I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…
Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë. Kur Ilvi e pyeti doktorin se pse na ndodh që ne gjithmonë të dëgjojmë dy tinguj në zemër dhe jo një? Ja si e shpjegon doktori këtë:
Ne dëgjojmë dy rrahje në zemër sepse kemi dy momente. Është momenti që tkurren pjesët e sipërme të zemrës ose veshët siç e kemi mësuar në biologji dhe momenti që tkurren barkushet. Pastaj zhurmat që bëhen janë nga valvulat, kur mbyllen dy valvulat e para dhe dy valvulat e dyta. Këto dy zhurma i dëgjojmë me vesh dhe me stetoskop.
Gjithashtu Veshti theksoi se:
Stetoskopi është aparat i cili po zhduket, sa keq sepse i shoh studentët dhe specializantët që nuk e përdorin më, por unë e përdor çdo ditë. Na kanë mësuar me stetoskop sepse ai tregon shumë gjëra. Është pjesë e klinikës por po zhduket.
