300 të mbijetuara nga kampet e përqendrimit morën pjesë në konkursin e pazakontë


Një fashë për të treguar çmimin dhe një kurorë në kokë, njësoj siç ndodh në rastin e  konkurseve tradicionale të bukurisë. Vetëm se këtë radhë pjesëmarrëset në konkurs janë të mbijetuara nga Holokausti. Evenimenti i veçantë është zhvilluar në Izrael, ku rreth 300 gra të ardhura nga i gjithë vendi janë regjistruar për të fituar titullin ‘Miss Holokausti’.


Eventi i përshkruar nga organizatorët si një ‘festë e jetës’, ka ngjallur shumë polemika në Izrael, ku jetojnë gati 200 mijë njerëz të prekur nga përvoja tragjike e Luftës së Dytë Botërore. Sipas disave, të gjykosh nga pamja e tyre fizike gratë që kanë vuajtur aq shumë, është diçka krejt e papërshtatshme, dhe madje edhe fyese. “Për mua kjo tingëllon si diçka mjaft makabre”, – tha Colette Avital, kryetare e një grupi që përfaqëson të mbijetuarit izraelitë të Holokaustit. Organizatori Shimon Sabag ka refuzuar kritikat, duke thënë se fitueset u përzgjodhën në bazë të historive të tyre personale të mbijetesës dhe jetës pas luftës, ndërsa bukuria fizike ishte vetëm një element i vogël i konkurrencës.


“Ato u ndjenë shumë mirë me njëra-tjetrën, janë dëfryer dhe kanë qeshur gjatë gjithë kohës në prova. Fakti që kaq shumë njerëz kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij evenimenti, dëshmon se ka qenë në fakt një ide e mirë”, – thotë organizatori i konkursit.


Organizatorët përzgjodhën 14 finaliste, që ditën e enjte performuan në një ceremoni zyrtare në Haifa. Ndërkohë, në spektakël ishin të pranishëm rreth 600 persona, mes të cilëve anëtarë të qeverisë izraelite, njëri nga të cilët është vetë një i mbijetuar i Holokaustit. Pjesëmarrëset ishin të moshës nga 74 në 79 vjeç. Një juri e përbërë nga 4 pjesëtarë, nga të cilët, tre ish-mbretëresha të bukurisë dhe një psikiatër, ekspert për trajtimin e viktimave të Holokaustit, zgjodhi edhe fituesen e konkursit, e cila është Hava Hershkovitz, 79 vjeç, me origjinë rumune.


29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)