Shalqiri është një nga frutat më të preferuara të verës, freskues, i shijshëm dhe i pranishëm pothuajse në çdo tryezë gjatë ditëve të nxehta. Por, përtej shijes së ëmbël dhe përmbajtjes së lartë të ujit, ai fsheh edhe një sërë vlerash ushqyese që shumë njerëz nuk i njohin.

Sa i dobishëm është shalqiri për organizmin? Cilat janë përfitimet e tij për hidratimin, zemrën dhe shëndetin në përgjithësi? Dhe mbi të gjitha, si mund të dallojmë një shalqi të mirë, të pjekur dhe cilësor mes dhjetëra produkteve që gjejmë në treg?

Nutricionisti Altin Joka, u ndal pikërisht te vlerat e shalqirit, mitet dhe të vërtetat rreth konsumit të tij, si dhe te këshillat praktike për të zgjedhur gjithmonë shalqirin më të mirë.

“Shalqiri është fruti që hidraton dhe freskon më mirë organizmin. Ai përbëhet në rreth 90-94% nga uji, por përmban edhe karbohidrate, pak fibra, proteina dhe yndyrna. Ka aminoacide dhe citrulinë, e cila konsiderohet si një ‘viagra natyrale’, pasi rregullon qarkullimin e gjakut dhe ndihmon në prodhimin e oksidit nitrik.

Shalqiri përmban likopen, një pigment me veti antitumorale, si dhe beta-karoten. Ai ka përbërës natyralë që ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga sëmundjet autoimune. Gjithashtu, në përbërjen e tij gjenden vitaminat B, A, C dhe E, si dhe minerale të rëndësishme si kalciumi, magnezi, hekuri, zinku, bakri dhe mangani”, theksoi Joka.

Mos i hidhni farat e shalqirit!

Sipas nutricionistit, farat e shalqirit kanë shumë vlera ushqyese. Ato përmbajnë nivele të larta proteinash, ndaj duhen konsumuar, por me kujdes te fëmijët dhe moshat e treta.

“Në fara janë gjetur acide yndyrore omega-6. Ato janë të mira për pastrimin e zorrëve dhe ndihmojnë edhe në funksionimin e mirë të veshkave”, theksoi Joka.

Konsumimi i shalqirit mund të bëhet në çdo vakt, por në mëngjes ai ju ndihmon ta nisni ditën me energji. Tek personat që merren me aktivitet sportiv, ai ndihmon në uljen e dhimbjeve muskulore, sidomos te atletët që kanë lodhje fizike.

Por a duhet të konsumojmë ujë bashkë me shalqirin?

Një kilogram shalqi përmban afërsisht dy gota ujë. Nëse konsumoni shumë feta, është e natyrshme të ndieni rëndesë. Pirja e ujit menjëherë pas tij rrit më tej volumin në stomak dhe mund të shkaktojë parehati. Personat që vuajnë nga refluksi ose zorra e irrituar duhet të tregojnë kujdes me sasinë e konsumuar.

Si ta përzgjidhni në treg shalqirin e duhur?

Shalqiri duhet të jetë i rëndë për madhësinë që ka, mos të ketë lëkurë të shndritshme. Kur troket lehtë mbi të, duhet të krijojë një tingull bosh. Gjithashtu, duhet të ketë një njollë të verdhë në pjesën e poshtme, që tregon se është pjekur natyrshëm në tokë.

Korriku dhe gushti janë muajt e sezonit të shalqirit, ndaj gjatë kësaj periudhe rekomandohet konsumimi i tij.

Kombinimi i shalqirit me pjepër dhe arrore është fantastik, sidomos për personat me diabet. Nëse shalqiri ka më shumë efekt hidratues, pjepri përmban më shumë beta-karoten, fibra dhe vitamina. Kombinimi i tyre është shumë i mirë, veçanërisht kur shoqërohet edhe me arrore. Gjithashtu, shalqiri mund të kombinohet shumë mirë edhe me djathë ose gjizë.