Shumë gra zgjedhin të shtyjnë ciklin menstrual për të shijuar pushimet pa shqetësime, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është një praktikë që duhet bërë pa këshillën e mjekut.

Terapia hormonale, e përdorur për të vonuar menstruacionet, mund të ndikojë në ekuilibrin hormonal dhe, në disa raste, të shoqërohet me komplikacione serioze shëndetësore.

Gjinekologët theksojnë se preparatet hormonale nuk janë ilaçe që duhen marrë vetëm për komoditet gjatë pushimeve. Ato përmbajnë hormone sintetike që veprojnë drejtpërdrejt në organizëm dhe përdorimi i tyre pa vlerësim profesional mund të rrisë rrezikun për probleme të ndryshme.

Sipas mjekëve, shumë gra vazhdojnë të marrin vendime bazuar në këshilla të miqve ose informacione të gjetura në internet, pa e ditur se çdo terapi hormonale duhet të përshtatet sipas historisë shëndetësore të secilës paciente.

Edhe institucionet prestigjioze shëndetësore ndërkombëtare paralajmërojnë për kujdes. Sipas “Mayo Clinic”, barnat me norethindrone mund të shkaktojnë ndryshime në ciklin menstrual dhe gjakderdhje të parregullt, ndërsa kërkojnë kujdes të shtuar tek personat me rrezik për mpiksje të gjakut.

Ndërkohë, Cleveland Clinic liston si shenja alarmi dhimbjen, ënjtjen ose ngrohtësinë në këmbë, dhimbjen në gjoks dhe vështirësinë në frymëmarrje, simptoma që mund të lidhen me formimin e mpiksjeve.

Ekspertët nënvizojnë se, në shumë raste, është më e sigurt të pranoni disa ditë kufizime gjatë menstruacioneve sesa të përdorni hormone pa kontroll mjekësor. Ata theksojnë gjithashtu se larja në det apo pishinë gjatë ciklit, nëse gruaja ndihet mirë dhe respekton higjienën, nuk përbën domosdoshmërisht rrezik më të madh sesa përdorimi i pakontrolluar i terapisë hormonale.

Rreziku është edhe më i lartë për gratë që vuajnë nga trombofilia, sëmundjet e zemrës, sëmundje të tjera kronike, si dhe për duhanpirëset apo personat me mbipeshë. Në këto raste, përdorimi i hormoneve duhet të bëhet vetëm pas konsultimit me gjinekologun.

Çfarë mund të ndodhë pas përdorimit të pilulave?

Mjekët shpjegojnë se ndërprerja e terapisë hormonale mund të pasohet nga çrregullime të ciklit menstrual. Disa gra mund të përjetojnë vonesa të menstruacioneve, gjakderdhje të parregullta ose ndryshime në sasinë dhe kohëzgjatjen e ciklit.

Efektet anësore afatshkurtra mund të përfshijnë fryrje të barkut, dhimbje koke, ndjeshmëri të gjinjve dhe ndryshime hormonale, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet rreziku për mpiksje të gjakut dhe komplikacione të tjera serioze tek personat me faktorë rreziku.

Për këtë arsye, specialistët këshillojnë që shtyrja e menstruacioneve të mos shihet si një zgjidhje e thjeshtë për pushimet verore.

Çdo vendim për përdorimin e pilulave hormonale duhet të merret vetëm pas konsultimit me gjinekologun, i cili vlerëson nëse kjo terapi është e sigurt për gjendjen shëndetësore të pacientes.