezultuar pozitivë me ADN-në e mishit të kalit, kur janë analizuar nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor Kombëtar. Së fundmi, një raport i qeverisë britanike ka zbuluar se tetë kuaj të vrarë kanë në trupin e tyre përmbajtjen e një substance të përdorur për të shuar dhimbjen te kafshët. Gjashtë nga këta kuaj kanë hyrë në zinxhirin ushqimor të Francës. Për këto arsye Komisioni Europian ka filluar testimet masive për të zbuluar se çfarë përmbajtje ka saktësisht produkti i mishit i përdorur gjerësisht. Vende si Britania dhe Shtetet e Bashkuara gjithnjë kanë kundërshtuar fuqishëm therjen dhe përdorimin e mishit të kalit si të ushqyeshëm. Polemikat e fundit kanë shqetësuar shumë njerëz rreth faktit se hamburgerët, që ata kanë konsumuar kohët e fundit, mund të kenë përmbajtje të mishit të kalit. Përse janë njerëzit kaq të shqetësuar rreth përdorimit të mishit të kalit? Për ironi të fatit, ekspertët e ushqimit thonë se, pavarësisht tabusë që e rrethon mishin e kalit, ky mish mund të jetë shumë herë më i shëndetshëm për nga proteinat që ka, sesa pjesa tjetër e mishit që përdorim zakonisht. Sipas gastronomëve dhe dietologëve, njerëzit janë të keqinformuar për mishin e kalit, ata nuk pranojnë ta përdorin, sepse për mentalitetin e tyre është e pamundur. Përkundrazi, mishi i kalit është shumë i pasur me proteina dhe me hekur. Duke dhënë mendimin e saj profesional, Ester Blum, një dietologe e njohur në Nju Jork, thotë se ajo mbështet mishin e kalit si një mundësi më të mirë, sesa mishi i lopës apo viçit. Këto të fundit ushqehen në mënyrë tradicionale me sojë, misër dhe drithëra, lëndë këto të cilat i bëjnë kafshët të prekshëm nga sëmundjet. Ndërsa mishi i kalit është më pak i ekspozuar ndaj hormoneve dhe antibiotikëve të ndryshëm. Blum vëren gjithashtu se shumë pesticide që lopët gëlltisin përmbajnë gjene të shëndoshjes, të cilat pengojnë sistemin endokrin dhe që e bëjnë kafshën të shëndoshet. Kuajt që kullosin në lëndina, nuk e konsumojnë këtë gjen të shëndoshjes. Megjithatë, ekspertja Blum thotë se cilësia e mishit të kalit varet edhe nga mënyra sesi ai është ushqyer. Edhe pse mund të duket e çuditshme për disa nga ju, mishi i kalit shitet dhe përdoret nga shumë vende të ndryshme të botës. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO) të OKB-së, Kina është një nga konsumueset më të mëdha të mishit të kalit, të cilin banorët e përdorin të thatë për përgatitjen e salsiçeve apo pjatave të ndryshme tradicionale. FAO llogarit se Kazakistani është shteti i dytë pas Kinës që e përdor më shumë mishin e kalit, si pjesë të ushqimit vendas. Praktika e të ngrënit mish nuk është e përhapur vetëm në Azi, por është e njohur edhe në Europë gjithashtu. Shumë vende e vlerësojnë mishin e kalit si një shije të përzgjedhur të të ngrënit, duke e krahasuar atë në mënyrë të njëllojtë me mishin e viçit. Mishi i kalit ka shijen e përzierjes së mishrave të drerit, viçit dhe lopës si dhe një aromë të këndshme. Tabuja që rrethon mishin e kalit është përgjithësisht e formuar në Britani dhe SHBA. Në vitin 2006, Kongresi Amerikan ndaloi therjen e kuajve duke hequr kështu edhe financimin për inspektorët e mishit të kalit. Kasapëve të kuajve iu ndalua që të ushtronin aktivitetin e tyre. Përpara kësaj, ngrënia e mishit të kalit edhe pse tingëllon çuditshëm, ishte një praktikë që përdorej në lokale luksoze. Në vitin 2011, legjislatorët kthyen financimin për inspektorët e mishit të kalit. Aktualisht Oklahoma, Kalifornia dhe Misisipi e ndalojnë shitjen e mishit të kalit për konsumim njerëzor dhe Ilinois e ndalon therjen e kuajve për qëllim përdorimi në ushqim. Teksasi ka pasur një ligj që prej vitit 1949, që e ndalonte shitjen e mishit të kalit. Një nga arsyet më të përhapura për mospërdorimin e mishit të kalit pretendon se përdorimi i këtij lloj mishi është “mizor dhe i panevojshëm”. Shumë grupe për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve kanë ngritur zërin duke u shprehur se kuajt që dërgohen për t’u therur udhëtojnë në kushte shumë të këqija, por nuk janë ankuar për praktikën e përdorimit të mishit të tyre. Mbase shpjegimi për faktin se përse njerëzit janë kaq të ndjeshëm ndaj përdorimit të mishit të kalit për t’u ngrënë, është se ata e konsiderojnë kalin një kafshë të kalibrit më të lartë se lopa, derri apo pula, që konsumohen pa problem. “Çështja ka lidhje me mënyrën sesi çdo kafshë perceptohet nga një shoqëri e caktuar”, ka cilësuar dr. Dale Archer, një psikiatër i Lidhjes Amerikane të Psikiatërve. “Një qen ka qenë gjithmonë miku më i mirë i njeriut, ndaj ne nuk mund t’i hamë miqtë, por askush nuk e mendon lopën si një mikeshë, ndaj ne e hamë atë. Askush nuk flet për çështjen e ngrënies së mishit të kalit nga ana ligjore, të gjithë thonë atë që mendojnë nga kultura, mentaliteti dhe tabutë e tyre. Pra është gjithnjë një përgjigje emocionale, që nuk na lë të shkojmë tek e ligjshmja, por mbetemi tek ndjenjat”, cilëson dr. Archer.