Jemi mësuar ta mendojmë plakjen si një proces të ngadaltë dhe linear që prek të gjithë trupin në mënyrë të barabartë dhe bëhet i dukshëm vetëm pas moshës 50 ose 60 vjeç. Por kërkime të reja e sfidojnë këtë pikëpamje.

Sipas një studimi të botuar në “Cell Press Journal”, disa pjesë të trupit tonë fillojnë të tregojnë shenja të konsumimit shumë më herët nga sa imagjinojmë. Që në moshën 30 vjeç, aorta, shpretka dhe gjëndrat mbiveshkore pësojnë ndryshime të rëndësishme biologjike.

Me fjalë të tjera, ne mund të jemi biologjikisht më të vjetër në disa organe sesa në të tjera, dhe ky proces i heshtur vazhdon pa e kuptuar ne.

Për të arritur në këto përfundime, ekipi i studiuesve analizoi 516 mostra indesh nga 76 persona, të moshës midis 14 dhe 68 vjeç, të cilët vdiqën nga dëmtime traumatike në tru. Mostrat përfshinin organe të ndryshme, nga zemra te mushkëritë, nga mëlçia te zorrët, dhe ishin të dizajnuara për të zbuluar se si dhe kur proteinat, të konsideruara si gurë themeli të jetës, ndryshojnë me moshën.

Rezultatet ishin të habitshme. Jo të gjitha indet plaken në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë: shumë organe tregojnë ndryshime të rëndësishme midis moshës 45 dhe 55 vjeç, por të tjera, si aorta, duket se e “parashikojnë” procesin që rreth moshës 30 vjeç.

Në çfarë moshe fillon të plaket trupi ynë?

Ky është një çelës i rëndësishëm, sepse vetë enët e gjakut mund të luajnë një rol kyç në përshpejtimin e plakjes së përgjithshme të trupit.

Edhe studimet e mëparshme shkencore kanë identifikuar dy momente kyçe në procesin e plakjes. Në moshën 44 vjeç dhe 60 vjeç, vërehen përshpejtime të konsiderueshme në proceset biologjike.

Sipas të dhënave plakja nuk është një ngjarje e papritur, por një sërë transformimesh që grumbullohen në heshtje dhe fillojnë shumë më herët nga sa e kuptojmë.

Kjo ndërgjegjësim ndryshon mënyrën se si e shohim parandalimin. Nuk ka të bëjë vetëm me ndërhyrjen kur shfaqen simptomat, por edhe me të kuptuarit se disa ndryshime qelizore dhe të proteinave fillojnë shumë më herët dhe se vëzhgimi i këtyre trajektoreve mund të ndihmojë në identifikimin e strategjive të reja për të mbrojtur organet më të cenueshme.

Por si të plakeni më mirë dhe më ngadalë?

Ndërsa studimi hap mundësi shkencore që ende nuk janë eksploruar, ai na kujton gjithashtu një të vërtetë të thjeshtë: zakonet e përditshme bëjnë diferencën. Një dietë e ekuilibruar, ushtrimet e rregullta, gjumi cilësor, menaxhimi i stresit dhe aftësia për të kultivuar marrëdhënie shoqërore mbeten strategjitë më efektive për të jetuar më gjatë dhe për t’u plakur më mirë.

Integrimi i këtyre praktikave që në të njëzetat ose të tridhjetat mund të na ndihmojë të ngadalësojmë orën tonë biologjike dhe ta shoqërojmë më mirë trupin tonë përgjatë rrugës së tij natyrore.