Një studim i ri nga Universiteti i Harvardit po bën bujë pasi ka zbuluar se përdorimi i shpeshtë i ironisë nuk është thjesht humor i hollë, por një shenjë e funksionimit më kompleks të trurit.

Sipas studiuesve, njerëzit që shprehen me nënkuptime, batuta të dykuptimta apo ironi duket se aktivizojnë zona të trurit që lidhen me kreativitetin, mendimin abstrakt dhe zgjidhjen e situatave të ndërlikuara.

Ekspertët shpjegojnë se ironia është një proces i sofistikuar mendor: folësi duhet të krijojë një ide, të thotë të kundërtën e saj dhe njëkohësisht të presë që tjetri ta deshifrojë mesazhin.

Kjo “lojë mendore” stimulon ndërlidhjet njohëse duke e bërë trurin më të shpejtë dhe më krijues.

Por sfida nuk është vetëm për atë që flet. Edhe dëgjuesi duhet të kuptojë nëse personi po tallet, po flet seriozisht apo po jep një mesazh të fshehur.

Ky proces i ndërlikuar ndihmon në zhvillimin e fleksibilitetit kognitiv dhe rrit aftësinë për të lexuar situatat sociale me saktësi.

Pikërisht për këtë arsye, Harvardi e cilëson ironinë si një “stërvitje të fuqishme të trurit” që mban në formë të dyja palët e komunikimit.

Sipas studiuesve, njerëzit që përdorin ironi shfaqin shpesh mendim më të thellë, kreativitet të lartë dhe aftësi të mprehta sociale.

Pra… ku i kemi ironikët e ditës? Sepse, sipas shkencës, mund të jenë më të zgjuar se ç’mendoni!