Zakonisht, mbizotërojnë besime popullore, si ai i gjakut “të ëmbël” që tërheq mushkonjat. Por shkenca duket se më në fund ka dhënë një përgjigje, e cila nuk do t’u pëlqejë atyre që janë më shpesh shënjestra e pickimeve. Një studim i gjerë ndërkombëtar, i publikuar në revistën Global Ecology and Biogeography, ka treguar se mushkonjat nuk kanë preferenca fikse, por sjellja e tyre ushqyese është shumë më fleksibile nga sa mendohej.
Studimi, i udhëhequr nga biologu Konstans Wells i Universitetit të Swansea në Uells, analizoi mbi 15.600 “vakte” gjaku të mushkonjave duke përdorur teknika molekulare që lejojnë identifikimin e saktë të specieve pritëse. Kështu u krijua një hartë globale e preferencave ushqimore të gjashtë specieve më të rëndësishme nga këndvështrimu shëndetësor. Culex (mushkonja e zakonshme) ushqehet me një spektër shumë të gjerë prej 179 deri në 321 llojesh, përfshirë shpendë, gjitarë, reptilë dhe amfibë.
Aedes (ku bën pjesë mushkonja tigër) është më selektive, me 26 deri në 65 lloje. Anopheles (përgjegjëse për përhapjen e malaries) ka preferenca edhe më të ngushta; 7–29 lloje. Aedes dhe Anopheles tregojnë një prirje të qartë ndaj njeriut, gjë që i bën veçanërisht të rrezikshme në zonat urbane. Ndërsa disa lloje të tjera preferojnë bagëtitë apo shpendët. Gjatë muajve të ngrohtë të vitit, mushkonjat shpesh bëhen një problem i zakonshëm në oborret dhe kopshtet tona.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, në botë ekzistojnë më shumë se 3,000 lloje mushkonjash. Aktiviteti i tyre fillon kur temperaturat e natës kalojnë mbi 10 gradë Celsius dhe përveç pickimeve të bezdisshme që shkaktojnë, ato janë edhe bartëse të sëmundjeve të ndryshme.




