Lodhja e pashpjegueshme, rraskapitja dhe mungesa e energjisë nuk janë gjithmonë pasojë e stresit apo mbingarkesës. Sipas gastroenterologëve, këto shqetësime mund të lidhen drejtpërdrejt me probleme të sistemit tretës, i cili luan rol kyç në prodhimin e energjisë dhe mirëqenien e përgjithshme.
Ekspertët theksojnë se ekziston një lidhje e fortë midis stomakut dhe trurit. Kur tretja nuk funksionon siç duhet, trupi mund të reagojë me lodhje të thellë, rënie të imunitetit dhe përkeqësim të gjendjes mendore.
Mikrobioma, baza e energjisë dhe imunitetit
Sistemi tretës shtrihet nga goja deri te anusi dhe përfshin organe si stomaku, zorrët, mëlçia dhe pankreasi. Një rol vendimtar luan mikrobioma e zorrëve – triliona mikroorganizma që ndihmojnë tretjen, përthithjen e lëndëve ushqyese dhe mbrojtjen nga sëmundjet. Kur kjo florë është e ekuilibruar, energjia dhe imuniteti përmirësohen; kur prishet (disbiozë), rritet rreziku për probleme shëndetësore.
Sipas mjekëve, pjesa më e madhe e mikrobiomës formohet që në lindje, por ajo mund të mbështetet përmes ushqyerjes së shëndetshme dhe stilit aktiv të jetesës.
Si ta përmirësoni shëndetin e zorrëve
Specialistët rekomandojnë konsum të përditshëm të perimeve, veçanërisht atyre me gjethe jeshile, shmangien e pijeve të ëmbëlsuara dhe ushqimeve të përpunuara, si dhe përdorimin e yndyrnave bimore. Ushqimet e fermentuara, probiotikët dhe prebiotikët mund të ndihmojnë, por vetëm nëse baza ushqimore është e shëndetshme.
Gjithashtu këshillohet të shmanget “ngrënia pa pushim” dhe t’i jepet sistemit tretës kohë për t’u rikuperuar, si dhe të kufizohet përdorimi i antibiotikëve pa rekomandim mjekësor.
Kur lodhja lidhet me mungesa ushqyese
Nivelet e ulëta të hekurit, vitaminës B12 apo magnezit janë një tjetër shkak i shpeshtë i lodhjes. Mjekët sugjerojnë analiza laboratorike dhe trajtim të kontrolluar, nëse konstatohet mungesë.
Problemet më të shpeshta të stomakut që shterojnë energjinë
Ndër gjendjet më të zakonshme janë infeksioni me Helicobacter pylori, mëlçia e dhjamosur dhe kapsllëku kronik. Të gjitha këto mund të ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e energjisë dhe kërkojnë vlerësim mjekësor.
Kur duhet të kërkohet ndihmë urgjente
Shenja si zverdhja e lëkurës, jashtëqitje me gjak ose të zeza, diarre e zgjatur, vështirësi në gëlltitje, të vjella me gjak apo humbje e pavullnetshme peshe kërkojnë kontroll të menjëhershëm mjekësor. Personat mbi 45 vjeç, veçanërisht me histori familjare të kancerit të zorrës së trashë, këshillohen të kryejnë kolonoskopi për zbulim të hershëm.
Ekspertët theksojnë se kujdesi për stomakun dhe zorrët është një hap thelbësor për më shumë energji dhe një jetë më cilësore.
