Të dish se ku ndodhet partneri në çdo moment është bërë më e lehtë se kurrë më parë, falë aplikacioneve për ndarjen e lokacionit. Edhe pse për shumëkënd kjo praktikë sjell ndjesinë e sigurisë dhe komoditetit, ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë edhe një anë të errët. Ndërsa disa e ndajnë me dëshirë lokacionin, të tjerë janë kundër, duke u shqetësuar për ndjesinë e mbikëqyrjes së vazhdueshme. Megjithatë, disa mendojnë se lidhja nuk është “zyrtare” nëse nuk përdoret një aplikacion i tillë dhe të dhënat tregojnë se kjo praktikë po bëhet gjithnjë e më e përhapur.

Sipas të dhënave të kompanisë Life360, gjithnjë e më shumë çifte po përdorin këtë teknologji. “95% e të rriturve përdorin një formë teknologjie për ndarjen e lokacionit, ndërsa 40% mbështeten në aplikacione si i yni”-deklaroi për FOX News Mike Zeman, drejtor marketingu në Life360. Hulumtimi i tyre tregon se gati 60% e përdoruesve besojnë se ndarja e lokacionit e bën lidhjen më zyrtare, ndërsa afro 70% mendojnë se kjo ndihmon në prakticitet dhe koordinim. Interesant është edhe fakti se 45% e përdoruesve kanë thënë se të dish ku ndodhet partneri ndihmon në ruajtjen e shëndetit mendor.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për përfitimet. Terapistja për çifte, Joanna Harrison, ka thënë për The Guardian se ndarja e lokacionit mund të dëmtojë një “ekuilibër të rëndësishëm mes pavarësisë dhe afërsisë” në një marrëdhënie. Ajo shtoi gjithashtu se të dish saktësisht kur vjen partneri e shkatërron një pjesë të magjisë romantike. “Do të ishte për të ardhur keq nëse këto aplikacione do të na privonin nga ndarja e detajeve nga jeta jonë e pavarur, pasi tashmë do t’i dinim ato. Humbet edhe ajo ndjenjë e ëmbël e pritjes së dikujt që po vjen kur e di që është rrugës, por jo saktësisht kur do të mbërrijë.”