Qyteti amerikan i Çikagos po mendon të ndërmarrë masa drastike për të ndaluar një peshk gjigant me origjinë nga Azia që po shumohet me shpejtësi në Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut. Autoritetet po mendojnë të bllokojnë sistemin e kanaleve të qytetit për të ndaluar krapin aziatik të hyjë në liqenin e Miçiganit. Një masë e tillë mund të kushtojë 18 miliardë dollarë dhe të shkaktojë probleme të rënda ekonomike. Por po diskutohen edhe opsione më të lira, si prodhimi i hamburgerëve me peshk krap dhe ngrënia e tyre deri në shfarosje.
Peshku në fjalë erdhi fillimisht në shtetet e Jugut të Amerikës tri dekada më parë dhe u përdorën për kontrollimin e nivelit të algave në impiantet e pastrimit të ujërave të zeza. Por ato janë arratisur drejt lumit të Misisipit, ku janë shumuar deri sa kanë mbërritur në Veri drejt Liqeneve të Mëdha.
Ato mund të rriten deri në tre metra dhe kanë zhvendosur speciet vendase të peshkut. Ndërkohë në Çikago ka shumë dyqane që përdorin krapin të përzier me limon dhe piper për ta bërë hamburger.