E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Loreta Caka. Ajo ka folur më shumë mbi dashurinë, mënyrën si zgjedhim partnerët, si dhe nëse dashuria është fat apo jo…
Pse po ndodh sot që vajzat e reja po bien pre e meshkujve narcistë?
Të rritesh pa dashuri, është shumë kollaj të biesh pre e një narcisti, që manipulimin e ka pikën e tij më të fortë. Tashmë e dimë që narcisti manipulon në mënyra të frikshme. Ata janë manipulues në çdo gjë në jetën e tyre. Duke qenë se në fillimet e një marrëdhënie japin shumë, më shumë sa duhet, kur njeh një narcist mendon se princi i kaltër ekziston, dashuria e bukur e përrallave ekziston. Ata jepen 100% deri sa të fusin në ato kthetrat e tyre dhe pastaj ti bëhesh thjesht një marionetë e tyre. Këto vajza që bien pre janë rritur pa dashuri. Shpesh mungesa e dashurisë, mungesa e atij informacioni që prindërit duhet të japin, kontrollit të ndjenjave, emocioneve, të njohjes së vetes, çfarë ti duhet të duash dhe çfarë jo, të njohësh një person, cila është e mira dhe e keqja, pra biseda që për hir të së vërtetës mungojnë në fëmijëri. Duke qenë se fëmijët dalin në jetë të pa mësuar nga gjëra të tilla, pa informacionin e duhur, këto gjëra duhet t’i mësojnë paraprakisht fëmijët. Sikurse duhet të na ishin mësuar edhe ne, që jemi një brez që nuk është se kemi pasur një komunikim shumë të mirë me prindërit tanë. Sa më shumë ta mësosh ti fëmijën tënd për ato gjëra që do i vyjnë në jetë, aq më i mirë do bëhet ai fëmijë kur të dalë në jetë. Mësojini fëmijëve si të njohin veten, sepse duke njohur veten njohin dhe personat që kanë përballë.
