Stresi është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz, mes presionit në punë, angazhimeve familjare dhe kostos së jetesës në rritje. Por përveç ndikimit në shëndetin mendor, ai mund të ketë pasoja edhe në fertilitetin mashkullor diçka që shpesh neglizhohet.

Sipas mjekut Dr. Jamin Brahmbhatt, stresi nuk ndikon vetëm në mënyrën si ndihemi, por edhe në mënyrën si funksionon trupi ynë. Kur jemi të stresuar, organizmi çliron hormone si kortizoli dhe adrenalina. Në afat të shkurtër ato mund të ndihmojnë, por nëse stresi bëhet kronik, pasojat mund të jenë të dëmshme.

Një ndër efektet më të rëndësishme lidhet me prodhimin e spermës.

“Duhen rreth dy deri në tre muaj që sperma të prodhohet, të piqet dhe të shfaqet. Kjo është arsyeja pse stresi kronik ka më shumë ndikim sesa një periudhë e shkurtër stresuese” shpjegon Brahmbhatt.

Ai shton se stresi i vazhdueshëm rrit edhe stresin oksidativ në trup, i cili mund të dëmtojë drejtpërdrejt spermën. Studimet tregojnë se nivelet e larta të stresit lidhen me numër më të ulët të spermatozoidëve dhe lëvizshmëri më të dobët të tyre, dy faktorë kyç për fertilitetin.

Çfarë mund të bëjnë meshkujt? Edhe pse nuk është e lehtë të “fiket” stresi, ekspertët këshillojnë të fokusohemi te zakonet që ai sjell si reduktimi i konsumit të alkoolit, përmirësimi i gjumit, aktiviteti fizik i rregullt (edhe pa qenë intensiv). Një këshillë interesante nga mjeku është edhe shmangia e rrjeteve sociale, sidomos për ata që po përpiqen të bëhen prindër. Sipas tij, përmbajtjet me lajme për shtatzëni apo lindje mund të rrisin ankthin dhe ndjenjën e pamjaftueshmërisë.