Në politikë, ngjitjet e shpejta janë gjithmonë të dyshimta. Jo sepse suksesi është i ndaluar, por sepse kur ambicia ecën më shpejt se legjitimiteti, rezultati është shpesh një karikaturë e përfaqësimit.
Rasti i Muharrem Salihut, i njohur edhe si Marko Muharremi, në Venecia, është ilustrimi më i qartë i këtij fenomeni.
Një histori që nis si rrëfim emigranti, nga kamarier në lokalet e qytetit, drejt sipërmarrësit me disa biznese, po tentohet sot të shitet si histori përfaqësimi politik. Por mes këtyre dy pikave mungon hallka më e rëndësishme: mandati qytetar.
Kur biografia personale shitet si mandat publik
Askush nuk e mohon të drejtën e Salihut për të bërë biznes, për të ndërtuar pasuri apo për të tentuar një karrierë politike. Problemi lind kur kjo biografi personale për më tepër e shoqëruar shpesh nga forma biznesi që në komunitet perceptohen si të paqarta dhe jo transparente, përdoret si alibi për përfaqësim kolektiv.
Nga kamarier në pronar biznesesh është një rrugë personale.
Nga biznesmen në “zë të komunitetit shqiptar” është një pretendim politik.
Dhe ky pretendim nuk qëndron.

Komuniteti nuk është trampolinë
Pikërisht për këtë arsye, reagimi i shoqatave shqiptare në Venecia ishte i qartë, i prerë dhe publik. Shoqata “Arberia”, “Emigrantët pa Kufij” dhe “Vatra e Dijes” nuk lanë hapësirë për keqinterpretim: komuniteti shqiptar nuk ka përfaqësues të vetëshpallur.
Ky distancim nuk ishte personal, por parimor. Ai godet drejtpërdrejt modelin e vjetër politik ku mendohet se mjafton një mbiemër, një origjinë apo disa lidhje informale për t’u shpallur “përfaqësues”.
Në Venecia, kjo lojë nuk funksionon më.

Nga ambicia europiane te pazari lokal
Ironia bëhet edhe më e dukshme po të kujtojmë se jo shumë kohë më parë, Muharrem Salihu flirtonte me idenë e Brukselit, të përfaqësimit europian, të politikës së madhe. Sot, realiteti është reduktuar në listat e një partie lokale, me shpresën se vota etnike do të kompensojë mungesën e një projekti politik real.
Ky nuk është evolucion politik.
Është ulje steke.
Dhe për ta bërë më problematik këtë zbritje, tenton të përdoret komuniteti shqiptar si dekor legjitimues, si kartë identitare, si bllok votash i gatshëm.
Por komuniteti ka folur: JO.
Biznesi nuk të bën automatikisht përfaqësues
Një tjetër keqkuptim i rrezikshëm që shfaqet në këtë rast është ideja se suksesi në biznes i vërtetë apo i perceptuar të jep automatikisht kredenciale politike.
Nuk i jep.
Përkundrazi, kur biznesi përdoret për të hyrë në politikë pa transparencë, pa program dhe pa mbështetje reale, dyshimi nuk bie mbi komunitetin, por mbi vetë figurën që kërkon legjitimitet.
Dhe komuniteti shqiptar në Venecia ka treguar se nuk pranon të përdoret si mburojë morale për ambicie personale.
Përfaqësimi nuk shpallet, fitohet
Në fund, problemi i Muharrem Salihut nuk është se kërkon të hyjë në politikë. Problemi është se kërkon të hyjë duke folur në emër të një komuniteti që nuk e ka zgjedhur, nuk e ka mandatuar dhe tani është distancuar publikisht prej tij.
Në demokraci, përfaqësimi nuk shpallet nëpër fushata.
Nuk ndërtohet me selfie dhe slogane.
Nuk blihet me biografi emigranti.
Ai fitohet me proces, me besim dhe me përgjegjësi.
Dhe kur komuniteti refuzon të bëhet plaçkë elektorale, çdo tentativë për ta përdorur si të tillë shndërrohet jo në sukses politik, por në ironi publike.
Në këtë rast, ironia është e thjeshtë dhe e hidhur:
ai që kërkon të flasë në emër të komunitetit, ka mbetur pa komunitet pas vetes!
